Wagner nis revoltën kundër Moskës, kërkohet koka e …

Wagner nis revoltën kundër Moskës, kërkohet koka e …

08:35, 24/06/2023
A+ Aa A-

Në kulmin e kundërofensivës së Ukrainës kundër trupave të Vladimir Putin, Rusia duket se po shkon drejt një lufte civile, pasi shefi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin ka nisur një aksion për të rrëzuar nga pushteti kreun e Kremlinit.

Pasi mbrëmjen e djeshme Prigozhin i bëri thirrje ushtrisë për t’u rebeluar kundër komandës kryesore dhe ministrit të Mbrojtjes, gjatë natës revolta e tij, e cilësuar si një tentativë për grusht shteti nga Moska zyrtare ka avancuar.

Në pamjet që po qarkullojnë në Telegram, shihen burra të armatosur që marrin kontrollin e plotë të shtabit të policisë së Rostovit.

Ata shihen duke u ngjitur në selinë e policisë rajonale të qytetit, që i përkasin ministrisë së brendshme.

Reuters raporton se nuk ishte menjëherë e qartë se cilët ishin personat e armatosur. Agjencia e lajmeve ishte në gjendje të verifikonte vendndodhjen si godina e selisë së policisë, por jo të përcaktonte se kur ishte xhiruar video.

Ndërkohë, autoritetet në rajonet jugore të Rusisë janë vënë në alarm duke ndërmarrë masa për të garantuar sigurinë publike pasi Yevgeny Prigozhin tregoi se planifikonte të dërgonte njerëz në Moskë për të rrëzuar kupolën ushtarake të Putinit.

Rusia ndërkohë ka hapur një çështje penale kundër kreut të grupit mercenar Wagner për rebelim të dyshuar të armatosur, me masa të forta sigurie që po aplikohen në kryeqytet.

Yevgeny Prigozhin në fjalën e djeshme akuzoi ministrinë e Mbrojtjes se kishte shënjestruar trupat e veta në zonat e konfliktit në Ukrainë dhe se kanë urdhëruar një sulm me raketa në kampet fushore të Wagnerit duke vrarë një numër të madh të ushtarëve të tij.

Ai paralajmëroi se trupat e tij do të lëvizin për të ndëshkuar ministrin Sergei Shoigu dhe i kërkoi ushtrisë të mos bëjë rezistencë.

‘Ky nuk është një rebelim i armatosur, por një marshim drejtësie’, tha Prigozhin.

Megjithatë, nuk ka asnjë provë deri më tani për ndonjë lëvizje apo marshim nga trupat e Wagner.

FSB sakaq u ka kërkuar luftëtarëve të Wagner që të mos zbatojnë urdhra kriminale dhe tradhtare me kërkesë të Prigozhin dhe në vend të kësaj, të ndërmarrin hapa për ta kapur atë.

Agjencitë lokale përcollën një deklaratë nga shërbimi i sigurisë, e cila tha se komentet e shefit mercenar përbëjnë një thirrje për të filluar konfliktin e armatosur civil në Rusi dhe janë një ‘thikë pas shpine’ për ushtrinë e vendit.

Ministria ruse e mbrojtjes ka mohuar orkestrimin e një sulmi ndaj luftëtarëve të Wagner-it duke i përshkruar akuzat si ‘të pavërteta dhe një provokim informativ’.

Sipas agjencisë së lajmeve TASS, presidenti Vladimir Putin është vënë në dijeni për zhvillimet e fundit dhe ‘po merren masat e nevojshme’.

Siguria tani është forcuar në objektet kryesore në Moskë, ndërsa policia dhe Garda Kombëtare u përpoqën për të mbrojtur agjencitë qeveritare dhe infrastrukturën e transportit.

Putin po ashtu do të mbajë një fjalim televiziv së shpejti, për t’u drejtuar kombit. /A2

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco