Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq: Hamasi ka liruar dy pengje

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq: Hamasi ka liruar dy pengje

22:58, 23/10/2023
A+ Aa A-
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha të hënën se militantët e Hamasit kanë liruar dy gra që po i mbanin peng në Rripin e Gazës. Kjo është hera e dytë që grupi militant palestinez liron pengjet e kapura në sulmin e përgjakshëm të 7 tetorit në Izrael.

Sipas mediave izraelite, pengjet e liruara janë Yocheved Lifshitz dhe Nurit Cooper nga vendbanimi izraelit Nir Oz. Një zyrtar amerikan tha të hënën se Uashingtoni e ka këshilluar Izraelin të shtyjë një operacion të mundshëm tokësor në Rripin e Gazës për t’i dhënë më shumë kohë përpjekjeve për siguruar lirimin e më shumë pengjeve.

Hamasi tha përmes një deklarate se i kishte liruar ata për arsye humanitare. Hamasi dhe militantët e tjerë palestinezë në Rripin e Gazës besohet se kanë rrëmbyer rreth 220 persona, duke përfshirë një numër të pakonfirmuar të huajsh dhe persona me shtetësi të dyfishtë. Hamasi liroi një grua amerikane dhe vajzën e saj adoleshente javën e kaluar.

Izraeli pritet gjerësisht të nisë një ofensivë tokësore në Rripin e Gazës, duke u zotuar të shkatërrojë Hamasin pas sulmit brutal të 7 tetorit në komunitetet jugore izraelite. Kjo ka shtuar frikën e përhapjes së luftës përtej Rripit të Gazës dhe Izraelit, pasi luftëtarët e mbështetur nga Irani në rajon po paralajmërojnë për përshkallëzim të mundshëm, duke përfshirë vënien në shënjestër të forcave amerikane të dislokuara në Lindjen e Mesme.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Hezbollahun në Liban të mbështetur nga Irani dhe grupet e tjera që të mos përfshihen në luftën mes Izraelit dhe Hamasit. Në ditët e fundit, Izraeli u është përgjigjur në shumë raste sulmeve nga Hezbollahu dhe avionët luftarakë izraelitë kanë goditur objektiva në Bregun Perëndimor, Siri dhe Liban.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se ka patur një rritje të sulmeve me raketa dhe dron nga grupet e mbështetura nga Irani ndaj trupave amerikane në Irak dhe Siri dhe se Shtetet e Bashkuara janë "thellësisht të shqetësuara për mundësinë e ndonjë përshkallëzimi të madh" në ditët në vijim.

Ai tha se zyrtarët amerikanë po zhvillonin "biseda aktive" me homologët izraelitë rreth pasojave të mundshme të një aksioni ushtarak të gjerë.

Sipas një zyrtari amerikan, Shtetet e Bashkuara u kanë thënë zyrtarëve izraelitë se shtyrja e një ofensive tokësore në Rripin e Gazës do t'i jepte Uashingtonit më shumë kohë për të punuar me ndërmjetësit rajonalë për të siguruar lirimin e më shumë pengjeve që po mbahen nga Hamasi.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant u tha trupave pranë Rripit të Gazës që të vazhdojnë të përgatiten për një ofensivë "sepse ajo do të vijë". Ai tha se do të jetë një ofensivë me sulme të kombinuara nga ajri, toka dhe deti, por nuk dha një afat kohor.

Zyrtarët palestinezë dhe dëshmitarët thonë se sulmet ajrore të Izraelit në të gjithë Rripin e Gazës tashmë kanë shkatërruar një numër të madh ndërtesash dhe kanë shkaktuar vrasjen e qindra njerëzve atje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco