Rusia kërcënon Poloninë: Avionët e NATO-s përzënë avionin e zbulimit e dy sulmues

Rusia kërcënon Poloninë: Avionët e NATO-s përzënë avionin e zbulimit e dy sulmues

11:11, 14/02/2023
A+ Aa A-

Tre avionë rusë kanë kërcënuar hapësirën ajrore të Polonisë duke detyruar forcat e NATO-s të reagojnë. Forcat ajrore holandeze e më pas ato gjermane e franceze, kanë shoqëruar një avion zbulimi e dy sulmues të ushtrisë ruse deri jashtë hapësirës ajrore të aleancës.

Tre avionë rusë gati sa nuk kanë shkelur hapësirën ajrore të NATO-s së fundi duke detyruar aleatët të ndërhyjnë për largimin e tyre nga zona pranë Polonisë. Ministria holandeze e Mbrojtjes dhe vetë komanda ajrore e NATO-s njoftuan se avionët e ushtrisë ruse janë pikasur teksa afroheshin nga Kalinigradi e më pas shoqëruar deri në distancën e duhur nga hapësira ajrore e aleancës.

Për kryerjen e operacionit, janë përdorur fillimisht dy avionë luftarakë F-35 të policimit ajror të forcave të ushtrisë holandeze që kanë bërë konstatimin e avionëve rusë. NATO tha se bëhej fjalë për një avion zbulimi të emëruar IL-20M Coot-A që shoqërohej nga dy avionë sulmues Su-27 Flankers.

Pas konstatimit të tyre, avionët holandezë kanë kontaktuar me autoritetet e tjera të aleancës dhe në operacion janë përfshirë edhe avionët gjermanë e francezë Eurofighters, të cilët kanë bërë shoqërimin dhe largimin e aeroplanëve rusë.

Në faqen zyrtare të komandës ajrore të NATO-s thuhet se tre avionët rusë përbënin rrezik për përdoruesit e tjerë të hapësirës ajrore duke injoruar rregullat ndërkombëtare të sigurisë ajrore.

Zona e Kalinigradit ku ndodhi incidenti ajror, është një enklavë ruse e bregdetit baltik midis Polonisë dhe Lituanisë, të cilat janë vende anëtare të aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s. Avioni i madh Il-20M Coot-A është emri raportues i NATO-s për avionin rus të zbulimit Ilyushin Il-20M ndërsa Su-27 Flankers është emri raportues për avionët luftarakë Sukhoi Su-28.

Reuters citon se Ministria ruse e mbrojtjes nuk i është përgjigjur ende një kërkese për koment. Ushtria e Holandës nga ana tjetër bëri të ditur se tetë avionë të saj F-35 janë të stacionuar në Poloni në kuadër të misioneve të aleancës për policimin dhe sigurimin e hapësirës ajrore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco