Trump gjyqtarit: Sulmi juaj është që unë mos kandidoj, më keni heq të gjitha të drejtat, ky standard e ka kthyer ShBA në republikë bananesh

Trump gjyqtarit: Sulmi juaj është që unë mos kandidoj, më keni heq të gjitha të drejtat, ky standard e ka kthyer ShBA në republikë bananesh

14:17, 12/01/2024
A+ Aa A-

Trump më në fund e thotë fjalën e vet pasi gjyqtari i çështjes së mashtrimit i jep pesë minuta për të dhënë argumentin përmbyllës

Donald Trump e qortoi personalisht gjyqtarin që drejtonte gjyqin e tij të mashtrimit civil në Nju Jork prej 370 milionë dollarësh, pasi atij iu dhanë pesë minuta për të bërë një argument përmbyllës të papritur dhe spontan.

Ish-presidentit, 77 vjeç, i ishte ndaluar të fliste gjatë seancës gjyqësore të së enjtes, pasi ai nuk pranoi kufizimet që e pengonin atë të mbante një "fjalim fushate". Por atij iu dha një hapësirë në minutën e fundit pasi Chrisopher Kise, avokati i tij, i kërkoi gjykatësit Arthur Engoron ta rimendonte vendimin.

Gjyqtari, i cili është përplasur me zotin Trump gjatë gjithë gjyqit tremujor, i tha atij që t'i përmbahej fakteve të çështjes dhe ia kronometroi pesë minutat në telefonin e tij. Drama në sallën e gjyqit erdhi disa orë pasi Policia e Qarkut të Nassaut iu përgjigj një kërcënimi me bombë në shtëpinë e zotit Engoron.

Trump akuzon gjyqtarin se po përpiqet t'ia "fusë"

Trump e kishte akuzuar më herët z. Engoron se po përpiqej t'ia "fuste" duke refuzuar ta linte të fliste gjatë argumenteve përmbyllëse.

Duke përdorur momentet e tij të pakta në gjykatë, ish-presidenti përsëri pretendoi se ishte viktimë e një "gjuetie politike shtrigash" dhe "ndërhyrjesh politike".

"Kemi një situatë ku unë jam njeri i pafajshëm, jam persekutuar nga dikush që kandidon për post. Më duhet të dal jashtë kufijve [të çështjes]", tha zoti Trump nga vendi i tij në tryezën e mbrojtjes.

Ai akuzoi gjithashtu Letitia James-in, prokuroren e përgjithshme që ka ngritur çështjen, për "përdorimin" e tij në përpjekje për t'u rizgjedhur.

Kandidati republikan, i cili u kthye në Nju Jork pasi mbajti një tubim në Iowa, pohoi gjithashtu se statuti që po përdorej kundër tij ishte "i mbrapshtë".

"Nuk më jep juri, më heq të gjitha të drejtat. Unë nuk kam bërë mashtrim, kjo që po bëni ju është një mashtrim i juaji ndaj personit tim", tha zoti Trump.

"Ndërhyrje në zgjedhje"

Pa humbur asnjë sekondë, zoti Trump vazhdoi të pretendonte se rasti ishte "ndërhyrje në zgjedhje" dhe po bëhej nga një grua "e cila e urren Trump-in dhe nuk dëshiron që unë të zgjidhem".

Ai nuk mundi të rezistonte për të sulmuar zotin Engoron pasi ai ndërhyri për t'i thënë se i kishte mbetur edhe një minutë ish-presidentit.

"Ju keni axhendën tuaj, nuk mund të dëgjoni më shumë se një minutë?", ia ktheu Trump i zhgënjyer. "Ky ka qenë një persekutim."

Z. Engoron i kërkoi avokatit të zotit Trump, zotit Kise, të ndërhynte, duke thënë: "Zoti Kise, ju lutemi kontrolloni klientin tuaj".

Duke e mbyllur, Trump këmbënguli përsëri: "Unë nuk kam bërë asgjë të keqe, ata duhet të më paguajnë për atë që na është dashur të kalojmë".

Pas komenteve të tij, zoti Engoron i tha zotit Kise "kjo mund të ishte bërë ndryshe dhe do të kishit shumë më tepër kohë" nëse ata do të kishin arritur një marrëveshje paraprakisht.

Gjyqtari tani do të shqyrtojë se cilat, nëse ka, gjoba do t'i vendosë zotit Trump pasi vendosi më herët në gjyqin civil se ai dhe kompania e tij manipuluan me mashtrim vlerat e pronës. Ai pritet të nxjerrë një vendim në javët në vijim. Zonja James po kërkon një dënim prej 370 milionë dollarësh dhe një ndalim të përjetshëm të Trump-it nga industria e pasurive të paluajtshme të shtetit.

Zyra e Prokurores së Përgjithshme pohoi gjatë argumenteve të saj përmbyllëse se Trump "veproi me qëllim" për të fryrë me mashtrim pasuritë e tij.

"Ai i mori përgjegjësitë," tha avokati Andrew Amer. Trump "e dinte qartë se deklaratat po përdoreshin për të marrë hua" dhe ai "sigurisht ishte në dijeni", tha ai.

Siguria ka qenë problem gjatë gjithë gjyqit disamujor. Vitin e kaluar, funksionarja më e lartë e zotit Engoron u përball me kërcënime pasi Trump pretendoi se ajo ishte e njëanshme politikisht, duke bërë që gjyqtari të lëshonte një urdhër për ta ndaluar atë të përçmonte stafin e gjykatës.

Trump është gjobitur me një total prej 15,000 dollarësh për shkeljen e dyfishtë të urdhrit.

Pas paraqitjes së tij në gjykatë të enjten, zoti Trump mbajti një konferencë për shtyp në hollin e ndërtesës së tij në 40 Wall Street, gjatë së cilës ai akuzoi zonjën James se ishte "një diletante politike" me një "sindromë serioze të çrregullimit të Trump".

"Ne e fituam këtë çështje tashmë në Gjykatën e Apelit," tha zoti Trump, duke shtuar se zoti Engoron "ka qenë shumë, shumë i ngadaltë për ta pranuar atë opinion, sepse ky nuk është opinioni që ai dëshiron".

Ai tha se çështja ishte "ndërhyrje në zgjedhje" dhe një "komplot" për të rizgjedhur demokratin Joe Biden.

"Është sikur të jemi një vend i botës së tretë, një republikë bananesh," tha zoti Trump.

Ai shtoi se planifikonte të shkonte në "të gjitha" gjyqet e tij të ardhshme dhe këmbënguli se nuk kishte bërë asgjë të keqe.

Gjyqi është një nga çështjet e shumta penale dhe civile me të cilat përballet ish-presidenti ndërsa vazhdon fushatën e tij për t'u kthyer në Shtëpinë e Bardhë. Ai ka mohuar çdo keqbërje./ The Telegraph - Syri.net

 

 

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco