Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

Bombardimet ruse/ Sistemet amerikane dhe gjermane po japin rezultate në Ukrainë

Bombardimet ruse/ Sistemet amerikane dhe gjermane po japin rezultate në Ukrainë

12:09, 07/08/2023
A+ Aa A-

Ukraina po sheh “rezultate të rëndësishme” nga sistemet e mbrojtjes ajrore nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pavarësisht valëve të sulmeve ajrore ruse që Kievi thotë se po shënjestrojnë civilët dhe ndërtesat rezidenciale.

Rusia ka raportuar se ka rrëzuar një dron që ishte nisur drejt Moskës – sulmi i tretë i këtij lloji ditëve të fundit – ndërkaq zyrtarët nga të dyja anët kanë thënë se Ukraina ka sulmuar dy urat që lidhin gadishullin e aneksuar ukrainas të Krimesë me Rusinë.

Të dyja shtetet kanë shpeshtuar sulmet ndaj trupave të palës tjetër, ndaj armatimeve dhe infrastrukturës që mbështet luftës, përderisa Ukraina po tenton të largojë trupat ruse nga jugu dhe lindja e Ukrainës, që kur ka nisur pushtimi vitin e kaluar.

Kreu i emëruar nga Moska në Krime tha se ura Çonhar në këtë gadishull, që Moska e ka aneksuar më 2014, është dëmtuar nga një sulm me raketa. Edhe tri rrugë që lidhin Krimenë me pjesët e pushtuara nga Rusia në Ukrainë, afër qytetit Heniçesk, janë granatuar dhe një civilë është plagosur, tha zyrtari i emëruar nga Moska.

Gjatë adresimit në orët e vona të së dielës, Zelensky tha se sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore, përshirë Patriotët e prodhimit amerikan dhe IRIS-T të prodhimit gjerman, po tregohen “shumë efektive” dhe veçse “kanë dhënë rezultate të mëdha”. Zelensky tha se Ukraina ka parandaluar një numër të madh të sulmeve ruse gjatë javës së kaluar, përfshirë edhe 65 sulme me raketa dhe 178 sulme me dronë, përfshirë 87 me dronë Shahed.

Më vonë, ushtria ukrainase tha se Rusia kishte kryer 30 sulme me raketa dhe 48 sulme ajrore.

“Fatkeqësisht ka viktima dhe të plagosur në mesin e popullatës civile. Ndërtesat e banuara dhe infrastruktura tjetër civile ka pësuar dëme”, tha ushtria përmes një deklarate.

Sulmet erdhën pas një sulmi gjatë të shtunës, i cili sipas Zelenskyt u krye në një qendër për transfuzionin e gjakut në qytetin Kupiansk, rreth 16 kilometra nga vija e frontit në rajonin lindor të Harkivit. Presidenti ukrianas tha se ky sulm përbën krim lufte.

Rusia mohon se qëllimshëm shënjestron civilët apo spitalet ushtarake në pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, luftë që la vrarë mijëra persona dhe detyroi miliona persona të zhvendoseshin.

Për dy muaj me radhë, Ukraina po zhvillon kundërofensivën e saj për të larguar forcat pushtuese ruse nga pothuajse një e pesta e territorit. Gjatë fundjavës, afër 40 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kinën, dhe Indinë, zhvilluan bisedime për luftën në Ukrainë. Takimi u mbajt në Arabinë Saudite, po u përmbyll pa asnjë veprim konkret përtej zotimit për konsultime të mëtejme.

Takimi në Arabinë Saudite ishte pjesë e përpjekjes diplomatike të Ukrainës për të forcuar mbështetjen përtej aleatëve të saj Perëndimor.

Në takim nuk mori pjesë Rusia. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se ky takim reflektoi “përpjekjet e dështuara” të Perëndimit për të mobilizuar shtetet e zhvilluara për të mbështetur Zelenskyn./rel/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco