Lajmi i fundit

KUSH PAGUAN/ Profesionistët e lirë, sa do paguajnë tatim-fitim?

VOA/ Parandalimi i keqpërdorimit të inteligjencës artificiale në Shqipëri

VOA/ Parandalimi i keqpërdorimit të inteligjencës artificiale në Shqipëri

19:41, 11/01/2024
A+ Aa A-

Të thirrur nga komisioni “Drejtësi dhe Paqe” në takimin “Inteligjenca artificiale dhe paqja”, përfaqësuesit e komuniteteve fetare u shprehën të njëmendje mbi rëndësinë e zhvillimeve të shpejta teknologjike, por theksuan nevojën e vendosjes së rregullave me qëllim që të mos keqpërdoren nga individë, grupe kriminale, qeveri apo shtete, në dëm të paqes dhe njerëzimit.

“ Jo vetëm ne, por edhe Komisioni Europian, Bashkimi Europian, SHBA janë të shqetësuara dhe po përpiqemi të bindim të gjitha shtetet që të marrin masa dhe të vendosin ligje, të cilat e kufizojnë përdorimin, e kontrollojnë, që të mos bëhemi viktimë e asaj që ne e përdorim çdo ditë”.

Viti 2024 nisi në Shqipëri me angazhime të reja për përfshirjen e inteligjencës artificiale edhe në qeverisjen e vendit, siç është miratimi i projektligjit të prokurimeve publike përmes inteligjencës artificiale.

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, duke marrë shkak nga mesazhi i Papa Françeskut në ditën Botërore të Paqes mbi të ardhmen e inteligjencës artificiale mes arritjesh dhe rreziqeve, tha se është e nevojshme që të formulohen, miratohen dhe zbatohen kornizat legjislative që rregullojnë prodhimin e formave të inteligjencës artificiale, bazuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kërkimit të drejtësisë dhe paqes.

“Do të jetë e mundur vetëm nëse tregohemi të aftë për të vepruar në mënyrë të përgjegjshme dhe për të respektuar vlerat njerëzore themelore: gjithëpërfshirja, transparenca, siguria, vetësia, konfidencialiteti dhe besueshmëria”, tha ai

Ndërsa teologu Arben Halluni, nga komuniteti musliman, duke sjellë në vëmendje vatrat e luftës në disa vende të botës, u shpreh se zhvillimet teknologjike nuk duhet t’i shërbejnë këtyre luftërave, por paqes.

“Siç thotë Papa Françesku, në mesazhin që kemi në dorë, bota nuk ka nevojë që teknologjitë e reja të kontribuojnë në zhvillimin e padrejtë të tregut dhe tregëtisë së armëve duke nxitur çmendurinë e luftës. Duke vepruar kështu, jo vetëm inteligjenca, por edhe vetë zemra e njeriut do të rrezikojë të bëhet artificiale. Aplikacionet teknike më të avancuara nuk duhet të përdoren për zgjidhjen e dhunshme të konflikteve, por për të shtruar rrugët drejt paqes”, tha ai.

Gjatë periudhës së pandemisë, u shpreh At Nikolla Petani i komunitetit ortodoks, zhvillimet teknologjike ndihmuan në përcjelljen e mesazheve tona tek besimtarët, gjë që zhvillimet teknologjike mund ta bëjnë mjaft mirë edhe në të ardhmen nëse ato përdoren në dobi të njeriut.

Në takimin “Inteligjenca artificiale dhe paqja”, përfaqësuesit e komuniteteve fetare theksuan nevojën e bashkëpunimit për t’u përballur me sfidat e revolucionit digjital për t’i shërbyer një botë më solidare, më të drejtë dhe paqësore./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco