Gruaja izraelite e liruar nga Hamasi: E përjetova ferrin

Gruaja izraelite e liruar nga Hamasi: E përjetova ferrin

13:39, 24/10/2023
A+ Aa A-

Gruaja izraelite Yocheved Lifshitz, e cila u lirua të martën nga grupi militant palestinez, Hamas, tha se militantët e rrahën me shkopinj, duke ia mavijosur trupin dhe vështirësuar frymëmarrjen, gjatë rrëmbimit të saj kur i sulmuan qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor.

Ata e dërguan atë në Rripin e Gazës me motoçikletë dhe pastaj e detyruan të ecte disa kilometra në tokë të lagur për të arritur në tunelet të cilat, sipas saj, u dukën sikur rrjeta merimange.

Yocheved Lifshitz, 85 vjeçe, tha në Tel Aviv një ditë pasi u lirua se ‘ata më rrahën mua gjatë rrugës, nuk m’i thyen brinjët, por kisha shumë dhimbje’.

Megjithatë, ajo theksoi se ‘ata na trajtuan mirë’, duke shpjeguar se një mjek e kishte vizituar atë dhe pengjet e tjera dy apo tri herë në ditë dhe se u kishte sjell ilaçe.

Ajo tregoi se njerëzit të cilët ishin caktuar për t’i ruajtur pengjet ‘na thanë se besojnë në Kuran dhe se nuk do të na lëndonin’.

Lifshitz ishte banore e Nir Oz, njërës prej komuniteteve izraelite pranë Rripit të Gazës, të cilin militantët e Hamasit e sulmuan më 7 tetor.

Bashkëshorti i saj, në të 80-at e tij po ashtu, është në mesin e më shumë se 200 pengjeve që po mbahen ende nga Hamasi në Gazë.

 ‘Ata na trajtuan me butësi, dhe na i plotësuan të gjitha nevojat’, tha ajo, kur u pyet pse ia zgjati dorën njërit prej militantëve në momentin kur u lirua.

Lifshitz i përshkroi pengmarrësit si ‘shumë miqësorë’ dhe si njerëz ‘shumë të sjellshëm’ të cilët ishin organizuar mirë dhe me kohë për marrjen e pengjeve.

‘Ata u dukën të gatshëm për këtë, ata u përgatitën për një kohë të gjatë, ata kishin gjithçka që burrat dhe gratë kishin nevojë, përfshirë shampon’, tha ajo para gazetarëve.

‘Ne e hëngrëm ushqimin e njëjtë sikur ata – bukë me krem djathi, djathtë të shkrirë, tranguj. Ky ishte ushqimi për gjithë ditën’, tregoi Lifshitz.

Ajo u lirua bashkë me një izraelite tjetër nga Nir Oz, Nurit Cooper, 79 vjeçe, tri ditë pasi një grua amerikane me të bijën u liruan.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco