Me një sy, me një krah dhe në karrige me rrota/ Kush është ‘koka’ e Hamasit që ideoi sulmin ndaj Izraelit

Me një sy, me një krah dhe në karrige me rrota/ Kush është ‘koka’ e Hamasit që ideoi sulmin ndaj Izraelit

20:59, 10/10/2023
A+ Aa A-

Ka shumë teori për sulmin e përgjakshëm të Hamasit ndaj Izraelit. Shumë prej komenteve kanë idenë e një plani kompleks, të ideuar prej kohësh dhe mbi të gjitha, duke shmangur inteligjencën izraelite e cila deri më tani dukej e aftë për të eliminuar çdo kërcënim. Ajo që “Financial Times” zbulon është se organizatori i inkursioneve të armatosura nga Rripi i Gazës me njerëz të armatosur në bordin e kamionëve dhe avionë është Mohammed Deif, një strateg i Hamasit.

Ai u ka shpëtuar dhjetëra përpjekjeve të Izraelit për ta eliminuar. Në njërën prej tyre, në vitin 2014, një raketë izraelite rrafshoi shtëpinë e tij, duke vrarë gruan e tij Widad, djalin e tyre 7-muajsh dhe vajzën e tij 3-vjeçare. Ai është komandanti i krahut të armatosur të Hamasit, brigadave “Ezzedin al-Qassam” që lëshojnë raketa vdekjeprurëse mbi Izrael. Jeton i fshehur dhe një foto e tij nuk është publikuar që nga viti 2001. Në trupin e tij ka mjaft shenja nga sulmet e përsëritura të cilave ai u ka shpëtuar për mrekulli.

Thuhet se është i detyruar të lëvizë me karrocë, se ka humbur një sy dhe ndoshta edhe një krah. Tashmë një veteran në fushën e tij, ai mendohet se ka filluar aktivitetin që në vitin 1991 duke u bërë një simbol për fraksionin palestinez. Ai është i kërkuari “numër një” nga Tel Avivi. Pas vrasjes së Yahya Ayyash në vitin 1996 nga një bombë e instaluar në celularin e tij, ishte Deif ai që orkestroi hakmarrjen e Hamasit. Ai organizoi një seri sulmesh që gjakosën rrugët e Izraelit, duke shkaktuar vdekjen e mbi 60 personave.

Tashmë si kreu i brigadave “Ezzedin al-Qassam” bëri që zëri i tij të dëgjohet sërish kohët e fundit me një mesazh audio të shpërndarë në një stërvitje të gjerë të fraksioneve të armatosura palestineze një muaj më parë, të quajtur “Këndi i fortë nr. 4” dhe ndoshta të nënvlerësuar nga Izraeli.

“Tërheqja e forcave izraelite nga Gaza është baza mbi të cilën bazohet tërheqja izraelite nga Bregu Perëndimor, e cila nga ana e saj do të lajmërojë çlirimin e Jaffës, Haifës dhe Jeruzalemit dhe qyteteve të tjera të tokës tonë” – deklaronte ai. Fjalët e regjistruara në një mesazh audio në një vend sekret dukeshin si proklamata të zakonshme, por të dëgjuara tashmë janë gjeneza e një operacioni lufte.

Hamasi, akronim i Harakat al-Muqawama al-Islamiyya (Lëvizja e Rezistencës Islame) është një organizatë paraushtarake palestineze islamiste, sunite dhe fundamentaliste.

Ajo është e ndarë në krah ushtarak me brigadat “Ezzedin al-Qassam” të udhëhequra nga Mohammed Deif dhe një krah politik që qeveris Gazën që nga zgjedhjet e vitit 2006. Shumë vende në komunitetin ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Kanadanë, Japoninë dhe Izraelin e konsiderojnë Hamasin një kërcënim terrorist ndërsa për Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Zelandën e Re, vetëm brigadat “Ezzedin al-Qassam” janë terroriste.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco