MTV anulon ‘Europe Music Awards’ prej luftës Izrael - Hamas

MTV anulon ‘Europe Music Awards’ prej luftës Izrael - Hamas

11:43, 20/10/2023
A+ Aa A-

Aktiviteti, i planifikuar të mbahej muajin e ardhshëm, është anuluar pasi Franca është në nivelin më të lartë të alarmit të sigurisë dhe lufta Izrael-Hamas vazhdon.

MTV Europe Music Awards (EMAs) ka anuluar ceremoninë e planifikuar për muajin e ardhshëm, duke përmendur luftën Izrael-Hamas. Ngjarja ishte planifikuar për në Paris më 5 nëntor me përfaqësim të “Thirty Seconds To Mars”, Jung Kook të BTS dhe Renée Rapp ndër interpretuesit.

“MTV EMA është një festë e përvitshme e muzikës botërore. Ndërsa shikojmë ngjarjet shkatërruese në Izrael dhe Gaza që vazhdojnë të shpalosen, ky nuk duket si një moment për një festë globale. Me mijëra jetë të humbur tashmë, ky është një moment zie”, tha një zëdhënës i kompanisë në një deklaratë, sipas Euronews.

Përshkallëzimi më i rëndë i konfliktit në dekada shpërtheu më 7 tetor, kur Hamasi nisi një sulm të paprecedentë ndaj Izraelit duke vrarë 1400 persona dhe duke marrë më shumë se 200 pengje. Të paktën 3,700 njerëz janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi sulmet ajrore hakmarrëse, sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë.

Deklarata gjithashtu tha se vendimi ishte marrë duke pasur parasysh "mijëra punonjës, anëtarë të ekipit, artistë, fansa dhe partnerë që udhëtojnë nga të gjithë cepat e botës për të vënë në jetë shfaqjen".

MTV tha se Europe Music Awards do të rikthehet në skenë në nëntor të vitit 2024.

SZA, Olivia Rodrigo, Doja Cat, Miley Cyrus, Nicki Minaj dhe Taylor Sëift ishin nominuar për artisten më të mirë.

Ceremonia zhvillohet në një vend të ndryshëm çdo vit dhe u mbajt vitin e kaluar në Dusseldorf të Gjermanisë, e organizuar nga regjisori fitues i çmimit Oscar, Taika Ëaititi dhe këngëtarja Rita Ora.

Taylor Swift ishte fituesja e madhe në Europe Music Awards të vitit të kaluar, duke mbledhur katër trofe, përfshirë artistin më të mirë, videon më të mirë dhe videon më të mirë në formë të gjatë.

Swift ishte sërish kandidatja kryesore e këtij viti me shtatë, e ndjekur nga Olivia Rodrigo dhe SZA, të renditura në vendin e dytë me gjashtë pjesë.

Franca është në nivelin më të lartë të alarmit të sigurisë pasi një mësues shkolle u vra dhe tre persona të tjerë u plagosën në një sulm me thikë në qytetin verilindor të Arras më 13 tetor.

Të mërkurën (18 tetor), tetë aeroporte franceze u përballën me alarme sigurie dhe disa u evakuuan për kontrolle, tha Autoriteti Francez i Aviacionit Civil.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco