Një ish-diplomat amerikan, i cili ka shërbyer si ambasador në Bolivi, është akuzuar se ka punuar si agjent i qeverisë kubane për më shumë se 40 vjet

Një ish-diplomat amerikan, i cili ka shërbyer si ambasador në Bolivi, është akuzuar se ka punuar si agjent i qeverisë kubane për më shumë se 40 vjet

19:03, 05/12/2023
A+ Aa A-

Ish-ambasadori amerikan Victor Manuel Rocha akuzohet se ka bërë spiunazh për Kubën

Një ish-diplomat amerikan, i cili ka shërbyer si ambasador në Bolivi, është akuzuar se ka punuar si agjent i qeverisë kubane për më shumë se 40 vjet.

Victor Manuel Rocha, 73 vjeç, akuzohet se ka ndihmuar Kubën të mbledhë informacione kundër SHBA-së që nga viti 1981.

Rocha i referohej SHBA-së si "armik" dhe pretendonte se puna e tij si agjent sekret "forcoi Revolucionin", sipas dokumenteve të gjykatës.

Nuk është ende e qartë nëse ai kishte një avokat për të komentuar në emër të tij.

Ish-diplomati u arrestua të premten e shkuar në Miami pas një operacioni të fshehtë që zgjati më shumë se një vit, sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë.

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland tha se çështja përbën "një nga infiltrimet më afatgjata" të qeverisë amerikane nga një agjent i huaj.

"Për më shumë se 40 vjet, Victor Manuel Rocha shërbeu si agjent i qeverisë kubane dhe kërkoi dhe mori pozicione brenda qeverisë së Shteteve të Bashkuara që do t'i siguronin atij akses në informacione jopublike dhe kapacitetet për të ndikuar në politikën e jashtme të SHBA," tha zoti Garland.

I lindur në Kolumbi, z. Rocha u rrit në New York City dhe u diplomua në Yale, Harvard dhe Georgetown.

Ai punoi si ambasador i SHBA-së në Bolivi nga viti 1999 deri në vitin 2002, sipas prokurorëve, dhe shërbeu në disa role qeveritare - si edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare - për 25 vjet. Përveç Bolivisë, ai ka shërbyer edhe në Argjentinë, Honduras, Meksikë dhe Republikën Dominikane.

SHBA dhe Kuba kanë pasur një marrëdhënie të tensionuar që kur Fidel Castro përmbysi një qeveri të mbështetur nga SHBA mbi 60 vjet më parë. SHBA vendosi një embargo tregtare kundër Kubës në vitet 1960.

Ish-presidenti Barack Obama dhe ish-presidenti kuban Raul Castro morën hapa për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2015, megjithëse ish-presidenti i SHBA-së Donald Trump më vonë anuloi shumë nga këto veprime.

Dokumentet e pavulosura të gjykatës të hënën pretendojnë se Rocha bëri disa udhëtime në Kubë, ku ndihmoi në avancimin e interesave të zyrtarëve kubanë nga viti 1981 e deri më sot.

Dokumentet japin pak detaje mbi informacionin që dyshohet se ndau z. Rocha, por përshkruan operacionin e fshehtë të FBI-së që çoi në arrestimin e tij.

Në nëntor 2022, një agjent i fshehtë i FBI-së kontaktoi z. Rocha përmes Whatsapp-it, duke u paraqitur si përfaqësues i shërbimeve kubane, duke i nisur një mesazh zanor nga "miku juaj nga Havana", shkruhet në dokumentet e akuzës.

Z. Rocha dyshohet se pranoi të takohej me agjentin disa herë, përfshirë një herë në një zonë restorantesh, sepse nuk kishte "asnjë mundësi që dikush të më shihte" atje, tha ai, sipas dokumenteve të gjykatës.

Gjatë tre takimeve me agjentin e fshehtë të FBI-së, Rocha filloi të zbulonte detaje rreth kohës së tij që kishte punuar si agjent sekret për qeverinë kubane, thuhet në dokumentin e akuzës.

"Unë e dija mirë si ta bëja dhe sigurisht që Dirección [agjencia e inteligjencës së Kubës] më shoqëroi ... ishte një proces i gjatë dhe aspak i lehtë," i tha Rocha agjentit të FBI-së.

Në mënyrë të përsëritur ai "përshkroi dhe lëvdoi aktivitetin e tij" duke punuar si agjent për shërbimet e inteligjencës kubane, thanë prokurorët.

Z. Rocha dyshohet se përdori termin "ne" për të përshkruar Kubën dhe veten e tij dhe tha se donte "të mbronte ... atë që kemi bërë".

Kur agjenti, duke u paraqitur si një spiun kuban, e pyeti "a je akoma me ne?" Z. Rocha u përgjigj se ishte "i zemëruar" që besnikëria e tij të vihej në dyshim.

“Është si të vë në dyshim burrërinë time”, tha ai.

Ai gjithashtu në një moment iu referua vetes si "përgjegjës" gjatë "rrëzimit të avionëve të vegjël". Sipas prokurorëve, kjo ishte një referencë për rrëzimin e dy avionëve të paarmatosur nga Kuba të grupit anti-Castro, me bazë në SHBA, Brothers to the Rescue.

Incidentet e vitit 1996, që ndodhën teksa ai ishte duke punuar në Havana, shkaktuan vdekjen e katër personave.

Ish-diplomati akuzohet gjithashtu për ofrimin e informacioneve të rreme dhe çorientuese për qeverinë amerikane dhe dhënien e deklaratave të rreme për të marrë dokumente udhëtimi, tha departamenti i drejtësisë.

Në një konferencë të hënën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller tha se departamenti do të punojë me agjencitë amerikane të spiunazhit për të kufizuar çdo dëm të shkaktuar nga shkelja e supozuar e sigurisë.

"Ne do të punojmë në ditët, javët, muajt e ardhshëm me partnerët tanë në komunitetin e shërbimeve të fshehta për të vlerësuar çdo implikim afatgjatë të sigurisë kombëtare për këtë çështje," u tha ai gazetarëve./BBC-Syri.net

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco