Ankthi rritet për tranzicionin e gjelbër të Gjermanisë

Ankthi rritet për tranzicionin e gjelbër të Gjermanisë

14:45, 30/10/2023
A+ Aa A-

Kur Robert Habeck, bashkudhëheqësi i Partisë së Gjelbër dhe ministri i Ekonomisë në koalicionin qeverisës të Gjermanisë, paraqiti një projektligj pranverën e kaluar, ku kërkohej zëvendësimi i kaldajave të gazit dhe naftës me pompa më të pastra të nxehtësisë, ai mori kritika të ashpra. Gazetat u ankuan se “çekiçi i tij i nxehtësisë” do të shtynte me miliona njerëz në borxhe. Tërbimi kundër “fashizmit të gjelbër” rriti popullaritetin e partisë së djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD). Ministri e kaloi pjesën më të madhe të verës, duke bërë ndryshime në projektligj. Durimi i tij dha rezultat. Në fillim të shtatorit, Bundestag-u e miratoi projektligjin me një rezultat prej 397 votash pro dhe 275 kundër, shkruan The Economist.

Sidoqoftë, ligji i ri mund të jetë një shenjë e gjërave që do të vijnë. Stuhia e pranverës nxori në pah sa i ulët ishte entuziazmi në vend për nismat mjedisore dhe sa shpejt ai mund të fundosej kur kërcënoheshin paratë e njerëzve. Lëshimi nga ana e zotit Habeck, tregoi gjithashtu se, pavarësisht gjithë përparimit me Energiewende në Gjermani, përpjekja kombëtare prej dy dekadash për të kaluar tërësisht në energjinë e pastër mbetet mjaft e vështirë. Në të vërtetë, me normat e tanishme duket se ka gjithnjë e më pak gjasa që Gjermania të arrijë synimin për eliminimin e emetimeve të karbonit deri në vitin 2045.

Ngrohja e shtëpive është vetëm një pjesë e vogël e sfidës, por e ilustron mirë gjendjen e përgjithshme. Rreth 80% e ndërtesave në Gjermani, ngrohen duke përdorur lëndë djegëse fosile, duke kontribuar në rreth 15% të prodhimit të përgjithshëm të gazit CO2. Projektligji, i cili do të detyronte përdorimin e pompave elektrike të nxehtësisë, duke filluar nga viti i ardhshëm, synonte ta përgjysmonte këtë sasi deri në vitin 2030. Pasi ligji i ri zgjati afatin dhe vendosi përjashtime më të mëdha, vlerësohet se do të arrihet ndoshta vetëm 75% e synimit fillestar, thotë ministria e zotit Habeck. Madje edhe kjo tingëllon optimiste. Grupet tregtare kanë paralajmëruar se ka pak montues të aftë të pompave të tilla. Ndërtesat e vjetra do të kenë nevojë për përmirësime të kushtueshme në izolim. Dhe procedurat e ndërlikuara të dhënies së subvencioneve shtetërore për pompat, të cilat mund të kushtojnë mbi 20,000 € (21,000 dollarë), mund të ngadalësojnë procesin.

Ka edhe një problem tjetër. Pavarësisht se janë efikase, pompat e nxehtësisë marrin energji elektrike që në Gjermani ende mundësohet kryesisht nga hidrokarburet. Është e vërtetë se në ditë me kushte të volitshme moti, energjia diellore dhe e erës së bashku, tani prodhojnë më shumë se gjysmën e furnizimit me energji. Por ndërsa kërkesa pritet të rritet me 20% deri në vitin 2030, e nxitur nga miliona makina të reja elektrike dhe tani pompat e nxehtësisë, rritja e kapacitetit të burimeve të ripërtëritshme, duhet të përshpejtohet ndjeshëm. Po ashtu duhet të rritet edhe investimi në rrjetin e shpërndarjes tashmë të tendosur, i cili duhet të përballojë gjithnjë e më shumë kushtet kapriçioze të motit, në vend të prurjeve termike të qëndrueshme.

Shumë ekspertë thonë se do të rritet edhe investimi në termocentrale të vjetra me efekt ndotës. Një raport i kohëve të fundit nga Deutsche Bank mbi pengesat ndaj rritjes ekonomike gjermane, shprehet shumë qartë: “Problemi themelor është se nuk ka teknologji me kosto efektive të ruajtjes së energjisë elektrike në një shkallë të madhe industriale… Prandaj Gjermania do të vazhdojë të mbështetet në energjinë tradicionale si rezervë”. Kjo do të thotë jo vetëm më tepër gaz dhe qymyr, por edhe linjit shumë më ndotës: në vitin 2022, duke u përpjekur të plotësonte mungesat e shkaktuara nga ndërprerja e furnizimit me gaz rus, Gjermania vuri sërish në punë pesë termocentrale qymyri, me efekt të lartë ndotës.

Hans-Werner Sinn, ekonomist në Mynih, e përshkruan qartë gjendjen. Rënia prej 40% që nga viti 1990 në sasinë e gazit CO2 që lëshon Gjermania, u arrit duke këputur “fruta të ulëta”, si braktisja e industrive të prapambetura ndotëse në ish-Gjermaninë Lindore, që gjithsesi ishin duke u shuar. Për sa i përket përbërjes së tanishme të burimeve energjetike të Gjermanisë, duke përfshirë karburantin e përdorur për transport dhe ngrohje, si dhe prodhimin e energjisë elektrike, pjesa e burimeve të ripërtëritshme, mbetet ende nën nivelin 20%. Dhe duke pasur parasysh se Gjermania e braktisi energjinë bërthamore në fillim të këtij viti, zoti Sinn mendon se shndërrimi i pjesës së mbetur në burime ekologjike do të nënkuptonte se rreth 2% e sipërfaqes territoriale të vendit (aq sa i gjithë rrjeti i transportit), duhet mbuluar me ferma me erë dhe diellore. Ndoshta Gjermania duhej të kishte investuar më shumë në energji bërthamore./Monitor 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco