Egjipti nuk e pranon zhvendosjen e palestinezëve në Gadishullin e Sinait

Egjipti nuk e pranon zhvendosjen e palestinezëve në Gadishullin e Sinait

07:18, 19/10/2023
A+ Aa A-

Presidenti Abdel Fattah al-Sisi tha të mërkurën se Egjipti do të refuzojë zhvendosjen e detyruar të palestinezëve në Sinai, duke shtuar se çdo lëvizje e tillë do ta kthente gadishullin egjiptian në një bazë për sulme kundër Izraelit.

Rripi i Gazës është nën kontrollin e Izraelit dhe palestinezët mund të zhvendosen në shkretëtirën izraelite të Negevit “derisa të pëfundojë aksioni kundër militantëve”, tha zoti Sisi gjatë një konference shtypi me Kancelarin gjerman Olaf Scholz në Kajro, njofton Zëri i Amerikës.

Kufiri midis Gadishullit Sinai të Egjiptit dhe Rripit të Gazës është rruga e vetme e kalimit nga territori palestinez që nuk kontrollohet nga Izraeli.

Forcat izraelite kanë rrethuar Gazën ndërsa po zhvillojnë një fushatë bombardimesh ndaj enklavës së kontrolluar nga Hamasi, pasi militantët vranë rreth 1400 izraelitë mbi një javë më parë gjatë një sulmi të befasishëm.

Objektivi i Izraelit për të shkatërruar Hamasin ka shtuar frikën se rreth 2 milionë banorët e Gazës do të detyrohen të zhvendosen drejt jugut në Sinai.

“Ajo që po ndodh tani në Gaza është një përpjekje për të detyruar banorët të migrojnë në Egjipt, gjë që nuk duhet pranuar”, tha zoti Sisi. “Egjipti kundërshton çdo përpjekje për të zgjidhur çështjen palestineze me mjete ushtarake ose përmes zhvendosjes së detyruar të palestinezëve nga toka e tyre, e cila do të vinte në kurriz të vendeve të rajonit”, tha ai.

Zoti Sisi tha se populli egjiptian do të dalë në protesta kundër zhvendosjes së banorëve të Gazës në Sinai, nëse kërkohet një gjë e tillë.

Jordania, e cila ndan një kufi me Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe strehoi shumicën e palestinezëve që u larguan ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre pas krijimit të shtetit të Izraelit, gjithashtu ka paralajmëruar kundër dëbimit të palestinezëve nga toka e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco