'Mesazhi i filmit Barbie që iu ka shpëtuar kritikëve: Është thirrje për të bërë sa më shumë fëmijë'

'Mesazhi i filmit Barbie që iu ka shpëtuar kritikëve: Është thirrje për të bërë sa më shumë fëmijë'

13:38, 29/07/2023
A+ Aa A-

Nga Boris Johnson

Thirrje gjithë baballarëve kudo në botë – kam ca informacione të rëndësishme. Vini re, të gjithë të rriturit që keni ndërmend të shihni një film me titullin Barbie këtë fundjavë. Me siguri që e keni parë gjithë rrëmujën, gjithë atë ferr publicitetit për këtë kukull plastike rozë, me taka të larta e flokë të gjatë biondë me refleksion gri, madje do të ishte çudi sikur të mos e kishit parë.

Warner Brothers ka shpenzuar më tepër për publicitetin – 117 milion sterlina se sa për vetë filmin. Ndoshta ende po vrisni mendjen se si mund t’i shtyni 114 minuta duke parë yje të Hollivudit që hidhen e përdridhen duke bërë gjasme janë kukulla. Nëse po e mendoni vërtet këtë, atëherë ky shkrim është fiks për ju.

Nëse mendoni se nuk do t’ju interesojë një shpërthim kaleidoskopik shumëngjyrësh xhingla minglash plastike; nëse nuk e keni marrë vesh kurrë kuptimin e Barbie-t, me anatominë e saj të habitshme, lëre më pastaj kuptimin e shokut të saj të pashpresë me emrin Ken – atëherë qetësohuni.

Unë u kam paraprirë nevojave tuaja. Për vetëm 11 sterlina, në një kinema të shkëlqyer lokale në

Didcot, qendër e universit, i pashë e i vuajta të gjitha për ju. Mund ta shpjegoj se çfarë kuptimi ka filmi Barbie; e mund t’ju them se analiza që keni lexuar deri tani është gjepura.

Në fakt, tema e këtij filmi është aq fort e dukshme sa që habitem se si iu ka shpëtuar kaq shumë kritikëve deri tani.

E nisim me një portret tmerrues të botës para Barbie-t, ku vajzat e vogla luajnë me kukulla në formë bebesh. Ato i ushqejnë, iu ndërrojnë pelenat, u bien në shpinë për të gromësirë, kujdesen për të, i duan... e pastaj, nën tingujt e Also Sprach Zarathustra, shfaqet ajo – perëndia e re plastike: e fuqishme, rozë, plot besim, me taka të larta, syze dielli e jo shumë gjëra të tjera.

Vjen Barbie e vajzat e vogla përulen para saj. Ato nuk duan thjesht ta kenë atë – ato duan të jenë ajo. Pastaj, në një moment që të nakatos zorrët e barkut, vajzat sulmojnë kukullat e tyre si bebe. Iu thyejnë filxhanët e vegjël të çajit dhe shishet e qumështit, e më vonë – ata me zemër të dobët duhet të kthejnë kokën mënjanë – nisin t’u përplasin kokën pas gurëve.

Aty nis e mendon nëse ky film është vërtet i përshtatshëm për fëmijët. Duket se po kthehet në horror. Ndoshta edhe vetë emri krijon konfuzion dhe ti e sheh veten duke ndjekur një film biografik për vrasësin e tmerrshëm nazist Klaus Barbie (besoj se nuk kanë lidhje), Kasapi i Lionit.

Pse gjithë kjo mizori? Çfarë do të thotë? Ngadalë nis të bëhet e qartë. Vajzat e vogla refuzojnë amësinë tradicionale me detyrimet e saj pa fund. Ato kanë një idhull të ri dhe ajo mund të bëjë gjithçka. Ka një kukull Barbie Presidente e SHBA,  Barbie fituese e Çmimit Nobel, Barbie gazetare fituese çmimesh, Barbie yll roku e kështu me radhë.

Kukullat Barbie janë triumfuese në çdo fushë të jetës njerëzore që mund të shkojë mendoja dhe ato ndriçojnë të vërtetën e madhe që është shfaqur vetëm në 100 vitet e fundit: që gratë munden dhe po e arrijnë çfarëdo që të dëshirojnë e mund të bëhen kushdo që preferojnë.

Heroina jonë, e luajtur nga Margot Robbie, në një farë mënyre është mbretëresha e të gjitha kukullave Barbie, “Barbie Stereotip”, dhe ajo ka gjithçka.

Ajo ka shoqëri që e mbulon në komplimente. Ka një makinë të vogël rozë dhe një shtëpi të vogël rozë; dhe shkon në plazh e shoqërohet me shokun e saj të quajtur Ken (Ryan Gosling), i cili ka rënë në dashuri me të.

Ajo është një vajzë Barbie në një botë Barbie e mendon se plastikja është fantastike. Pastaj diçka nis të shkojë gabim.

Ajo sheh ëndrra me vdekje. Ajo vë re celulit në pjesën e sipërme të kofshëve dhe befas sheh shenja vdekshmërie.

Mund ta shihni se çfarë drejtimi po merr. Kjo nuk është parajsa. Kjo botë Barbie është distopi – një vizion frikësues i të ardhmes së racës njerëzore...

Dhe pyetja është nëse Barbie, apo kushdo prej nesh, mund t’i largohet.

Ka shumë gjëra në mes për luftën e sekseve, dhe për luftën midis Barbie-ve dhe Kenëve, dhe më duhet ta pranoj se herë pas here qepallat më rëndoheshin. Por tashmë kam arritur në moshën kur jo vetëm që mund ta absorbosh atë çka ndodh por edhe të kënaqesh në mënyrë aktive, edhe kur je përgjysmë (ose plotësisht) në gjumë. Sido që të jetë, e gjitha kjo nuk ka fare rëndësi për thelbin e filmit. Në botën Barbie, siç vë në dukje në mënyrë dramatike tregimtarja Helen Mirren, Barbie shtatzënë u ndërpre nga prodhuesi.

Në një botë Barbie, burrat epicenë (me karakteristikat e të dy sekseve apo me asnjë prej tyre) me flokë të lyer hidhen e përdridhen me xhaketat e tyre prej gëzofi fals dhe i admirojnë vajzat Barbie, por nuk e kanë idenë se çfarë të bëjnë më pas. Nuk ka romancë të vërtetë sepse – siç e thotë troç Barbie Stereotip – as ajo dhe as Ken nuk kanë organe gjenitale.

Prandaj, kjo botë ka fëmijë por jo bebe. Është një parabolë e fatit të njerëzimit.

Le të shohim veten. Në gjithë botën, me përjashtim të Afrikës, shohim popullsi që qëndrojnë në vend apo që tkurren.

Në Kinë, për herë të parë gjatë jetës sonë, popullsia ka nisur të bjerë; e njëjta gjë në Japoni, ku kanë humbur miliona njerëz në dhjetë vitet e fundit – e nëse raportimet e BBC janë të besueshme, japonezët e rinj shpeshherë janë si Barbie dhe Ken, duke hequr dorë nga marrëdhëniet tradicionale seksuale.

Në Evropë, historia është edhe më e zymtë. Popullsitë vendase po tkurren në Gjermani, Itali, Spanjë, Greqi, Portugali e Rusi.

Edhe në SHBA, rritja e popullsisë është e vakët dhe shtyhet kryesisht nga imigracioni, çka është e vërtetë edhe për Britaninë e Madhe. Është e vërtetë që popullsia jonë do të kalojë Francën për herë të parë në shekuj dhe po rritet qëndrueshëm, por, edhe një herë, kjo vjen kryesisht për shkak të imigrantëve.

Tani ju ose unë mund të mendojmë se pas shpërthimit demografik gjatë jetës sonë – popullsia botërore u shtua me mbi 4 miliard që nga lindja ime – ishte gjë e mirë që, të paktën në disa vende, më në fund po nisim të zvogëlojmë peshën e dukshme të njerëzimit dhe gjithë shkatërrimet që ne sjellim: shkatërrimin e habitateve dhe natyrës, zhdukjen e specieve, ndotjen e deteve, ngrohjen e vetë atmosferës. Ne të gjithë mund t’u gëzohemi individualisht dhe në mënyrë hipokrite fëmijëve tanë – por mund të besojmë edhe se nuk kemi nevojë të vazhdojmë zgjerimin pa fré të qindvjeçarëve të fundit.

Të paktën kështu mendoj unë. Por ky nuk është mesazhi i filmit Barbie! Çfarë dëshiron Mattel? Çfarë dëshironi ju nëse bëni xhuxha plastikë rozë e gjithë artikujt e lidhur me to?

Ju do të donit më shumë fëmijë të vegjël që shpejt do të kërkojnë kukulla. Mattel dëshiron riprodhimin njerëzor!

Dhe çfarë do të donit sikur të ishit studio kinematografike? Do të donit mollaqe në karrige kinemash. Do të donit fëmijë që shkojnë për ta parë e pëlqyer filmin – e që pa e kuptuar thithin mesazhin e tij filoprogjenitiv (bërja e shumë fëmijëve).

Nuk po ua tregoj fundin, por çfarë thotë Barbie kur merr arratinë drejt botës reale? Ajo hyn në një klinikë dhe thotë “dua një vizitë te gjinekologu”.

Për këtë është filmi. Është një satirë e sterilitetit tragjik plastik të kukullës Barbie dhe një kushtrim i madh mussolinesk për fekondim human.

Dhe në thelb janë gjithmonë paratë, natyrisht. Nëse nuk linden fëmijë nuk ke si shet kukulla.

(Boris Johnson: I can tell you the meaning of the Barbie movie that’s eluded so many critics. It’s a rallying cry for humans to have more babies!)

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco