Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur publikisht pakënaqësinë ndaj Presidentit rus Vladimir Putin për mungesën e vullnetit për të përfunduar luftën në Ukrainë, duke e akuzuar atë se po “bën budallallëqe” me Uashingtonin dhe se ka tradhtuar besimin për një marrëveshje paqeje.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump njoftoi një marrëveshje të re me aleatët, ku NATO do të financojë blerjen e armëve amerikane që do t’i dorëzohen Ukrainës. “Ne arritëm një marrëveshje sot, sipas së cilës do të dërgojmë armë në Ukrainë dhe NATO do të paguajë për to”, tha presidenti amerikan.
Trump paralajmëroi gjithashtu vendosjen e tarifave 100% ndaj Rusisë brenda 50 ditësh, nëse Moska nuk tregon interes për përfundimin e konfliktit. Ai u shpreh i zhgënjyer me qëndrimin e Putinit, duke theksuar: “Mendova se ishte dikush që e mendonte me gjithë zemër atë që thoshte. Dhe fliste kaq bukur, por pastaj i bombardonte njerëzit natën. Kjo nuk na pëlqen.”
Në një kthesë të papritur, Trump deklaroi se Uashingtoni do të dërgojë armë të sofistikuara në Ukrainë, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, përmes NATO-s. Sistemet Patriot, të njohura për aftësinë për të interceptuar raketat balistike, do të ndihmojnë Kievin të mbrohet përballë sulmeve të intensifikuara ruse me raketa dhe dronë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, gjatë një konference në Romë, tha se Gjermania dhe Norvegjia kanë marrë përsipër të financojnë pjesërisht sistemet Patriot, ndërsa vende të tjera evropiane janë shprehur të gatshme të kontribuojnë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi se disa prej armëve që kërkon Ukraina ndodhen tashmë në Evropë dhe mund të transferohen me shpejtësi, me aleatët evropianë që do të blejnë pajisje zëvendësuese nga SHBA.
Ndërkohë, Kievi ka shpallur nisjen e projektit “Qielli i Qartë”, një sistem gjithëpërfshirës për përgjimin e dronëve, pas sulmeve të përsëritura nga Rusia. Investimi parashikon përdorimin e dronëve interceptues dhe krijimin e njësive të posaçme të reagimit të shpejtë.
Vizita e Rutte në Uashington pritet të zgjasë dy ditë, ku përveç Trump, ai do të zhvillojë takime me Sekretarin Rubio, Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth dhe anëtarë të Kongresit. Trump theksoi se NATO do të paguajë të gjitha kostot për armët që do të dërgohen në Ukrainë: “Do t’u dërgojmë armë shumë të sofistikuara dhe ata do të na paguajnë 100% për to.”
© SYRI.net