VOA/ Sulme të reja ajrore izraelite në Gaza dhe Liban, ja cilat ishin objektivat

VOA/ Sulme të reja ajrore izraelite në Gaza dhe Liban, ja cilat ishin objektivat

18:36, 23/10/2023
A+ Aa A-

Ushtria izraelite kreu sulme ajrore të hënën në Rripin e Gazës, ndërsa ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian po takohen në Luksemburg për të diskutuar thirrjet për një armëpushim humanitar.

Avionët izraelitë goditën gjithashtu objektiva të shumta të Hezbollahut në Liban, duke përfshirë celulat, që ushtria tha se po përgatiteshin të lëshonin raketa drejt Izraelit.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, u tha gazetarëve se beson që nevojitet një pushim humanitar, për të lejuar arritjen e ndihmave tek njerëzit në Gaza.

Komentet e tij u bënë një ditë pasi një autokolonë e dytë me ndihma u lejua të kalonte në vendkalimin kufitar Rafah në Gaza.

"Ditën e parë, 20 kamionë u lejuan të hynin”, tha zoti Borrell. “Dje ishin rreth 20 të tjerë. Por në kohë normale, në kohë normale pa luftë, 100 kamionë hyjnë në Gaza çdo ditë. Pra, është e qartë se 20 nuk mjaftojnë”, tha ai.

Izraeli ka kryer për më shumë se dy javë goditje në Gaza në përgjigje të sulmit të 7 tetorit nga militantët e Hamasit që vranë 1400 njerëz.

Kombet e Bashkuara thonë se rreth 1.4 milionë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe se ka mungesë kritike të ujit, ushqimit, karburantit dhe ilaçeve në Gaza.

Zoti orrell tha gjithashtu se përpjekjet drejt shtensionimit duhet të përfshijnë ndalimin e sulmeve me raketa të Hamasit nga Gaza dhe lirimin e pengjeve që po mbahen nga grupi militant.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha të dielën se numri i të vdekurve në Gaza kishte arritur në të paktën 4,651 persona, me 14,254 të tjerë të plagosur.

Zyrtarët izraelitë janë zotuar të vazhdojnë operacionet derisa Hamasi të mos ketë më aftësi për të sulmuar.

Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë, diskutuan të dielën për luftën Izrael-Hamas gjatë një bisede telefonike të organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden.

Në një deklaratë të përbashkët, ata theksuan mbështetjen e tyre për Izraelin dhe të drejtën e tij për t’u mbrojtur, por gjithashtu i kërkuan atij t'i përmbahet ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të mbrojë civilët. Ata mirëpritën lirimin e dy pengjeve dhe bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve të tjerë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken, thanë të dielën se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për mundësinë e zgjerimit të luftës në Lindjen e Mesme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco