Pse është shumë vështirë 'i arritshëm' Titaniku?

Pse është shumë vështirë 'i arritshëm' Titaniku?

10:43, 24/06/2023
A+ Aa A-

Zhdukja e nëndetëses turistike Titan gjatë një ekspedite në rrënojat e Titanikut ka ngritur pikëpyetje rreth rreziqeve të përfshira në një rrugëtim të tillë në thellësi.

Bëhet fjalë për një ngjarje nga e cila tanimë thuhet se kanë vdekur pesë persona të gjendur në të, përcjell Telegrafi.

Nëndetësja Titan që ishte zhdukur prej ditësh në Oqeanin Atlantik me pesë burra në bord pësoi një “humbje katastrofike” që supozohet se erdhi pas “shpërthimit të anijes”, tha Roja Bregdetare e SHBA-së.

Historiku i Titanikut

Në një moment në vjeshtën e vitit 1911, një copë e madhe akulli u shkëput nga një akullnajë në jugperëndim të shtresës së madhe të akullit të Grenlandës.

Gjatë muajve në vijim, ajo copë akulli u zhvendos ngadalë në jug, duke u shkrirë gradualisht ndërsa u bart nga rrymat e oqeanit dhe era.

Më pas, në natën e ftohtë dhe pa hënë më 14 prill 1912, një ajsberg u përplas me anijen e pasagjerëve “Titanic” ndërsa bëri udhëtimin e saj të parë nga Southampton në Mbretërinë e Bashkuar në Nju Jork, SHBA.

Në më pak se tre orë anija ishte fundosur, duke dërguar më shumë se 1500 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit drejt vdekjes.

Rrënojat e saj tani shtrihen gati 3.8 kilometra nën valët e detit në një vend gati 640 kilometra në juglindje të bregut të Newfoundland.

Dhe ajsbergët ende përbëjnë një rrezik për transportin detar – në vitin 2019, 1,515 ajsbergë u zhvendosën aq larg në jug duke “u futur në korsitë transatlantike të transportit detar” gjatë muajve mars deri në gusht.

Por vendi “ku tanimë pushon” Titaniku mbart rreziqet e veta, që do të thotë se vizitat atje paraqesin një sfidë të rëndësishme.

Në këtë drejtim, me zhdukjen e një nëndetëseje me pesë persona ndërsa transportonte pasagjerë me pagesë në një udhëtim drejt mbetjeve të Titanikut, BBC ka sjellë një shkrim ku tregon se si është ky “rajon i dyshemesë së oqeanit”.

Lundrimi në thellësi

Sipas shkrimit të BBC, përcjell Telegrafi, thellësia e oqeanit është e errët. Drita e diellit absorbohet shumë shpejt nga uji dhe nuk është në gjendje të depërtojë shumë më thellë se rreth 1,000 metra nga sipërfaqja.

Përtej kësaj pike, oqeani është në errësirë të përhershme.

Dhe Titaniku shtrihet brenda një rajoni të njohur si “zona e mesnatës” pikërisht për këtë arsye.

Ekspeditat e mëparshme në vendin e mbytjes kanë përshkruar zbritjen për më shumë se dy orë përmes errësirës totale përpara se fundi i oqeanit të shfaqet papritur nën dritat e zhytëses.

Me vijën e kufizuar të shikimit përtej pak metrave të ndriçuar nga dritat e saj – të madhësisë së një kamioni – lundrimi në këtë thellësi është një detyrë sfiduese, duke e bërë të lehtë çorientimin në shtratin e detit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco