Pakistani po shqyrton zgjatjen e afatit për kthimin e 1.4 milion refugjatëve afganë që jetojnë ligjërisht në vend, njoftuan zyrtarët të hënën.
Zgjatja e propozuar synon t’u japë refugjatëve më shumë kohë për të përfunduar çështjet personale në Pakistan, si shitjen e pronës apo mbylljen e aktiviteteve të biznesit, para se të kthehen në Afganistan në mënyrë të rregullt dhe dinjitoze.
Një vendim për këtë zgjatje pritet të merret gjatë mbledhjes së kabinetit të qeverisë, e cila do të zhvillohet të martën.
Në vitin 2023, Pakistani nisi një fushatë të ashpër kundër të huajve që konsideroheshin në vend në mënyrë të paligjshme, kryesisht shtetas afganë, duke kërkuar largimin e tyre.
Sipas zyrtarëve, rreth 3 milionë afganë jetojnë aktualisht në Pakistan, nga të cilët 1.4 milion kanë karta regjistrimi, ndërsa një pjesë tjetër është pa dokumente.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) paralajmëron se Afganistani nuk është i përgatitur për të pranuar një numër kaq të madh të kthyerish dhe se shërbimet themelore në vend janë pranë kolapsit.
Grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kritikojnë fushatën e dëbimit, duke theksuar se shumë afganë përballen me ngacmime dhe represion nën sundimin e talibanëve.
Sipas OKB-së, të paktën 1.2 milion afganë janë detyruar të largohen nga Irani dhe Pakistani vetëm gjatë këtij viti, duke rrezikuar destabilizimin e situatës në Afganistan.
© SYRI.net