Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

Viktimat e tërmetit në Turqi janë bllokuar

Viktimat e tërmetit në Turqi janë bllokuar

12:02, 07/08/2023
A+ Aa A-

Gjysmë viti pas tërmetit vdekjeprurës, Turqia juglindore është ende e dominuar nga rrënojat. Mijëra njerëz jetonë në tenda në kushte tepër të rënda.

Leyla Sheker (65) jeton e vetme në një tendë, ashtu si mijëra bashkëqytetarë të saj në provincën më jugore turke të Hatay. Çadra e saj është vendosur në livadhin pranë vendit ku ka qenë shtëpia e saj, tani e rrënuar.

Kjo grua humbi nënën dhe motrën e saj në tërmetin shkatërrues gjysmë viti më parë. “Por nuk ishin ata të vetmit që pësuan. Vëllai i xhaxhait tim iku nga kjo botë së bashku me të gjithë familjen e tij 15-anëtarëshe,” thotë Sheker. Kanë kaluar plot gjashtë muaj që kur tërmeti i fuqishëm shkatërroi Turqinë juglindore dhe Sirinë veriore. Vetëm në Turqi vdiqën rreth gjashtëdhjetë mijë njerëz, dy herë më shumë u plagosën.

Në Hataj u rrënuan edhe ish-parlamenti dhe xhamia antike. “Ky nuk është më Hatay, por një qytet fantazmë,” thotë Sheker mes lotësh.

Rreziku i infeksionit

Shtëpia nuk është e rinovuar. Ata marrin ndihma në ushqime, sepse aty pranë nuk ka dyqane të ushqimeve. Mangësi të mëdha ka edhe në furnizimin me ujë. “Gjashtë muaj pa një pikë ujë nga ujësjellësi. Disa kanë puse, por ne nuk kemi asgjë. Nuk ka asgjë këtu, përveç baktereve dhe mizave”, thotë kjo grua.

Autoritetet e qytetit thonë se në kryeqytetit e provincës aktualisht vetëm dhjetë përqind e njerëzve kanë ujë të rrjedhshëm. Mjekët paralajmërojnë se mungesa e higjienës çon në sëmundje të rënda, ndoshta edhe infeksione.

Dhoma e Ekonomisë në Hatay deklaron se 600,000 njerëz mbetën të pastrehë nga tërmeti – kjo është më shumë se një e treta e popullsisë. Shumë janë larguar nga ky rajon ndërsa të tjerët kanë mbetur në tenda.

Shteti po planifikon më shumë se tre mijë ndërtesa të reja me 255 mijë apartamente. Mesa duket ndërtesat e para do të jenë gati në dhjetor.

Kush ka para për kredi?

Rustem Çoklu (48), punëtor ndërtimi, më në fund ka sërish punë, por nuk është i kënaqur me planet e shtetit. Ai vetë humbi shtëpinë dhe tani do të duhet të marrë përsipër 40 për qind të kostove për një apartament të ri, në formën e një kredie njëzetvjeçare.

“Ne do të kalojmë disi. Por shteti nuk duhet të na kërkonte asgjë. Kam pritur që shteti të marrë përsipër të gjitha shpenzimet”, thotë ai.

Lejla Sheker as që po mendon për një apartament të ri. Ajo thotë se nuk ka as para dhe as jetë të mjaftueshme për të shlyer kredinë, sepse ajo është në moshë më të shtyer.

Serkan Koç nga Dhoma Urbane e Qytetit tund kokën. Ai thotë se shteti po neglizhon rindërtimin e infrastrukturës, aksesin në ujë të pijshëm, rrymë dhe internet. Për shkak të ngadalësisë së shtetit, njerëzit kanë filluar vetë të ndërtojnë shtëpi ilegalisht, thotë ai.

“Shtëpi të tilla aktualisht po ndërtohen pa kurrfarë plani urbanistik. Nëse shteti nuk mund të plotësojë nevojën themelore të njerëzve për një çati mbi kokë, atëherë njerëzit duhet të kujdesen për veten e tyre”, thotë Koç.

Pas tërmetit, në këtë rajon u fol shumë për ndërtimet jo të qëndrueshme dhe gabimet në ndërtime. Ndërsa tani, kur të gjithë po ndërtojnë si të munden, është e vështirë të presësh që këto ndërtesa t’i rezistojnë një tërmeti të ri të mundshëm.

E lënë pas dore politikisht?

Në këtë rajon të largët të Turqisë, shumë mendojnë se janë lënë pas dore, për arsye politike. Hatay konsiderohet një provincë kozmopolite me një pakicë të madhe alevite.

Edhe sot e kësaj dite është e paqartë se çfarë do të ndodhë me 15 mijë ndërtesat dhe shtëpitë me dëmtime “të shkallës së mesme”. A do të lejohet përdorimi i këtyre objekteve apo do të prishen ato? Rrënojat nuk do të hiqen deri në fund të vitit.

Sheker planifikon të qëndrojë në një tendë afër shtëpisë së saj të mëparshme. Ajo thotë se ka punuar jashtë vendit për 32 vjet për të kursyer për një shtëpi. Tani nuk ka asgjë, por nuk dëshiron ta rifillojë jetën diku tjetër./DW

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco