Kundërofensiva ukrainase po merr formë/ Rrëzohen 15 nga 18 raketa ruse

Kundërofensiva ukrainase po merr formë/ Rrëzohen 15 nga 18 raketa ruse

11:17, 01/05/2023
A+ Aa A-

BILD

Sistemi ukrainas i mbrojtjes ajrore, i përforcuar së fundmi me mbërritjen e armatimeve perëndimore, ka rrëzuar 15 nga 18 raketat kruz që u hodhën nga Rusia duke u gdhirë e hëna. Rusët i nisën raketat nga bombarduesit strategjikë.

Administrata ushtarake e Kievit shkroi në Telegram të hënën: “Sonte armiku kreu një tjetër sulm ajror masiv në Ukrainë”.

Raketat që nuk u kapën nga mbrojtja ajrore përfunduan kryesisht në Pavlohrad. Sipas administratës lokale, 25 persona u lënduan dhe dhjetëra objekte u dëmtuan. Kurse në Cherson u raportua për një të vdekur dhe tre të plagosur. Katër fëmijë janë mes të plagosurve nga sulmi rus.

Ndërkohë, përgatitjet për ofensivën e pritshme pranverë të Ukrainës kundër agresorëve rusë po marrin formë. Një zëdhënëse e komandës ushtarake jugore tha të dielën se shkatërrimi i logjistikës ruse është një nga elementët e kësaj kundërofensive.

Ajo i referohej zjarrit që thuhet se shkatërroi një depo të madhe karburanti në gadishullin e Krimesë, të aneksuar ilegalisht nga Rusia. Zjarri shkaktoi një shqetësim të madh te ushtria ruse, thanë burimet ukrainase.

“Fakti që logjistika e armikut po minohet- kjo punë përgatit ofensivën e madhe në shkallë të gjerë që po e presin të gjithë. Armiku e kupton se burimet e tij po shkatërrohen. Prandaj ka nisur të manovrojë,” tha zëdhënësja Natalia Humenyuk.

Ushtria ukrainase nuk ka marrë drejtpërdrejt përgjegjësinë për zjarrin në qytetin port të Krimesë, Sevastopol. Por ajo tha se u shkatërruan dhjetë cisterna me një kapacitet prej 40 mijë ton karburant për flotën ruse të Detit të Zi. Zjarri u shkaktua nga një sulm me dron. Guvernatori i Sevastopolit, i caktuar nga Rusia, fajësoi Ukrainën.

Të premten, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Rerznikov tha se përgatitjet për një kundërofensivë ndaj agresorëve rusë ishin afër përfundimit. Forcat e armatosura të Ukrainës ‘janë gati në një nivel të lartë’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco