Luftime të ashpra mes Izraelit dhe Hamasit në veri dhe jug të Gazës

Luftime të ashpra mes Izraelit dhe Hamasit në veri dhe jug të Gazës

16:35, 07/12/2023
A+ Aa A-

Luftime intensive u ndezën të enjten në qytetet më të mëdha të Rripit të Gazës mes forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit, ndërsa civilët palestinezë përpiqeshin të gjenin strehim në hapësirat e pakta të sigurta të mbetura në dispozicion.

Luftimet u zhvilluan në qytetin e Gazës, në veri ku Izraeli u përqendrua në fillim të fushatës kundër Hamasit, si edhe në Khan Younis në Gazën jugore, ku është zgjeruar lufta së fundmi.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se forcat izraelite po i afrohen vendndodhjes së kreut të Hamasit në Gazë, Yahya Sinwar dhe se ‘është vetëm çështje kohe derisa ta gjejmë atë’.

Luftimet i kanë detyruar civilët të shkojnë gjithnjë e më në jug, kanë shkaktuar ndërprerjen e operacioneve humanitare të OKB-së dhe kanë nxitur paralajmërime të përsëritura për rëndimin e mëtejshëm të gjendjes.

Kombet e Bashkuara thanë se dhjetëra mijëra njerëz kanë mbërritur ditët e fundit në Rafah, pranë kufirit jugor. OKB-ja tha se për shkak të përshkallëzimit të dhunës më në veri, kjo zonë është e vetmja pjesë e Gazës nga ku ka hyrë një pjesë e kufizuar ndihmash humanitare këtë javë.

Banorët dhe gazetarët njoftuan për sulme të shumta ajrore izraelite në Rafah gjatë natës. Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi njoftoi për të paktën 37 të vdekur. Ushtria izraelite akuzoi të enjten militantët se kishin lëshuar raketa nga zonat pranë Rafahut.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së paralajmëron se një kolaps i përgjithshëm i sistemit humanitar në Gazë mund të ketë ‘pasoja të pakthyeshme për palestinezët në tërësi dhe për paqen dhe sigurinë në rajon’.

 ‘Në mes të bombardimeve të vazhdueshme nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit, dhe pa strehim ose artikuj thelbësorë për të mbijetuar, besoj se rendi publik shumë shpejt do të shkatërrohet plotësisht për shkak të kushteve të dëshpëruara, duke e bërë të pamundur edhe ndihmën e kufizuar humanitare’, tha zoti Guterres.

Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen kritikoi qendrimin e shefit të OKB-së, duke thënë se një thirrje e tij për armëpushim do të mbështeste Hamasin.

Zëdhënësi i qeverisë izraelite Eylon Levy u tha gazetarëve se Izraeli do që lufta të përfundojë, por vetëm ‘nëse realizohet qëllimin që Hamasi të mos mund të sulmojë më kurrë popullin tonë’.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë thotë se rreth 1.9 milionë vetë janë zhvendosur brenda Gazës, çka përbën gati 85% të popullsisë, dhe një milion prej tyre janë të regjistruar në strehimet e OKB-së në Gazën jugore.

Izraeli ka akuzuar Hamasin, të cilin Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë një grup terrorist, se ka depërtuar në spitale dhe zona të tjera civile dhe se ka inkurajuar civilët që të shpërfillin paralajmërimet izraelite për t'u evakuuar përpara sulmeve ajrore, duke i përdorur ata si mburoja njerëzore - një akuzë që Hamasi e ka mohuar.

Izraeli filloi fushatën ushtarake për të zhdukur Hamasin në Gazë pasi luftëtarët e këtij grupi ndërmorën sulmin ndaj Izraelit më 7 tetor, duke shkaktuar vdekjen e 1200 vetëve dhe duke marrë rreth 240 pengje.

Gjatë ofensivës së tij ushtarake, Izraeli ka vrarë të paktën 16,240 njerëz në Gazë, 70% e tyre gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco