Izrael/ Biden: Unë mbështes një zgjidhje me dy shtete në kërkim të paqes

Izrael/ Biden: Unë mbështes një zgjidhje me dy shtete në kërkim të paqes

18:43, 18/10/2023
A+ Aa A-

Presidenti amerikan Joe Biden tha, duke përmbledhur vizitën e sotme në Izrael, se pas sulmit vdekjeprurës nga Hamasi, SHBA-të do të bëjnë gjithçka për të siguruar që vendi të jetë sërish i sigurt dhe se në kërkim të paqes mbështet zgjidhjen me dy shtete.

Biden inkurajoi izraelitët dhe tha se shumica dërrmuese e palestinezëve nuk janë të lidhur me Hamasin, duke shtuar se populli palestinez po vuan gjithashtu, raportoi Reuters.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Izraelit që të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza.

Në një deklaratë pas një takimi me udhëheqësit izraelitë, ai tha se do t'i kërkonte Kongresit këtë javë një paketë ndihme "të pashembullt".

Presidenti amerikan përmendi holokaustin nazist të Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se Izraeli ka mbështetjen e miqve të tij.

Biden tha gjithashtu se me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu diskutoi çështje humanitare, ndihmën e sigurisë dhe informacionin për amerikanët e zhdukur.

“Ne do të vazhdojmë të pengojmë çdo aktor që dëshiron të zgjerojë këtë konflikt”, tha Biden në një postim në platformën e mediave sociale X.

Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se populli palestinez “po ashtu vuan shumë”, duke iu referuar palestinezëve që humbën jetën, raportoi BBC.

“Isha i indinjuar dhe i pikëlluar nga humbja masive e jetëve në Gaza pas shpërthimit të mbrëmshëm në spital”, thotë ai, duke shtuar se provat në këtë pikë tregojnë për “një raketë të lëshuar nga një grup terrorist në Gaza”.

Ai shtoi se njerëzit në Gaza kanë nevojë për ushqim, ujë, ilaçe dhe strehim, dhe se “ndihma urgjente është menduar për civilët, jo për Hamasin”.

"Nëse Hamasi e kthen ndihmën diku tjetër, kjo do të tregojë edhe një herë se ata nuk kujdesen për mirëqenien e popullit palestinez," tha ai.

Biden shtoi se ai po punon me partnerë në rajon, si Egjipti, për të siguruar që ndihma të mund të arrijë në Rripin e Gazës.

Presidenti amerikan i tha “çdo shteti apo aktori armiqësor, që po mendon të sulmojë Izraelin – mos, mos, mos!”.

Biden theksoi gjithashtu se do të mbajë gjithmonë një "vrimë të zezë" në vetvete për shkak të humbjes së djalit të tij, kur tha se sa shumë simpatizonte me familjet izraelite që humbën të dashurit e tyre.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco