Koalicioni qeverisës në Japoni, i përbërë nga Partia Liberale Demokratike (LDP) dhe partneri i saj Komeito, ka humbur shumicën në Dhomën e Lartë të Parlamentit pas zgjedhjeve të së dielës, duke shkaktuar tronditje politike në vend. Kryeministri Shigeru Ishiba, megjithatë, deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht “rezultatit të ashpër”, të cilin ai tha se e pranon solemnitet.
Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të thellë pakënaqësie për shkak të krizës së kostos së jetesës, inflacionit në rritje – veçanërisht çmimit të orizit – dhe kërcënimit të tarifave nga Shtetet e Bashkuara. Koalicionit i duheshin 50 vende për të ruajtur kontrollin, por përfundoi me vetëm 47, ndërsa opozita kryesore, Partia Demokratike Kushtetuese, siguroi 22 vende.
Kjo humbje e re vjen pas rrëshqitjes së shumicës edhe në Dhomën e Ulët vitin e kaluar, duke e dobësuar ndjeshëm qeverinë dhe duke nxitur spekulime për ndryshime në udhëheqje. Tre nga kryeministrat e mëparshëm të LDP-së dhanë dorëheqjen brenda dy muajsh nga humbje të ngjashme. Kandidatë të tjerë të profilit të lartë si Sanae Takaichi, Takayuki Kobayashi dhe Shinjiro Koizumi tashmë përmenden si pretendentë për kreun e partisë.
Ndërkohë, një përfitues i madh i këtyre zgjedhjeve rezultoi partia Sanseito, me prirje të djathta dhe retorikë të fortë anti-imigracion. Partia fitoi 14 vende nga vetëm një që kishte më parë, duke fituar terren me mesazhe nativiste dhe teori konspirative të përhapura përmes YouTube. Analistët e shohin këtë si një gërryerje të bazës tradicionale konservatore të LDP-së, ndërsa figura të tilla si Ishiba kritikohen si “jo mjaftueshëm konservatore” nga pasuesit e ish-kryeministrit Shinzo Abe.
Në këtë klimë trazirash, kreu i qeverisë ka vendosur të krijojë një grup pune për të adresuar sjelljet e padëshiruara të disa shtetasve të huaj, duke përmendur krimet, blerjet e tokës dhe shmangien e sigurimeve shoqërore – një hap që shihet si përpjekje për të rimarrë votuesit e djathtë të humbur ndaj Sanseito.
Megjithëse tregjet globale reaguan me qetësi – me jenin që u forcua në bursat ndërkombëtare – kriza politike e brendshme në Japoni mund të thellohet nëse presioni mbi kryeministrin vazhdon të rritet në javët në vijim. Një ndryshim në lidership do të shkaktonte turbulenca në qeverinë japoneze, pikërisht në kohën kur vendi ndodhet në një fazë kyçe të negociatave tregtare me SHBA-në.
© SYRI.net