KE ngre grup ekspertësh për sekretet e Inteligjencës Artificiale dhe të ndihmojë shtetet

KE ngre grup ekspertësh për sekretet e Inteligjencës Artificiale dhe të ndihmojë shtetet

11:42, 06/02/2024
A+ Aa A-

Komisioni Evropian ka ngritur një grup ekspertësh për të ndihmuar 27 shtetet anëtare të BE-së për çështjet rreth zbatimit të Aktit të Inteligjencës Artificiale dhe për të siguruar zbatimin e harmonizuar të rregullave.

Grupi, i përbërë nga zyrtarë të autoriteteve e shteteve anëtare, duhet gjithashtu t'u përgjigjet pyetjeve të parashikuara nga vendet në lidhje me sigurinë e produktit, sekretet tregtare, të drejtën e autorit, identifikimin biometrik dhe zbatimin e ligjit, siç mësoi Euroneës nga dokumentet e takimit. Kjo vjen pasi rregullorja e Inteligjencës Artificiale u miratua në një takim të ambasadorëve të BE të premten e kaluar më 2 shkurt.

Për shembull, për sigurinë e produktit, ekspertët do të japin këshilla për zbatimin e rregullave në lidhje me Rregulloren e Pajisjeve Mjekësore, Rregulloren e Pajisjeve Diagnostike In Vitro si dhe rregullat e makinerive.

Gjermania shprehu mbështetje për grupin e punës, tregojnë procesverbalet. Përfaqësuesi i saj tha gjatë takimit se lidhja midis Aktit të Inteligjencës Artificiale dhe legjislacionit tjetër duhet të sqarohet dhe kishte pyetje specifike rreth zbatimit të ligjit dhe sistemeve të kontrollit kufitar.

Nga ana tjetër, Franca donte më shumë qartësi në lidhje me sekretet tregtare, ndërsa Hungaria kërkoi më shumë detaje në lidhje me zbatimin e ligjit.

Shtetet e BE ranë dakord për detajet teknike të Aktit të Inteligjencës Artificiale, përpjekja e parë në botë për të vendosur rregulla për teknologjinë sipas një qasjeje të bazuar në rrezik, pas një marrëveshjeje politike në dhjetor.

Ligji i ndan sistemet e Inteligjencës Artificiale në katër kategori kryesore sipas rrezikut të mundshëm që ato paraqesin për shoqërinë.

Gjatë procesit të negociatave, disa vende, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Italinë, ishin skeptikë në lidhje me rregullimin e të ashtuquajturave modele si ChatGPT.

Disa nga dispozitat që lënë hapësirë për interpretim, ose ato që kërkojnë përditësime më të shpeshta, do të kenë nevojë për të ashtuquajturat akte të deleguara, ose legjislacion dytësor, për t'u miratuar në bazë të Aktit.

Marrëveshja ka nevojë për një nënshkrim nga ligjvënësit e BE-së përpara se rregullat të hyjnë në fuqi; një votim plenar në Parlamentin Evropian pritet në prill.

Pas kësaj, akti pritet të hyjë në fuqi në fund të këtij viti dhe përfshin një periudhë zbatimi deri në 36 muaj. Kërkesat për modelet e Inteligjencës Artificiale do të fillojnë të zbatohen tashmë pas një viti dhe brenda gjashtë muajve, vendet e BE-së do të duhet të heqin gradualisht sistemet e ndaluara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco