AfD dhe media - një çështje e lirisë së shtypit

AfD dhe media - një çështje e lirisë së shtypit

09:20, 05/05/2024
A+ Aa A-

Liria e shtypit dhe liria e shprehjes së lirë janë të garantuara në Kushtetutë në Gjermani. Peizazhi mediatik bazohet në një sistem të dyfishtë: mediat publike dhe private. Disa financohen kryesisht nga tarifat që çdo familje në Gjermani duhet të paguajë. Të tjerët mbështeten në të ardhurat nga reklamat dhe shitja e produkteve të tyre.

Deutsche Welle (DW) është një rast i veçantë: transmetuesi i programeve në gjuhë të huaj merr para nga taksat nga buxheti i Ministrisë për Kulturën dhe Mediat (BKM). Ashtu si të gjithë transmetuesit e tjerë publikë, DW është e detyruar të raportojë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të balancuar për të gjitha temat përkatëse. Kjo monitorohet nga bordi në të cilat ulen përfaqësues të grupeve përkatëse shoqërore: njerëz nga politika, kultura, biznesi, shkenca, sporti, komunitetet fetare, sindikatat.

AfD kundër "financimit të dhunshëm" të medias publike

Nëse do të ishte në dorë të Alternativës për Gjermaninë (AfD), të cilën Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës e ka klasifikuar pjesërisht si ekstremiste të krahut të djathtë, transmetimi publik në formën e tij ekzistuese nuk do të kishte të ardhme: "Financimi i detyrueshëm i tij duhet të hiqet menjëherë dhe të konvertohet në televizion me pagesë”, kërkon AfD në programin e saj bazë.

Partia ndihet gjithmonë e pafavorshme në raportim. Akuza vlen edhe për mediat private. Shpesh thuhet se njerëzit e tyre ftohen rrallë në emisione televizive. Fakti është: Askush nuk ka të drejta të tilla - vendimet merren nga redaksitë. Kjo është pjesë e lirisë së shtypit dhe lirisë së shprehjes.

Shumëllojshmëri temash: spiunazh, ekstremizëm i djathtë, Björn Höcke

Pohimet se AfD është neglizhuar në media duket se nuk është i saktë, veçanërisht në vitin 2024. AfD është një temë e trajtuar shpesh sepse sondazhet parashikojnë rezultate të mira për të në zgjedhjet evropiane në qershor dhe në tre zgjedhjet në lande, në shtator. Por radikalizimi i AfD në rritje dhe përfshirja e supozuar në rastet e spiunazhit, veçanërisht me Kinën, si dhe marrëdhëniet e saj me Rusinë, janë gjithashtu tituj të shpeshtë.

Fjala kyçe është ekstremizmi: Përfaqësuesi i saj, Björn Höcke, tani është mjaft i njohur jashtë Gjermanisë - të paktën në qarqet e interesuara politikisht. Höcke ka udhëhequr grupin parlamentar të opozitës AfD në Turingji që nga viti 2014. Bodo Ramelow ka qenë kryeministër i këtij landi që nga viti 2014, me një ndërprerje të shkurtër.

Kryeministri i Turingjisë në hijen e sfiduesit të tij

Profili i Höcke është, që ai konsiderohet si ekstremisti i djathtë më me ndikim brenda AfD. Në media, kjo luan një rol më të madh sesa fakti aspak banal që Ramelow është kreu i parë dhe i vetëm i i majtë i një landi.

Höcke ëndërron të bëhet pasardhësi i Ramelow pas zgjedhjeve në shtator. Por ai është nën vëzhgim nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës. Thuhet se ka përdorur publikisht një slogan të ndaluar të organizatës naziste "Sturmabteilung" (SA) dhe është akuzuar për këtë para gjykatës në Halle. Ai tani thotë se nuk e ka ditur se ky slogan është i ndaluar, por procesi po vazhdon.

Flisni për AfD - apo me ta?

Kjo reflektohet në peizazhin mediatik - për kryeministrin Ramelow raportohet vetëm në land, ndërsa për sfiduesin e tij në të gjitha kanalet. Megjithatë, Höcke është zakonisht objekt dhe shumë rrallë subjekt: kështu që njerëzit flasin më shumë për të sesa me të. Kjo vlen edhe për partinë e tij AfD.

Së fundi ka pasur një premierë të diskutueshme në televizionin gjerman: Höcke dueloi drejtpërdrejt me kandidatin kryesor të Partisë Kristiandemokrate (CDU) Mario Voigt, në këtë land. Transmetuesi privat i financuar nga reklamat "Welt-TV” kishte planifikuar 45 minuta për këtë duel. Në fund, shkëmbimi i goditjeve zgjati dukshëm më shumë se një orë.

Mes iluminizmit dhe spektaklit

Ditë më parë, takimi i organizuar si një spektakël në ringun e boksit, kishte qenë një temë e vazhdueshme në media. Revista "Der Spiegel" mendoi se ky ishte një gabim. Politologu Oliver Lembcke nga Universiteti i Bochum-it e sheh krejt ndryshe. "Ikja e vazhdueshme dhe përjashtimi i AfD-së ka bërë që Höcke të kthehet në një lloj magjistari." Vlerësimi i Lembcke u shfaq në "Bild", gazeta më e madhe tabloide gjermane.

Shoqata e gazetarëve bën thirrje për një "njoftim paralajmërues" për AfD

Shoqata e Gazetarëve Gjermanë (DJV) rekomandon që të gjitha mediat të ripërshtatin raportimin e tyre për AfD-në, më së largu në momentin kur partia të klasifikohet si "ekstremiste e djathtë" nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës. Deri tani kjo parti është shpallur si ekstremiste nën vëzhgim në tre nga 16 landet gjermane. Ndërsa shkencëtari i medias Bernd Gäbler mendon se "Nuk ka nevojë për një gazetari të veçantë të përshtatur posaçërisht për AfD. Përkundrazi, AfD është thjesht një sfidë e re që duhet të trajtohet"./DW/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco