Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Pse Milano po bëhet gati të ndalojë akulloret dhe picat pas mesnate?

Pse Milano po bëhet gati të ndalojë akulloret dhe picat pas mesnate?

10:39, 23/04/2024
A+ Aa A-

Në përpjekje për t’i dhënë zgjidhje një breshërie ankesash e zhurmash, Milano po përgatitet të ndalojë ushqimet e natës vonë. Kjo luftë me akulloren nuk është e re dhe nuk u shkon shumë njerëzve...

Qyteti italian i Milanos po propozon një ligj të ri për ndalimin e akullores pas mesnate, në përpjekje për të mbrojtur "qetësinë dhe shëndetin" e banorëve.

Një dokument fillestar legjislativ është depozituar nga pushteti vendor i qytetit. Nëse miratohet, ligji i ri mund të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm dhe të zgjasë deri në nëntor - diçka për të cilën shitësit vendas nuk do të jenë më të kënaqur, duke pasur parasysh se ata janë mësuar të shesin xhelato natën vonë si pjesë e kulturës italiane.

Propozimi do të ndalonte të gjitha ushqimet e gatshme, duke përfshirë picën dhe pijet, pas orës 12:30 të mëngjesit gjatë ditëve të javës dhe 1:30 të mëngjesit gjatë fundjavave dhe festave publike - të gjitha në përpjekje për të mposhtur grupet e zhurmshme që grumbullohen nëpër rrugë dhe lënë banorët e zonës zgjuar.

Ndalimi do të jetë në fuqi në 12 nga rrethet e Milanos – duke përfshirë rrethet qendrore të Brera dhe Ticinese, si dhe Darsena, Lazzaretto, Corso Como dhe zonat e njohura të jetës së natës të Arco della Pace dhe Navigli.

Muajin e kaluar, kryebashkiaku Giuseppe Sala deklaroi se "një pjesë e konsiderueshme iepopullsisë po ankohet për zhurmën e tepërt".

“Në rolin tim duhet të dëgjoj të gjithë qytetarët, përfshirë ata që duhet të punojnë dhe ata që duan të bëjnë biznes”, shtoi Sala.

“Ne po kërkojmë një ekuilibër mes socialitetit dhe argëtimit, paqes dhe shëndetit të banorëve dhe aktivitetit të lirë ekonomik të tregtarëve dhe sipërmarrësve”, shkroi në Facebook Marco Granelli, nënkryetari përgjegjës për sigurinë.

Kjo nuk është hera e parë që qyteti italian po përpiqet të ndalojë akulloret e netëve vonë.

Në vitin 2013, këshilli bashkiak – nën kryebashkiakun e atëhershëm Guiliano Pisapia – dështoi në përpjekjen për të larguar lëpirësit e akulloreve të natës nga rrugët. Masat e propozuara u pritën me reagime.

Qytetarët kanë afat deri në fillim të majit për të apeluar dhe sugjeruar ndryshime në ligjin e ri të propozuar.

Lino Stoppani, presidenti i Fipe, federatës italiane të operatorëve publikë dhe turistikë, tha për të përditshmen italiane Il Messaggero: “Problemi i jetës së natës ekziston, por ky rregull do të shkaktojë vetëm dëme për bizneset”.

Si kundërpërgjigje, Lorenza Bonaccorsi, presidente e Komunës I të Romës, i tha gazetës: "Nëse do të ishte në dorën time, do ta ndaloja shitjen e pijeve alkoolike që merren me vete në të gjithë qendrën."/ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco