Rusia bllokon ekipin e OKB që mbikqyr sanksionet ndaj Koresë së Veriut

Rusia bllokon ekipin e OKB që mbikqyr sanksionet ndaj Koresë së Veriut

08:45, 29/03/2024
A+ Aa A-

Rusia e ka shpërbërë një ekip ekspertësh të OKB-së që kanë monitoruar për vite me radhë sanksionet kundër Koresë së Veriut.

Paneli javën e kaluar tha se po hetonte raportet se Rusia ka shkelur rregullat duke blerë armë të Koresë së Veriut si raketa balistike për t’i përdorur në Ukrainë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka vendosur një sërë sanksionesh ndaj Phenianit që nga viti 2006 për programin e tij të armëve bërthamore.

Këto kufizime janë ende në fuqi - por grupi i ekspertëve i krijuar për të monitoruar shkeljet tani do të shpërbëhet.

Në një votim të Këshillit të Sigurimit të enjten, Rusia përdori të drejtën e vetos si një anëtare e përhershme për të bllokuar rinovimin e tij, ndërsa 13 nga 14 shtetet e tjera anëtare të pranishme votuan për të. Kina, aleati më i ngushtë i Phenianit, abstenoi.

Bllokimi nga Rusia nxiti një valë kritikash nga SHBA, Britania e Madhe, Koreja e Jugut dhe aleatët e tjerë perëndimorë dhe vjen pas një viti takimesh publike të profilit të lartë midis liderëve të Moskës dhe Phenianit.

Kjo është hera e parë që Rusia e bllokon ekipin - i cili është rinovuar çdo vit nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për 14 vjet.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha në rrjetet sociale, se vetoja e Rusisë ishte e barabartë me "pranimin e fajit" se po përdorte armë të Koresë së Veriut në luftë.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca i thanë Këshillit se Rusia po i mbyllte gojën vëzhguesve sepse kishin filluar të raportonin për shkeljet e rregullave nga ana e Moskës – veçanërisht për blerjen e armëve nga Koreja e Veriut për fushat e betejës në Ukrainë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco