Verifikimi i fakteve të debatit të tretë republikan

Verifikimi i fakteve të debatit të tretë republikan

09:06, 10/11/2023
A+ Aa A-

Në debatin e tretë të primareve republikane të mërkurën, pesë kandidatë republikanë presidencialë bënë kritika të forta ndaj njëri-tjetrit, përveç Presidentit Biden dhe Donald Trump, në një përpjekje për t'u dalluar nga votuesit ndërsa garat e para të nominimit po afrohen.

Rivalët, të cilët janë shumë prapa Trump-it, i cili refuzoi sërish të merrte pjesë, i mbështetën kandidaturat e tyre në çështje që përfshijnë politikën e jashtme, abortin dhe ekonominë, duke folur shpesh për njëri-tjetrin ndërsa përpiqeshin të ngrinin veten dhe të ulnin njëri-tjetrin. Gjatë procesit, ata përdorën fakte që herë pas here ishin të vërteta, ndonjëherë çorientuese dhe herë pas here krejtësisht të rreme.

Më poshtë kemi një verifikim faktesh të disa prej deklaratave të tyre.

"Është joetike dhe imorale të lejosh abortet deri në ditën e lindjes. Kemi një mundësi në këtë komb ta ndalojmë këtë sjellje të dalldisur nga shtete si Kalifornia, Nju Jorku dhe Illinoi."

Tim Skot/ Senator i Karolinës së Jugut

Kjo është çorientuese

Shtet e përmendura nga Skoti nuk e lejojnë "abortin deri në ditën e lindjes", po ashtu as shumica e shteteve. Edhe shtetet me politikat më liberale për abortin nuk e lejojnë procedurën përtej kohës së përcaktuar, kur një fetus mund të mbijetojë jashtë mitrës, që është rreth javës së 24-t të shtatzënisë.

"Nëse shikoni kërcënimet me të cilat përballemi, terroristët kanë hyrë nga kufiri ynë jugor."

Ron DeSantis/ Guvernator i Floridës

Kjo nuk është e vërtetë 

Që në vitin 1975, askush nuk është vrarë apo plagosur në një sulm terrorist në SHBA që ka përfshirë dikë që ka kaluar kufirin ilegalisht, sipas Aleks Naurastehut, nënkryetarit për studime ekonomike dhe sociale në Institutin Cato, një grup ekspertësh ultraliberalë.

"Do të dërgojmë operacione speciale për të asgjësuar kartelet."

Niki Heili/ Ish-guvernatore e Karolinës së Jugut

Kjo është çorientuese

Heili tha që do të dërgonte forca të operacioneve speciale amerikane në Meksikë. Me përjashtim të pranimit nga qeveria meksikane për një ndërhyrje të tillë, dërgimi i çdo force ushtarake do të kërkonte një autorizim nga kongresi për forcë ushtarake ose një deklaratë lufte.

"Kufizimet e përdorimit të tokës po pengojnë strehimin. Kjo po e bën strehimin më të kushtueshëm për amerikanët e zakonshëm në të gjithë vendin."

Vivek Ramauami

Kjo është e vërtetë

Shumë hulumtime ekonomike kanë treguar se urdhëresat lokale të zonimit rrisin çmimet e banesave duke kufizuar strehimin. Këto ligje lokale janë jashtë fushëveprimit të qeverisë federale, ndonëse disa ligjvënës federalë, si edhe presidenti Biden, janë përpjekur të ndikojnë te lokalitetet për të ulur kufizimet.

"Ne kishim një grup, Studentët për Drejtësi për Palestinën. Ata thanë se janë kauzë e përbashkët me Hamasin. Ata thanë, 'Nuk jemi vetëm në solidaritet, ja çfarë jemi.'"

Ron DeSantis/ Guvernator i Floridës

Kjo është çorientuese.

Grupi Studentët për Drejtësi për Palestinën ka organizim të lirshëm dhe shpesh bashkohet me organizata të tjera me prirje të majta, duke përfshirë edhe disa grupe hebreje të krahut të majtë që janë kritikë të Izraelit. Por kritikët e grupit nuk kanë treguar shumë prova për lidhje direkte mes grupit të kampusit dhe entiteteve të huaja të paligjshme./Perg. Syri.net/

https://www.instagram.com/p/Czb158aO3x6/?igshid=Y2NkYjk0MDhjYg%3D%3D&img_index=6 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco