Fjalimi i dobët i Hezbollahut tregon kush drejton vërtet

Fjalimi i dobët i Hezbollahut tregon kush drejton vërtet

11:16, 04/11/2023
A+ Aa A-

Hassan Nasrallah u bën qejfin shefave iranianë pasi mban të hapura opsionet me fjalët "nuk ka lidhje me mua" në fjalimin e tij.

Në Lindjen e Mesme, njerëzit u ndalën për të dëgjuar deklaratën e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah në orën 15:00 të së premtes. A do të hapte ai një front të dytë në konfliktin Izrael-Hamas, duke e futur rajonin në një konflikt shumë më të gjerë që mund të ndezë një luftë të re botërore?

Në Jerusalemin Lindor, rrugët ranë në qetësi gjatë fjalimit të gjatë, ku dëgjoheshin vetëm tonet ritmike të zërit të Nasrallahut që dilnin nga mijëra telefona celularë dhe radio. Në fund, siç vuri në dukje një përdorues i rrjeteve sociale, ishte një "fjalim bosh". Recepsionistja palestineze në hotelin tim lëshoi një psherëtimë të thellë lehtësimi bashkë me shumë të tjerë në rajon. Është shumë e tmerrshme që nga fjala e një personi të varen kaq shumë gjëra.

Nasrallahu e nisi duke distancuar veten, Hezbollahun dhe mbi të gjitha pagatorin e tij, Iranin, nga masakra e 7 tetorit.

Ishte “100 % vepër e palestinezëve”, tha ai, dhe ishte planifikuar në “fshehtësi të madhe”. "Ky operacion i madh në shkallë të gjerë ishte thjesht rezultat i planifikimit dhe implementimit palestinez".

Me pak fjalë, "Nuk kishte fare lidhje me mua, or mik", dukej se po thoshte.

Ai ishte i vetëdijshëm se rruga arabe ishte e varur në çdo fjalë të tij; Një pozicion i vështirë për dikë që, në të njëjtën kohë, dëshiron të shihet si flamurtar i kauzës palestineze, duke shmangur shkatërrimin që Hamasi i ka shkaktuar vetes në Gaza.

Ai e shmangu duke pretenduar se ai dhe luftëtarët e tij të Hezbollahut ishin përfshirë në luftë që nga dita e dytë. “Disa pretendojnë se Hezbollahu do t'i bashkohet betejës. Po ju them që ne jemi futur në këtë betejë që nga 8 tetori”, tha ai.

Është e vërtetë që kanë ndodhur përplasje në Libanin jugor midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga 8 tetori, por të dyja palët deri më tani kanë qenë të kujdesshme që të mos i përshkallëzojnë gjërat në luftë të përgjithshme. Nasrallahu dukej më i shqetësuar për ndalimin e një sulmi parandalues kundër Hezbollahut në Liban, diçka për të cilën ushtria izraelite ka folur hapur pasi të përfundojë lufta në Gaza.

"U them izraelitëve, nëse po mendoni të kryeni një sulm parandalues kundër Libanit, do të jetë gabimi më idiot që bëni në gjithë ekzistencën tuaj," tha ai. Nasrallahu përdori një shprehi tjetër të zgjuar për të shfajësuar veten nga përfshirja e mëtejshme, që kolegët e tij në të ashtuquajturin "bosht të rezistencës" të Iranit të mos ndiheshin të zhgënjyer. "Ai tha se ishte një luftë që Izraeli nuk mund ta fitojë, diçka që sinjalizon se ndërhyrja e Hezbollahut nuk është e nevojshme," tha Sima Shine, një specialiste për Iranin dhe ish-oficere në shërbimet sekrete të Mossad-it.

Disa të tjerë në Institutin e Studimeve për Sigurinë Kombëtare të Izraelit, ku zonja Shine punon aktualisht, vunë në dukje se kjo do të thoshte gjithashtu se Nasrallahu në një farë mase, "po i linte opsionet e tij të hapura".

“Hezbollahu është opsioni i tyre bërthamor”

Në përgjithësi, fjalimi dukej se konfirmonte mendimin konvencional të shërbimeve sekrete në rajon për sa i përket Hezbollahut dhe Iranit. Kjo do të thotë se Irani nuk do të humbasë asetin e tij më të madh dhe më të fuqishëm në rajon, që të mos mbetet pa leva gjeopolitike dhe një zbythës ushtarak kundër Izraelit. “Irani ka shumë përfaqësues në rajon, por Hezbollahu është opsioni i tyre bërthamor”, siç shprehet zonja Shine. Megjithatë, jo të gjithë do të marrin frymë të lehtësuar. Nasrallahu tha se sulmet kundër aseteve të SHBA-së në Siri dhe gjetkë në rajon do të vazhdojnë. Kjo, tha zonja Shine, ishte një mënyrë indirekte për të ushtruar presion ndaj Izraelit për një armëpushim, diçka që mund t'i mundësonte Hamasit të mbijetonte si një përfaqësues iranian në Gaza.

Por Izraeli dukej se e kishte parashikuar këtë. Vetëm pak çaste pasi Nasrallahu përfundoi fjalimin e tij, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli nuk do të pajtohej me një "armëpushim të përkohshëm" pa lirimin e të gjithë pengjeve që mbaheshin nga grupi. Ai bëri një paralajmërim për Hezbollahun, duke u thënë "armiqve të Izraelit në veri" që të mos bëjnë gabimin e përshkallëzimit të luftës. "S'e imagjinoni dot sa do t'ju kushtojë kjo," tha zoti Netanyahu.

Kur sheh Gazën sot, do të ishe i trashë të mos u besoje fjalëve të tij, dhe Nasrallahu nuk është i trashë. /The Telegraph- përktheu Syri.net 

 

 

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco