‘Përqafimi me Cavusoglu, i vërtet dhe i ndjerë’, ministri i Jashtëm i Greqisë: Klimë e re në raportet Greqi-Turqi

‘Përqafimi me Cavusoglu, i vërtet dhe i ndjerë’, ministri i Jashtëm i Greqisë: Klimë e re në raportet Greqi-Turqi

09:03, 14/02/2023
A+ Aa A-

Një intervistë tepër njerëzore ka dhënë ministri i Jashtëm i Greqisë menjëherë pas kthimit nga zonat e shkatërruara nga tërmeti i frikshëm në Turqi, gjatë të cilës pozicionohet me tone të ulëta, ndërsa mbizotëron urtësia njerëzore dhe mesazhet e sinqerta humane të Nikos Dendias ndaj petkut diplomatik të zakonshëm të një ministri të Jashtëm.

Ministri i Jashtëm i Greqisë është i pari ministër europian që ka vizituar Turqinë pas tërmeteve shkatërruese. I pyetur që në fillim të intervistës, dhënë dje në mbrëmje për kanalin televiziv grek “Star” dhe gazetaren Mara Zaharea për përshtypjet e tij nga kjo vizitë, sesi e përjetoi nga afër situatën dramatike, ministri grek e ka përmbledhur në tre fjalë “një tragjedi pafund”.

“Qyteti që unë vizitova, Hatay, sepse nuk është i vetmi qytet që është prekur, ka pësuar një goditje dërrmuese. Jo vetëm që shumica e ndërtesave ose janë rrëzuar ose anuar ose kanë dëmtime masive, por i gjithë rrjeti i infrastrukturës, aeroporti, rrugët, rrjeti elektrik, rrjeti i gazit, gjithçka ka pësuar dëme masive. Është një fatkeqësi e jashtëzakonshme, një situatë pikëlluese” është shprehur tepër i trishtuar ministri grek duke vijuar rrëfimin për të mbijetuarit e tërmetit “Situata është tepër e vështirë sepse temperatura natën bie nën zero, të mbijetuarit kanë nevojë për ndihmë të madhe, për rreth 65.000 tenda dimërore sa më shpejt, për kontejner për të vendosur pjesën më delikate të popullsisë, mungojnë shtretërit nëpër spitale, duhen spitale ambulatore. Të gjitha këto vlejnë për Turqinë dhe Sirinë, me një ndryshim se me qeverinë e Sirisë është e pamundur të komunikojmë.  

Radhë kilometrike për braktisjen e qyteteve të rrënuara

Ministri grek është shprehur se Turqisë do t’i duhen shumë vite për të rikthyer situatën në normalitet pasi dy tërmetet e fuqishëm ishin tepër sipërfaqësor, por nuk janë vetëm dëmet materiale, por së pari duhet të rikthehet besimi i banorëve. “Njerëzit, ata pak banorë me të cilët kam kontaktuar, janë të frikësuar. Të tmerruar, të përlotur, kanë vajtuar humbjen e popullit të tyre. Mundësia për të jetuar në këtë hapësirë aktualisht po vihet në dyshim. Radha e makinave që largohen nga zona është kilometrike” ka thënë Nikos Dendias duke shtuar se akoma edhe qyteti Adana, relativisht më pak i prekur nga tërmeti, është transformuar në një qytet fantazmë, po braktiset vazhdimisht nga mijëra banorë.

Cavusoglu për lëkundjet pas sizmike

Dendias është referuar dhe në ecurinë sizmike duke theksuar që në fillim se nuk është sizmolog, por është interesuar të ketë informacion nga homologu i tij, Mevlut Cavusoglu, i cili i ka konfirmuar se zona ka pasur 1600 lëkundje pas sizmike, me një madje mbi 6 ballë të shkallës Rihter, duke shtuar se nuk ka asnjë mundësi qytetarët të binden të vazhdojnë të qëndrojnë në zonë nëse nuk ndalojnë këto lëkundje.  

Greqia vijon të jetë pranë Turqisë

Pas dërgimit të kontigjentëve të parë të ndihmave dhe forcave speciale të shpëtimtarëve, Greqia do të vijojë të jetë pranë popullit turk. Ministri Nikos Dendias është referuar në këtë pikë konkretisht “Në Turqi transmetova mesazhet e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, se Greqia do të vijojë të ndihmojë Turqinë me të gjitha forcat, ndërkohë që bëjmë pjesë dhe në kuadrin e ndihmave të BE-së si dhe të kuadrit të Mbrojtjes Civile të BE-së. Normale që bashkëqytetarët tanë turq dhe sirianë do të kenë mbështetjen tonë të vazhdueshme” ka theksuar Dendias. Ndërkohë që ka shtuar se siç ka konstatuar gjatë vizitës, qeveria turke ka bërë mjaft punë në planin e kërkesave që do të paraqesin duke konfirmuar se Greqia do përpiqet të përballojë sa më shumë nga nevojat e jashtëzakonshme, duke shtuar me emfasi se realiteti dhe katastrofa është e përmasave të tilla që tejkalon shumë çdo përllogaritje të mundshme.   
 
Kërkoj koordinimin e një rrjeti human nga mbarë shoqëria greke

Ministri Nikos Dendias ka bërë një propozim të hapur gjatë intervistës së tij. “Nëse më lejoni, do doja të shtoj diçka. Ndoshta do kishte kuptim një iniciativë e koordinuar bashkëhelenike, ndoshta nga media greke, me një objektivë të qartë të nivelit të lartë të solidaritetit grek kundrejt bashkëqytetarëve tanë turq. Mendoni një platformë elektronike, për shembull. Ju e dini më mirë, unë thjesht dua të theksoj se përveç qeverisë, fondacioneve bamirëse, është e nevojshme që gjithë shoqëria greke sot të tregojë solidaritetin e plotë ndaj fqinjëve tanë në Egje, në këtë moment jashtëzakonisht të vështirë.
 
Raportet greko-turke në një nivel të ri

Në raportet mes dy vendeve dhe foton e përqafimit të ngrohtë të dy ministrave është ndalur gazetarja greke, si dhe reagimin ndryshe të mjaft mediave turke nga ish-retorika pro sulmeve “natën” në mirënjohjen për fqinjin e pranishëm për të marrë deklaratën përkatëse të Nikos Dendias: “ Po mjaftohem me elementin njerëzor për momentin, mendoj se është shumë herët për gjithçka tjetër. Do mbajmë sot gjallë elementin njerëzor dhe mundësinë që popujt e dy vendeve, dy shoqëri erdhën shumë më afër njëra tjetrës. Vetë fakti që të ndodhte kjo u desh  dhembja e një fatkeqësie është ndoshta një shenjë se sado serioze të jenë divergjencat apo kontradiktat që mund të kenë cilado vende të kësaj bote, vuajtja, dhembja njerëzore i tejkalon gjithmonë. Kështu, do të jetë gjithmonë e mundur të tejkalojmë çdo kontradiktë, mjafton të jemi plotësisht të vetëdijshëm të vulnerabilitetit, brishtësisë humane, sa të vegjël jemi ne njerëzit përballë katastrofave natyrore.
 
Përqafimi me Cavusoglu, i vërtet dhe i ndjerë

Dendias nuk ka ngurruar të pranojë se përqafimi me homologun turk që ka tërhequr vëmendjen e medias në gjithë botën nuk ishte i sajuar, përkundrazi “Me Cavusoglu përqafimi në radhë të parë kishte të bënte me çfarë ndjejmë të dy për njëri tjetrin, me sfond këtë tragjedi të jashtëzakonshme. Por dhe me faktin se njihemi kaq shumë vite bashkë”, ka theksuar Dendias.

Realiteti i ri i raporteve dhe Erdogan

Për “akullin e thyer” mes kryeministrit grek K.Mitsotakis dhe presidentit turk R.T.Erdogan nga maji i vitit të kaluar ka folur Nikos Dendias: “Mendoj se kemi një klimë të re në raportet tona për momentin. Nuk do të bëj asnjë krahasim me të shkuarën, nuk kam pse të krahasoj as publikime dhe as sjellje në raport me të shkuarën. Sot ka ndodhur një tragjedi. Greqia do të ndihmojë shoqërinë turke, popullin turq dhe qytetarët turq dhe qytetarët sirianë, gjithë të prekurit nga tragjedia sa e si mundet dhe të gjithë njerëzit që u testuan, në masën që mundet.
 
Kushtetuta turke nuk lejon shtyrjen e zgjedhjeve të majit

Në lidhje me aludimet për shtyrjen e zgjedhjeve të majit në Turqi, Dendias është shprehur se “Nuk besoj se kushtetuta e Turqisë lejon shtyrjen e datës së shpallur të zgjedhjeve. Padyshim që do të ketë vështirësi në zonat e shkatërruara nga tërmeti për t’u shprehur vullneti i popullit turk, por unë mendoj se përveç kësaj, zgjedhjet do të zhvillohen në kohën e caktuar.  
 
Mbresat më të fuqishme të vizitës në Hatay, shpëtimtarët dhe qenushat

Së fundi, Nikos Dendias ka folur dhe për çfarë i la më shumë mbresa gjatë kësaj vizite në dramën e thellë të popullit turk. “U ndjeva shumë krenar që patriotët e mi të forcave shpëtimtare shpëtuan jetë njerëzish. Gjithsej, forcat shpëtimtare europiane nxorën gjallë nga rrënojat 205 njerëz (*ky numër ishte sa kohë isha unë aty, ndoshta janë gjetur disa akoma). Disa prej të shpëtuarve i nxorrën forcat greke dhe kjo më bëri shumë krenar.

Së fundi, të mbetem i sinqertë, dua të shtoj se kemi dhe një kontribut më të heshtur, tre qenushat tanë të forcave shpëtimtare, që gjithashtu shpëtuan jetë njerëzish nga rrënojat.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco