Një e treta e buxhetit prej 300 miliardë eurosh të propozuar nga Komisioni Evropian për veprimin e jashtëm për periudhën 2028-2034 do të shkojë për të mbështetur Ukrainën. Fondi synon të përshpejtojë reformat dhe procesin e rindërtimit pas luftës, duke u bërë pjesë qendrore e strategjisë së BE-së për ndikim global dhe siguri.
“Kemi hyrë në një epokë sfidash në rritje, nga paqëndrueshmëria klimatike deri te konkurrenca për lëndët e para kritike dhe migracioni”, tha komisioneri për partneritete ndërkombëtare, Jozef Sikela, gjatë prezantimit të buxhetit të enjten.
Buxheti i veprimit të jashtëm është pjesë e paketës totale prej 2 trilionë eurosh të shpallur një ditë më parë nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen. Në fokus të veçantë është edhe politika e zgjerimit dhe fqinjësisë, që do të përfitojë 42.6 miliardë euro, një rritje me 37% krahasuar me periudhën e mëparshme.
“Bisedimet e pranimit me Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën nuk kanë përparuar kurrë më shpejt”, deklaroi komisionerja për zgjerimin, Marta Kos, duke theksuar se mbështetja për Ukrainën nuk po zbehet: “Koha nuk është në anën e Rusisë.”
Një pjesë e konsiderueshme e fondit – 42 miliardë euro – është dedikuar për vendet e Mesdheut dhe fqinjët jugorë të BE-së, me synimin për të menaxhuar migracionin dhe për të forcuar sigurinë kufitare. Komisionerja për Mesdheun, Dubravka Šuica, nënvizoi rëndësinë e kësaj qasjeje: “Evropa Globale na fuqizon të jemi një lojtar, jo vetëm një pagues.”
Ajo theksoi gjithashtu se BE do të zhvillojë rrugë ligjore për migrimin nëpërmjet “partneriteteve të talenteve” me vende si Egjipti, Tunizia dhe Maroku, në kuadër të Paktit të Migracionit dhe Azilit, të miratuar në vitin 2024.
“Ne kemi nevojë për njerëz për të plotësuar mungesat në tregun e punës evropian, por njëkohësisht do të luftojmë ashpër kundër migracionit të paligjshëm dhe rrjeteve të kontrabandës,” përfundoi Šuica.
© SYRI.net