Largohet drejtuesi i programit për avionët Boeing 737 Max

Largohet drejtuesi i programit për avionët Boeing 737 Max

12:04, 22/02/2024
A+ Aa A-

Kompania Boeing njoftoi të mërkurën se po zëvendëson drejtuesin e programit të avionëve 737 Max. Ky është largimi i parë i një drejtuesi të rëndësishëm, që nga 5 janari kur një panel u shkëput nga një avion i tillë gjatë fluturimit të linjës ajrore Alaska Airlines.

Ed Clark, i cili ka punuar për kompaninë Boeing për gati 18 vite, u largua ndërsa kompania po përballet me krizën e saj më të fundit dhe është zotuar të rrisë kontrollin e cilësisë.

Agjencitë rregullatore kanë urdhëruar uljen e nivelit të prodhimit të avionëve dhe ligjvënësit dhe klientët kanë kthyer të gjithë vëmendjen tek shqyrtimi i procesit të prodhimit dhe tek masat e sigurisë.

Kompania Boeing është munduar të japë shpjegime dhe të forcojë masat e saj të sigurisë pas shkëputjes së panelit nga avioni 737 Max 9, që detyroi pilotët e kompanisë Alaska Airlines të bënin një ulje emergjence, ndërsa pasagjerët mbetën të ekspozuar ndaj boshllëkut të krijuar në trupin e avionit në një lartësi prej pothuajse 4900 metrash.

Largimi i zotit Clark u bë pasi bordi drejtues i kompanisë Boeing u mblodh këtë javë dhe miratoi disa ndryshime. Zoti Clark mbikëqyrte prodhimin në Renton të shtetit Uashington, ku dhe ishte përfunduar avioni i përfshirë në incidentin në fjalë.

Zoti Clark kishte qenë më parë kryemekanik dhe inxhinier për avionët 737, përpara se të emërohej drejtues i programit në vitin 2021. Ai ishte drejtuesi i pestë në historikun e programit të avionëve 737.

Ai do të zëvendësohet nga Katie Ringgold në funksionet e zëvendës presidentit dhe menaxherit të përgjithshëm të programit 737, sipas një shkrese të parë nga agjencia e lajmeve Reuters të dërguar personelit nga drejtori ekzekutiv Stan Deal, i cili thotë se kompania po punon për t’u siguruar që “çdo avion që prodhojmë të plotësojë dhe tejkalojë të gjitha kriteret e cilësisë dhe sigurisë. Klientët tanë kërkojnë dhe meritojnë asgjë më pak se kjo”.

Incidenti më i fundit ndodhi ndërsa kompania Boeing po përpiqej të rifitonte reputacionin e saj pas ndalimit të fluturimit për 20 muaj të avionëve 737 Max pas dy rrëzimeve fatale. Masa e ndalimit të fluturimit përfundoi në nëntor 2020. Nga rrëzimet e dy avionëve humbën jetën 346 persona.

Drejtues të linjave ajrore kanë shprehur zhgënjimin e tyre me kontrollin e cilësisë së kompanisë Boeing. Kompania tjetër kryesore në prodhimin e avionëve komercialë është kompania franceze Airbus./VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco