‘Të varfrit hanë më mirë se të pasurit’, deklarata e ministrit italian që ngjalli zemërimin e  qytetarëve

‘Të varfrit hanë më mirë se të pasurit’, deklarata e ministrit italian që ngjalli zemërimin e qytetarëve

17:26, 25/08/2023
A+ Aa A-

Ministri i Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pylltarisë i Italisë, Francesco Lollobrigida ka ngjallur zemërimin e qytetarëve italianë, pas deklaratës së tij se  njerëzit e varfër në vend “hanë më mirë” sepse blejnë direkt nga fermerët dhe prodhuesit.

“Në Itali, të varfrit hanë më mirë se të pasurit”, tha ai teksa përpiqej të shpjegonte ndryshimin në mënyrën se si ushqehen italianët dhe amerikanët.

Sipas ministrit, anëtar i partisë së kryeministres Giorgia Meloni, ndërsa në SHBA ka një hendek masiv midis cilësisë së ushqimit që hanë të pasurit dhe të varfrit, Italia ka një sistem ushqimor “ndërklasor” ku njerëzit e varfër “blejnë ushqime me cilësi të lartë me kosto të ulët direkt nga prodhuesit.”

Pak kohë pas deklaratës së tij, ministri mori kritika nga disa politikanë të opozitës.

“Ne nuk kemi nevojë as për parodi kur ka një qeveri që jeton në një planet tjetër,” tha Elly Schlein, kreu i partisë së qendrës së majtë Partia Demokratike (PD).

Ndërsa hendeku në cilësinë e ushqimit për njerëzit e varfër dhe të pasur është një problem i njohur në SHBA, ku dieta më e varfër e njerëzve me të ardhura më të ulëta është lidhur me koston e lartë të ushqimit të shëndetshëm, nuk ka të dhëna që mbështesin deklaratën e Lollobrigida se në Itali të varfërit hanë më mirë se të pasurit.

Njerëzit iu përgjigjën komentit të ministrit në rrjetet sociale duke shpërndarë imazhe të njerëzve në radhë në bankat e ushqimit.

“Doja t’i tregoja ministrit këto imazhe: bankën ushqimore Carmine në Napoli,” shkroi gazetari Ciro Pellegrino, cili vijoi:

“Vakti dhurohet nga biznese, vullnetarë dhe donacione. Radha zgjatet çdo ditë. Çfarë thoni, a e meritojnë zilinë tonë?”

Ministri i është përgjigjur kritikave duke pranuar se ka gabuar. “Nuk më vjen keq, thjesht përdora fjalë të gabuara. Jo për racizëm, por për injorancë,” tha ai.

Qeveria e Italisë ka shkurtuar së fundmi përfitimet e mirëqenies së qytetarëve nga të ardhurat për mijëra familje, ndërsa Meloni vazhdon në planin e saj për të eliminuar programin e prezantuar nga Lëvizja Pesë Yjet në 2019.

Sipas të dhënave më të fundit në dispozicion, përqindja e familjeve italiane të ekspozuara ndaj paqëndrueshmërisë ushqimore ishte 1.3% në vitin 2022, nga 1.7% një vit më parë. Në jug ky numër shkon në 2.7%, ndërsa në qendër dhe veri të vendit është përkatësisht 0.6% dhe 0.7%.

Paqëndrueshmëria e ushqimit do të thotë që njerëzit nuk janë në gjendje të hanë rregullisht dhe të mbajnë një dietë të shëndetshme.

Ndërsa këto shifra mund të duken inkurajuese, të dhënat nga ASviS, Aleanca Italiane për Zhvillim të Qëndrueshëm, duke iu referuar vitit 2021 tregojnë se vetëm 18.8% e italianëve kanë akses në ushqimin e duhur, që përfshin katër porcione frutash dhe perimesh në ditë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco