Paniku nga çimkat përfshin Parisin ndërsa infektimet shtohen përpara Olimpiadës 2024

Paniku nga çimkat përfshin Parisin ndërsa infektimet shtohen përpara Olimpiadës 2024

11:54, 04/10/2023
A+ Aa A-

Një murtajë çimkash ka goditur Parisin dhe qytetet e tjera franceze, duke provokuar një valë insektofobie dhe duke ngritur pikëpyetje për shëndetin dhe sigurinë gjatë Lojërave Olimpike të vitit të ardhshëm.

Kështu është përshkruar gjerësisht fenomeni në mediat franceze - dhe tani ndërkombëtare - të lajmeve.

Pjesërisht është e vërtetë. Por në një pjesë tjetër nuk është.

Ajo që është rasti është se numri i insekteve është rritur gjatë javëve të fundit - dhe se ky trend në rritje është çdo vit.

"Çdo fundvere ne shohim një rritje të madhe të çimkave," thotë Jean-Michel Berenger, një entomolog në spitalin kryesor të Marsejës dhe eksperti kryesor i Francës për “les punaises”.

“Kjo për shkak se njerëzit kanë lëvizur gjatë korrikut dhe gushtit dhe i sjellin me bagazhet e tyre. Dhe çdo vit, rritja sezonale është më e madhe se e kaluara”.

Në Paris, frikës së kahershme të infektimit që ndjejnë banorët e banesës (një në 10 prej të cilëve kanë përjetuar çimka në pesë vitet e fundit, sipas shifrave zyrtare) i janë shtuar burime të reja ankthi.

Raportimet se ato janë parë së fundmi në kinema nuk janë vërtetuar, por po merren seriozisht. Po kështu pretendohet se njerëzit janë pickuar nëpër trena.

Dhe tani bashkia e Parisit dhe qeveria e Presidentit Emmanuel Macron po bëjnë thirrje për veprim. Është një masë se sa seriozisht ata e marrin këtë çështje - dhe se si ata duhet të mbrojnë imazhin e Parisit përpara ndeshjeve të 2024 - që ata nuk po e hedhin poshtë panikun e çiqeve si një shpikje të mediave sociale.

Sepse edhe kjo është pjesë e historisë.

Historitë e frikshme po ndizen në internet aq shpejt sa po e shndërrojnë atë që dikur për gazetat ishte një lajm i ditëve të ngadalta në një emergjencë kombëtare.

Pronarët e kinemasë - tashmë të shqetësuar për rënien e frekuentimit - shqetësohen seriozisht kur qarkullojnë video që tregojnë insektet e paidentifikuara në një vend. Njerëzit në metro kanë filluar të kontrollojnë tapiceritë. Disa preferojnë të qëndrojnë në këmbë.

"Ka një element të ri këtë vit - dhe kjo është psikoza e përgjithshme që ka zënë vend," thotë zoti Berenger.

“Është një gjë e mirë në një farë mënyre sepse shërben për të ndërgjegjësuar njerëzit për problemin dhe sa më shpejt të veproni kundër çimkave aq më mirë.”

Image

Banorët francezë po thërrasin shfarosësit për të zgjidhur problemin.

E vërteta është se çimkat janë me të vërtetë një kërcënim - por rreziku është më shumë psikologjik sesa fizik. "Cimex lectularis" mund të jetë revoltuese, por me sa dihet nuk mund të transmetojë sëmundje. Kafshimet e saj janë të neveritshme, por nuk zgjasin shumë.

Ajo hedh jashtë skeletet e saj në intervale të rregullta; lë jashtëqitjet në formën e pikave të zeza (gjak i tretur); tundet nga kënaqësia nga aroma e njeriut dhe mund të rrijë për një vit pa ushqim. Shkurt, të gjitha tmerret po t'i mendosh.

Por dëmi i vërtetë është në shëndetin mendor të një të infektuari.

"Një vit më parë, djali im 29-vjeçar gjeti çimka në banesën e tij në lagjen e 20-të. Ai e hodhi shtratin e tij; lau të gjitha rrobat e veta; fshiu vendin nga lart poshtë. Por prapë nuk mund të flinte. Ai filloi të imagjinonte gjëra që zvarriteshin mbi lëkurën e tij. Iu bë obsesion.

Vetëm pas një trajtimi të kushtueshëm me avull të gjithë shtëpisë së tij nga një kompani e respektuar kundër dëmtuesve, ai mundi të merrte sërish frymë."/ar/sh/SYRI.NET

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco