Dështimi me paradën/ Putini anulon papritur shfaqjen me fluturimet

Dështimi me paradën/ Putini anulon papritur shfaqjen me fluturimet

11:03, 09/05/2023
A+ Aa A-

Parada e Ditës së Fitores në Rusi ishte një dështim. Më pak ushtarë, më pak pajisje ushtarake, asnjë tank modern dhe mbi të gjitha, asnjë fluturim në ajër. Kjo paradë ishte më e shkurtër se zakonisht

Nga Filipp Piatov, BILD

Supozohej të ishte parada e madhe e stilit të Putinit- por u kthye në një dështim të turpshëm!

Në paradën e madhe ushtarake të Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq, shfaqja me fluturimet ushtarake u anulua papritur.

Agjencia ruse e lajmeve, TASS, raportoi: “Pjesa ajrore e paradës së Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq është anuluar”.

Një turp për ushtrinë ruse, Kremlinin dhe diktatorin rus, Vladimir Putin personalisht. Sepse në Rusi, Dita e Fitores është dita më e rëndësishme e vitit; rusët ndjehen krenarë për fitoren e sovjetikëve ndaj ushtrisë naziste. Parada ushtarake është akti më i rëndësishëm propagandistik i Putinit...

Në vend të një shfaqjeje kulmuese me fluturime, rusët u mjaftuan me një marshim trupash- dhe një fjalim të ashpër luftarak nga diktatori i tyre...

Sot Rusia feston Ditën e Fitores të ushtrisë sovjetike ndaj Gjermanisë naziste. Në mëngjes, diktatori i Kremlinit, Vladimir Putin i vendosi trupat e tij në Sheshin e Kuq përballë mureve të Kremlinit; mijëra ushtarë, pajisje të rënda ushtarake, sisteme raketore luftarake...

Ndërsa ushtria ruse në Ukrainë është përballë një dështimi, Putini dëshiron të shfaqet sot si një fitimtar- prandaj mbajti një fjalim të ashpër lufte. Ai u tërbua kundër Perëndimit, krijoi një kërcënim ekzistencial për vendin e tij dhe lavdëroi ushtrinë e tij kriminale!

Putini e nisi fjalimin e tij me një pohim të ashpër: “Për Rusinë nuk ka popuj armiqësorë, as në Perëndim dhe as në Lindje”.

Por, është Rusia ajo që po zhvillon një luftë kriminale kundër Ukrainës, duke vrarë dhjetëra mijëra civilë atje. Është Rusia ajo që kërcënon vendet perëndimore me sulme bërthamore dhe bën thirrje vazhdimisht për sulme ndaj Polonisë, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Putini nuk tha asnjë fjalë për këtë: përkundrazi ai pretendon se Rusia dëshiron një botë paqësore, të lirë dhe të qëndrueshme. Dhe e përshkruan diktaturën e tij si çlirimtaren e Europës, trashëgimtaren e Bashkimit Sovjetik që mundi Gjermaninë naziste.

Luftënxitësi Putin këmbënguli që të lavdëronte ushtrinë e tij kriminale për luftën në Ukrainë. “Ne jemi krenarë për pjesëmarrësit në operacionin special ushtarak në Ukrainë”.

Në paradë morën pjesë edhe 350 veteranë të luftës agresive kundër Ukrainës. Putini i përshkroi ushtarët e tij si çlirimtarët e Donbasit- njësoj si paraardhësit e tyre që u ngritën heroikisht kundër kërcënimin naziste.

Çfarë gënjeshtre perverse!

Në fund të fundit janë trupat ruse që sulmuan Ukrainën pa asnjë arsye, duke vrarë, plaçkitur, torturuar dhe përdhunuar atje. Putini nuk e tha asnjë fjalë për këtë.

Në vend të kësaj, Putini foli për një kërcënim ndaj vendit të tij. “Një luftë e vërtetë po bëhet kundër atdheut tonë,” tha diktatori në Sheshin e Kuq. “Elitat perëndimore po mbjellin urrejtje ndaj rusëve. Ata po përpiqen të shkatërrojnë vendin tonë”.

Putini e injoroi faktin se është propaganda e tij ajo që po agjiton çdo ditë kundër vendeve të tjera, duke bërë thirrje për luftë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco