Njerëzit që ndihmojnë azilkërkuesit në Europë po përballen me dhunë

Njerëzit që ndihmojnë azilkërkuesit në Europë po përballen me dhunë

13:08, 22/02/2024
A+ Aa A-

Njerëzit dhe grupet e ndihmës që ndihmojnë azilkërkuesit po raportojnë një tendencë shqetësuese të rritjes së frikësimit dhe dhunës. Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, Dunja Mijatoviç ngre alarmin nëpërmjet një raporti të fundit se punonjësit që i ofrojnë ndihmë emigrantëve po përballen me kërcënime të drejtpërdrejta dhe monitorimin e komunikimeve të tyre telefonike nga autoritetet qeveritare.

Mijatoviç ka paralajmëruar rritjen e ngacmimeve ndaj grupeve që ndihmojnë refugjatët, veçanërisht në Hungari, Greqi, Lituani, Itali, Kroaci dhe Poloni.

“Organizatat dhe njerëzit që ndihmojnë refugjatët, azilkërkuesit dhe emigrantët u janë nënshtruar dhunës brutale u janë shkatërruar automjetet ose pajisjet, ose kanë vandalizuar pronat e tyre private, ku në disa raste edhe i kanë djegur”, shkruan në platformën X, Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës.

Një shembull i fundit ishte shkatërrimi i një zyre të një organizate OJQ në Kisa të Qipros që ndihmon refugjatët, azilkërkuesit dhe emigrantët. Mijatoviç tha se ajo kishte vëzhguar në disa shtete anëtare se si autoritetet kishin ushtruar presion dhe përdornin metoda frikësuese.

“Këto pengesa fizike u mohojnë azilkërkuesve mundësinë për të kërkuar mbrojtje dhe të drejtën për një procedurë të drejtë dhe efikase azili dhe kjo qasje ka krijuar gjithashtu një mjedis jashtëzakonisht të vështirë për mbrojtësit e të drejtave të njeriut,” shkruan ajo.

Ekspertët për të drejtat e njeriut kanë bërë të ditur se ata që ndihmojnë refugjatët dhe azilkërkuesit mund të shihen nga shtetet si një pengesë për zbatimin e politikave të azilit dhe emigracionit të fokusuara në parandalimin e hyrjes së tyre drejt vendeve europiane dhe sigurinë, dhe për këtë arsye përballen me dhunë.

Anijet e shpëtimit të OJQ-ve janë përballur gjithashtu me dhunë, duke përfshirë përdorimin e armëve të zjarrit, nga vendet jo-evropiane me të cilat vendet anëtare të Këshillit të Europës bashkëpunojnë për kontrollin e emigrimit të jashtëm. Mijatoviç vuri në dukje gjithashtu përdorimin në rritje të teknologjive të vëzhgimit. Sipas saj refugjatët, azilkërkuesit dhe emigrantët shpesh përjetojnë nivele jashtëzakonisht të larta të urrejtjes në internet dhe madje edhe kërcënime me vdekje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco