Lajmi i fundit

VIDEO+EMRI/ Ekzekutohet me 4 plumba shqiptari në Belgjikë

Britani, ndërtesat e kishave të mbyllura përdoren për qëllime jofetare

Britani, ndërtesat e kishave të mbyllura përdoren për qëllime jofetare

19:49, 02/12/2023
A+ Aa A-

Mbi dy mijë kisha janë mbyllur në Britani në dekadën e fundit. Ndërtesat në shumë raste janë shkatërruar, por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Umberto Aguiar nga Londra, disa prej tyre po përdoren për arsye të tjera jofetare.

Kisha e Shën Bartolomeut të Madh është një nga më të vjetrat në Londër dhe po feston 900 vjetorin e themelimit të saj.

Por, numri i kishave të tilla po pakësohet në Britani. Dy mijë kisha tashmë janë mbyllur gjatë dekadës së fundit.

Pavarësisht rimëkëmbjes që përjetuan pas pandemisë së Covid-19, pjesëmarrja në shërbesat e kishave mbetet në rënie në Britani. Sipas studimeve të fundit, një e katërta e kishave anglikane nuk organizojnë më shërbesa të përjavshme. Vetëm 6 për qind e britanikëve e identifikojnë veten si të krishterë, që praktikojnë besimin e tyre.

‘Ka shumë arsye për mbylljen e kishave. Një nga arsyet është rënia e besimit fetar, që ka përfshirë Evropën Perëndimore dhe tani, edhe Shtetet e Bashkuara’, thotë At Marcus Walker, rektor i Kishës së Shën Bartolomeut të Madh.

Shumë ndërtesa të kishave tani përdoren për arsye të tjera. Kjo kishë në distriktin financiar të Londrës është shndërruar në kopsht.

Në vjeshtë tani bien gjethet aty ku dikur ndodheshin dritaret me xhama shumëngjyrësh, me punime artistike dhe kulmi i një kishe. Kambanat e një kishe tani ndodhen në një qendër të prodhimit të verës në Kaliforni.

‘Është tragjedi kur një kishë nuk përdoret për qëllimin e saj kryesor të adhurimit të Zotit. Me këtë humbet edhe hapësira dhe kujtesa e përbashkët e një komuniteti’, thotë At Marcus Walker, rektor i Kishës së Shën Bartolomeut të Madh.

Në lagjen Mayfair në qendër të Londrës, një treg ushqimor ka zënë vendin e një kishe amerikane, ku amerikanët janë lutur gjatë luftës së dytë botërore dhe në atë kohë ndodhej afër ambasadës amerikane.

‘Shumë kisha po mbyllen. Ne duhet të gjejmë përdorim të ri për këto objekte fetare dhe këtë jemi munduar ta bëjmë këtu’, thotë Andrea Rasca, drejtor ekzekutiv i qendrës ‘Mercato Metropolitan’.

Zoti Rasca thotë se synimi i qendrës ‘Mercato Metropolitan’ është të ndihmojë refugjatët, gratë sipërmarrëse dhe njerëz nga gjithë bota, që vijnë në Londër për të ndarë kulturën e tyre.

‘Ne arritëm të bindim pronarin që ta shfrytëzojmë këtë hapësirë për kurset e përgatitjes së ushqimit, ato të muzikës për fëmijët dhe si një vend ku të moshuarit mund të kalojnë kohën’, thotë ai.

Ndonëse pjesëmarrja në shërbesat e disa kishave është në rënie në Britani, pjesëmarrja në shërbesat e kishave të tjera ka shënuar një rritje të lehtë. Kisha katolike Zonja Jonë e Fitoreve, e cila u shkatërrua gjatë luftës së dytë botërore dhe u rindërtua në vitin 1958, shpesh mbushet me besimtarë në meshat e të dielave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco