Putin do t'i vizitojë Emiratet dhe Arabinë Saudite, do të presë presidentin e Iranit

Putin do t'i vizitojë Emiratet dhe Arabinë Saudite, do të presë presidentin e Iranit

10:42, 05/12/2023
A+ Aa A-

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të bëjë një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Arabinë Saudite, të mërkurën, ka bërë të ditur një zëdhënës i Kremlinit.

Udhëheqësi rus, po ashtu, do të zhvillojë bisedime në Rusi, një ditë më vonë, me presidentin e Iranit, ka njoftuar zëdhënësi.

I pyetur nëse Putin do të diskutojë për veprime të mundshme të koordinuara ndaj tregjeve globale të naftës gjatë qëndrimit në vendet e Gjirit, zëdhënësi Dmitry Peskov ka thënë se bisedimet e tilla janë mbajtur në kuadër të grupit OPEC+, që përbëhet nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj, por se çështja është gjithmonë në agjendë.

Vizita e Putinit në Emirate dhe në Arabinë Saudite vjen pasi OPEC+ u pajtua të enjten e kaluar për zvogëlim vullnetar të furnizimeve për rreth 2.2 milionë fuçi në ditë, një lëvizje që u prit me skepticizëm nga tregu i naftës, raporton Reuters.

Planet për udhëtimin e Putinit në Arabinë Saudite, që është eksportuesja më e madhe e naftës në botë, dhe në Emirate u zbuluan fillimisht të hënën, nga agjencia e lajmeve SHOT, e cila citoi këshilltarin e Kremlinit për politikë të jashtme, Yury Ushakov, të ketë thënë se Putin do të shkojë fillimisht në Emirate, e më pas në Arabinë Saudite, ku do të zhvillojë bisedime kryesisht me princin Mohammed bin Salman.

Putin dhe princi, i njohur si MbS, kanë ndërtuar lidhje të ngushta. Ata ishin vendimtarë në arritjen e një marrëveshjeje për formimin e një grupi të prodhuesve kryesorë të naftës, tani i njohur si OPEC+, në fund të vitit 2016, për t’i mbështetur tregjet e energjisë, që janë kyç për të ardhurat buxhetore të të dyja vendeve.

Në Emirate, Dubai është bërë një qendër e rëndësishme tregtare për kompanitë ruse të naftës, përfshirë prodhuesin e tij të dytë më të madh, Lukoil, i cili ka zhvendosur një pjesë të operacioneve të tij atje, teksa sanksionet evropiane ndaj Moskës shtynë tregtarët drejt territoreve neutrale.

Putin ka udhëtuar rrallë jashtë vendit viteve të fundit, dhe kryesisht në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik. Udhëtimi i tij i fundit përtej këtyre vendeve ishte në Kinë, në tetor./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco