Zelensky: Ukraina pret “konkluzion historik” për anëtarësim në BE

Zelensky: Ukraina pret “konkluzion historik” për anëtarësim në BE

09:06, 08/11/2023
A+ Aa A-

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Kievi është tashmë duke i planifikuar hapat që do t’i ndërmarrë pasi Komisioni Evropian (KE) ta publikojë më 8 nëntor një raport për përparimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). “Nesër është një ditë e rëndësishme”, tha Zelensky mbrëmjen e 7 nëntorit. “Ne presim një konkluzion historik nga Bashkimi Evropian – një raport rreth zbatimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian nga ana e Ukrainës”, shtoi ai.

Zelensky tha se Ukraina e ka bërë një rrugë të gjatë drejt ndërtimit të marrëdhënieve të forta me BE-në dhe se është plotësisht e vetëdijshme se vendimi për anëtarësimin e saj është politik, i cili varet edhe nga kandidati dhe puna e tij për t’u përshtatur me standardet dhe normat e BE-së. “Ukraina do t’i bashkohet BE-së. Dhe, ne do ta arrijmë këtë falë ndryshimit të brendshëm të shtetit tonë, i cili është plotësisht në përputhje me interesat e popullit tonë”, theksoi ai.

Raporti i KE-së do të vlerësojë në hollësi se sa shumë i ka përmbushur Ukraina kriteret ekonomike, ligjore dhe të tjera, të cilat janë të nevojshme për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Njëzet e shtatë vendet anëtare pritet të mblidhen në një samit në dhjetor për të vendosur se a ta lejojnë apo jo Kievin t’i nisë bisedimet për anëtarësim. Vendimi duhet ta ketë mbështetjen unanime të të gjithë anëtarëve të bllokut. Ukraina aplikoi për t’iu bashkuar BE-së pasi Rusia e nisi pushtimin e saj të plotë në shkurt 2022. Këshilli Evropian ua dha statusin e vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë në qershor të atij viti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco