Si zgjerimi i BRICS mund të trondisë ekonominë botërore

Si zgjerimi i BRICS mund të trondisë ekonominë botërore

18:18, 15/09/2023
A+ Aa A-

Gjashtë vende të reja kanë vendosur t’i bashkohen BRICS me qëllimin për të rritur praninë e tyre në skenën ekonomike globale. Sipas një analize të Euronews qëndrueshmëria e botës perëndimore mund të vuajë pasojat e këtij zgjerimi.

Në janar të vitit 2024, blloku do të përfshijë Argjentinën, Egjiptin, e cila është dhe ekonomia e dytë më e madhe e Afrikës, Etiopinë, një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në rajon dhe gjigantët e naftës, Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Por çfarë kanë të përbashkët këto vende? E vetmja përgjigje e sigurt është se të gjashtë aplikuan për anëtarësim.

BRICS, e  cila në fillimet e saj kishte shumë vështirësi në bashkëpunimin mes vendeve anëtare, tashmë ka filluar rekrutimet dhe zgjerimin e aleancës.

Dhe nuk mbaron këtu. Përfshirë anëtarët e saporekrutuar, më shumë se 40 vende duan t’i bashkohen bllokut, sipas Afrikës së Jugut e cila kryesoi Samitin e BRICS për vitin 2023.

“Sanksionet kundër Rusisë dhe Kinës gjatë 18 muajve të fundit kanë vepruar si një katalizator”, tha Christopher Eeafer, CEO i konsulencës së biznesit Macro-Advisory Ltd. Moska dhe Pekini po përpiqen të ulin varësinë e tepruar nga ekonomitë perëndimore, në thelb që të dyja janë ekspozuar ndaj asaj që ndodh nëse ndëshkohen.

Themelimi i BRICS në 2001 nuk i shkaktoi shumë “dhimbje koke” Perëndimit për një kohë të gjatë. “Grupimi ka ekzistuar për shumë vite, por në të vërtetë nuk ka përparuar në ndonjë gjë efektive apo të koordinuar,” tha Eeafer.

“Ka qenë gjithmonë një ide, pothuajse si një organizatë dembele, ashtu mund të përshkruhet”, shtoi ai.

Që atëherë, grupimi nuk ka pasur shumë ndikim në tregtinë botërore, megjithatë, ata krijuan një bankë zhvillimi në pronësi të përbashkët – Banka e Re për Zhvillim

Dikush mund të argumentojë se vendet e G7 (shtatë ekonomitë më të mëdha të globit, përfshirë Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe) ishin shpërfillëse ndaj disa prej kërkesave dhe interesave të grupit. Megjithatë, së fundmi gjeopolitika ka filluar të ketë një ndikim në rritje në lidhjet ekonomike.

“Mendoj se mund të themi se tani BRICS ka filluar të shfaqet”, tha Christopher Eeafer, CEO i konsulencës së biznesit Macro-Advisory Ltd. në rajonin e Euroazisë.

Zgjerimi i vazhdueshëm i ofron BRICS një mundësi për të pasur një zë të fuqishëm për çështje si menaxhimi i klimës dhe kontrolli i sistemeve financiare globale.

Vnedet e reja mund ta shohin atë si një mënyrë për të diversifikuar mundësitë e tyre të biznesit dhe të jenë më pak të varur nga vendet perëndimore dhe rregullat e tyre, me premtimin e kushteve tregtare preferenciale midis anëtarëve dhe stimuj të tjerë për të rritur tregtinë dhe investimet ndërkufitare.

Anëtarët aktualë të bllokut përfaqësojnë rreth 42% të popullsisë së botës dhe më shumë se 27 trilion dollarë në prodhimin e brendshëm bruto të akumuluar. Grupimi i zgjeruar do të përbëjë 46.5% të popullsisë së botës dhe 30.8 trilionë dollarë të PBB-së globale prej 100 trilionë dollarësh.

Nga ana tjetër, Prodhimi i Brendshëm Bruto bazuar në barazinë e fuqisë blerëse, tregon një ekuilibër shumë të ndryshëm të forcave. Në total, ky BRICS i zgjeruar tani rrit pjesën e tij të PBB-së globale në më shumë se 36% mbi bazën PPP, duke tejkaluar atë të G7.

Është e sigurt që grupimi i ri është i vështirë të injorohet pasi anëtarët e tij zënë 45% të prodhimit botëror të naftës dhe zotërojnë sektorë të rëndësishëm të mineralit të hekurit, qymyrit dhe boksitit, e lëre më rolin kyç që ata kanë në bujqësinë botërore.

Prandaj, vendet e zhvilluara, zakonisht G7, mbështeten në një masë të madhe në tregtinë me këto vende.

Prandaj, “ekonomitë më të forta nuk mund të injorojnë më nevojat e bllokut të sapoformuar,” thotë Eeafer.

Eksperti beson se ndërsa teknologjia, investimet dhe tregtia do të jenë çështje të rëndësishme në tryezë, një nga pikat kryesore të diskutimit midis ekonomive perëndimore dhe vendeve të BRICS mund të jetë tejkalimi i hendekut në interesat e tyre në çështjet mjedisore.

“Kombet në zhvillim nuk e shohin mjedisin një prioritet aq të madh sa njerëzit në botën e zhvilluar,” shpjegon Eeafer.

Edhe pse vende si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe vazhdojnë të renditin rritjen e qëndrueshme si prioritet, atyre u duhet kohë për t’u përshtatur. “Prioriteti i tyre është zhvillimi ekonomik dhe social, në mënyrë që të krijojnë një bazë ekonomike më të qëndrueshme, siç e kanë tashmë G7 dhe BE”, thotë Eeafer.

Zgjidhja e çështjeve mjedisore ndoshta do të jetë sfida më e madhe midis G7 dhe BRICS, thotë eksperti.

“Unë mendoj se është e rëndësishme të kemi një bazë të përbashkët se si të merren me çështjet mjedisore, sepse ka një humnerë të madhe tani,” shton Eeafer. “Dua të them, i madh sepse kur udhëtoj në Kinë dhe Lindjen e Mesme, shoh se ata thjesht nuk e shohin atë. Ata mendojnë se ky është një problem që është ekzagjeruar nga Evropa dhe një mënyrë që G7 po shtyp evolucionin dhe rritjen e mundshme. Madje kam parë një artikull të shkruar nga dikush që thotë se ishte një formë moderne e kolonializmit”, shtoi ai.

Sa realiste është një monedhë e përbashkët për BRICS?

Një nga pyetjet që përsëritet rreth BRICS është nëse ata po punojnë për një sistem për të përdorur një monedhë të përbashkët.

Krijimi i euros mori dekada dhe ky ishte një bllok i përbërë nga vende shumë më pak të ndryshme fizikisht.

Rritja e tregtisë dypalëshe dhe gjetja e mënyrave për ta zgjidhur atë në monedhat dypalëshe është shumë më e mundshme. Për momentin kjo funksionon vetëm me Rusinë dhe Kinën pasi bankave qendrore të vendeve iu deshën vite për të ngritur një sistem për ta lejuar atë. Kohët e fundit presidenti rus Vladimir Putin tha se 80% e tregtisë midis Rusisë dhe Kinës zgjidhet ose në rubla ruse ose në juan kinez.

Nga ana tjetër, ka rreziqet e veta. Për shembull, Rusia po i shet shumë naftë Indisë, por pagesat, të cilat janë në rupi, janë bllokuar në bankat indiane për shkak të kontrolleve të kapitalit dhe moskonvertueshmërisë së rupisë.

Realisht, në 10 vitet e ardhshme, anëtarët kanë mjaftueshëm kohë për t’u përpjekur të rregullojnë disa nga këto marrëveshje tregtare dypalëshe.

Ku e çon BRICS zgjerimi i mëtejshëm?

BRICS tashmë mund t’i bashkohen anëtarët e rinj si Kazakistani dhe Tajlanda, të cilët thuhet se kanë aplikuar tashmë. Kriteret janë të mjegullta, thotë Eeafer. “Unë mendoj se kriteri i pranimit është kryesisht vullneti i një vendi për t’u bashkuar. Arsyeja është se ata janë thjesht duke kërkuar për diversifikim, duke parë vendet me një madhësi të arsyeshme. Për shembull, Indonezia është padyshim një objektiv.”

Eksperti beson se ngjarjet gjeopolitike si konflikti ekzistues në Ukrainë dhe konflikti i mundshëm me Tajvanin do të vazhdojnë të dominojnë skenën ekonomike të botës.

12 muajt e ardhshëm do të zbulojnë më shumë rreth sfidave dhe potencialeve që BRICS do të sjellë deri në samitin e ardhshëm.

Meqenëse Presidenti rus nuk mundi të vizitonte samitin këtë vit pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi ​​një urdhër arresti për të, Vladimir Putin njoftoi se janë bërë plane për të mbajtur samitin e ardhshëm të BRICS në Kazan në tetor 2024./ Euronews/ 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco