Para presidencialeve në Tajvan, autoritetet kineze hetojnë furnizuesin e Apple iPhone, Foxconn

Para presidencialeve në Tajvan, autoritetet kineze hetojnë furnizuesin e Apple iPhone, Foxconn

14:44, 23/10/2023
A+ Aa A-

Hetimi për prodhuesin tajvanez të iPhone vjen më pak se tre muaj përpara zgjedhjeve presidenciale në Tajvan dhe kur Foxconn kërkon të zgjerojë prodhimin jashtë Kinës.

Gjigandi i elektronikës Foxconn, i njohur në mbarë botën për prodhimin e iPhone të Apple, po përballet me hetime në Kinë me dyshimin për shkeljen e rregulloreve tatimore. Kështu raportuan mediat shtetërore të dielën.

Zyrtarët e taksave bastisën zyrat e kompanisë tajvaneze në provincat kineze Guangdong dhe Jiangsu, sipas Global Times, një tabloid i përditshëm nën kujdesin e gazetës kryesore të Partisë Komuniste Kineze.

Ministria e Burimeve Natyrore inspektoi gjithashtu zyrat në provincat Henan dhe Hubei, ku kompania ka fabrika të mëdha.

Sipas Reuters, dy burime pranë Foxconn thanë se disa firma ishin audituar nga autoritetet kineze muajt e fundit, por vetëm hetimi i prodhuesit të elektronikës u bë publik për arsye politike.

Burimet theksuan se auditimet vijnë më pak se tre muaj përpara zgjedhjeve presidenciale në Tajvan dhe në mes të përpjekjeve të Foxconn për të zgjeruar prodhimin jashtë Kinës.

Themeluesi i kompanisë, Terry Gou, njoftoi në gusht se do të kandidonte për të qenë president i Tajvanit. Më pas ai dha dorëheqjen nga vendi i tij në bordin e Foxconn.

Gou shihet si një kandidat miqësor ndaj Kinës, politika e të cilit kryesisht përputhet me partinë aktuale opozitare të ishullit, Kuomingtang, e cila kundërshton fuqishëm pavarësinë e Tajvanit.

Megjithatë, duke cituar ekspertë të paidentifikuar, Global Times tha se "akti i Gou për të kandiduar për zgjedhje ka të ngjarë të ndajë më tej kampin e opozitës së ishullit, i cili në fund do të favorizojë kandidatin separatist të Partisë Demokratike Progresive në pushtet, Lai Ching-te".

Foxconn tha në një deklaratë të dielën në mbrëmje se do të "bashkëpunojë në mënyrë aktive me njësitë përkatëse për punën dhe operacionet përkatëse".

Kompania kryen shumicën dërrmuese të prodhimit të saj në Kinë, duke punësuar qindra mijëra njerëz.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco