'Luftëtarët TikTok': Çfarë po bëjnë ushtarët çeçenë në Ukrainë?

'Luftëtarët TikTok': Çfarë po bëjnë ushtarët çeçenë në Ukrainë?

10:06, 20/01/2023
A+ Aa A-

Çeçenët janë ndër disa grupe etnike që marrin pjesë në luftime në të dyja anët e luftës në Ukrainë.

Ata që luftojnë së bashku me trupat ukrainase janë armiqtë më të vjetër dhe më të ashpër të presidentit rus Vladimir Putin - veteranët e luftërave në atdheun e tyre dhe separatistët e shpallur në kërkim nga Moska, të cilët kanë qenë në anën e Kievit që nga viti 2014.

Në të njëjtën kohë, Rusia i ka përdorur çeçenët besnikë ndaj Kremlinit për të vënë  disiplinë dhe thuhet se edhe për të ekzekutuar ushtarë kundërshtarë si dhe për të frikësuar civilët në Ukrainë.

Por çfarë po bëjnë çeçenët në Ukrainë? Pse janë atje? Dhe çfarë efekti kanë ata brenda dhe jashtë fushës së betejës?

Luftëtarët TikTok

Asnjë njësi tjetër ushtarake ruse nuk ka aq shumë kameramanë në listën e saj sa ushtria e Kadyrovit. Kameramanët profesionistë, që mbajnë nga dy kamera secili, regjistrojnë "bëmat fitimtare" të Kadyrovitëve çdo ditë. Trupat e Kadyrov dallohen për pajisjet e tyre të shtrenjta, pamjen brutale dhe thirrjet e dukshme "Akhmat është fuqi".

Edhe nën zjarrin e plumbave, çdo kadirovit që ka një kamerë të drejtuar nga ai është i detyruar t'i drejtohet Padishahut të tij dhe ta sigurojë atë se ai po zbaton urdhrat e tij. Për shkak të narcizmit dhe pasionit të tyre për rrjetet sociale, Kadirovitët janë mbiquajtur "Luftëtarët Tik-Tok". Shumica e videove janë të inskenuara për trimëritë e tyre.

Pse ushtarët çeçenë po luftojnë për Rusinë në Ukrainë?

Çeçenia është një pjesë e trazuar e Rusisë jugore në rajonin Kaukazit. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, popullsia e saj kryesisht myslimane u përpoq të shkëputej dhe të krijonte shtetin e vet.

Kjo çoi në dy luftëra të tmerrshme gjatë viteve '90, të cilat përfunduan me vëniën e Çeçenisë nën kontrollin e qeverisë ruse.

Çeçenët që luftojnë për Rusinë në Ukrainë sot, thonë ekspertët, janë ata që u bashkuan me qeverinë e Moskës për të thyer rebelimin e popullit të tyre gjatë Luftës së Dytë Çeçene nga viti 1999 deri në vitin 2009.

Që atëherë, ata kanë vepruar si forcat e sigurisë të Republikës gjysmë-autonome çeçene, duke mbajtur një kontroll të hekurt mbi popullsinë dhe duke shtypur rebelët separatistë dhe disa islamikë, të cilët mund të përpiqen të sfidojnë edhe një herë Moskën.

"Ata janë zgjedhur nga regjimi rus," thotë Jean-Francois Ratelle, një asistent profesor në Universitetin e Otavës, i specializuar në konfliktin çeçen. "Atyre u janë dhënë armë, vende pune dhe miliarda dollarë nga shteti."

Burrat çeçenë që luftojnë nën flamurin e Rusisë njihen si Kadirovski ose Kadirovitët, sipas babait të liderit të Republikës Çeçene, Ramzan Kadyrov, i quajtur shpesh si një nga "qentë e tërbuar të Putinit".

Ramzan e trashëgoi pozitën nga babai i tij, Akhmad Kadyrov, një “palltokthyer” që fillimisht shpalli xhihadin kundër Moskës gjatë Luftës së Parë Çeçene.

Në kohën e konfliktit të dytë çeçen në 1999, të dy, Akhmad dhe Ramzan, që shërbeu si shofer dhe truproje personale e babait të vet, dezertuan dhe kaluan në anën ruse.

Që atëherë, milicia është mbështetur nga shërbimi kryesor rus i sigurisë, FSB.

"Ata janë si ushtria e tij personale," tha për Euroneës, Harold Chambers, një analist i Kaukazit të Veriut, duke theksuar se një "arsye e madhe" pse ata janë në Ukrainë është sepse Kadyrov, një mbrojtës i vendosur i luftës, dëshiron të fitojë favore te presidenti rus.

Në tetor, Kadyrov pretendoi se kishte dërguar tri djemtë e tij, 14, 15 dhe 16 vjeç, për të luftuar me forcat ruse në vijën e frontit në Ukrainë.

Çfarë ndikimi kanë pasur çeçenët në fushën e betejës?

Mijëra këmbësorë çeçenë u derdhën në Ukrainë gjatë ditëve të para të luftës, e cila filloi më 24 shkurt 2022.

Vlerësimet për numrin e tyre ndryshojnë, por mendohet se ka rreth 9,000 çeçenë në anën ruse, me më shumë se 21,000 që kanë kaluar gjatë konfliktit.

Të mësuar mirë me operacionet kundër kryengritjes në atdhe, ata kanë marrë pjesë në luftimet në qytet në Maripol, Sievierodonetsk dhe më gjerë në rajonin e Donbasit në Ukrainën juglindore.

Por Ratelle ishte skeptik për rëndësinë e tyre në fushën e betejës, duke i krahasuar me një ushtri private të disponueshme.

"Këto nuk janë trupa elitare," tha ai. “Ato me shumë gjasa janë përdorur si një forcë që kërcet… Është gjithmonë më e lehtë të vritet një çeçen në luftë sesa një rus etnik.”

"Ata u trajtuan si mish për top për një kohë".

"Mobilizimi i pjesshëm" i Putinit prej 300,000 trupash, i shpallur në shtator, ka shënjestruar në mënyrë disproporcionale popullsinë e pakicave etnike ose migrantët nga Azia Qendrore, shumë prej të cilëve vijnë nga komunitete të varfra.

Po kush janë çeçenët që po luftojnë për Ukrainën? Dhe pse janë atje?

Por Rusia nuk është e vetmja palë që përdor çeçenët në fushën e betejës.  Ndërsa numri i tyre është shumë më i vogël, vlerësohet në rreth 200 luftëtarë, analistët thonë se çeçenët janë bashkuar me forcat ukrainase dhe po luftojnë në krah të Ukrainës - ndonjëherë duke u përfshirë në përleshje me çeçenë të tjerë në anën ruse.

"Ju keni një si “tenxhere” me lloje të ndryshme njerëzish dhe ideologjish," tha Ratelle. "Ka çeçenë anti-rusë, veteranë nga luftërat çeçene dhe të mërguar nga Evropa Perëndimore dhe Turqia."

Shumë prej tyre u zhvendosën në Ukrainë për të luftuar Rusinë në vitin 2014, kur Moska pushtoi ilegalisht Krimenë, një ngjarje që nisi armiqësitë.

"Ata e perceptojnë luftën kundër Rusisë si diçka trans-nacionale," tha Ratelle. “Ata besojnë se një Rusi imperialiste po vepron në të njëjtën mënyrë siç veproi në Çeçeni në vitet 1990, siç është në Ukrainë tani”.

Fushata ushtarake e Rusisë në Çeçeni gjatë viteve 1990 u shënua nga nivele të paimagjinueshme vdekjesh dhe shkatërrimesh, bombardime të pamëshirshme të zonave civile dhe raporte pothuajse të përditshme të mizorive të kohës së luftës, të cilat ekspertët pretendojnë se kanë një ngjashmëri "të çuditshme" me Ukrainën.

Mundja e Rusisë ka një qëllim politik për luftëtarët çeçenë, të lidhur me fatin e atdheut të tyre.

“Hapi i parë në mendjet e tyre është të mposhtin Rusinë dhe ta kthejnë përsëri Çeçeninë,” shpjegoi Chambers. “Ata duan të çlirojnë Çeçeninë nga sundimi rus”.

"Nja dy duzina" islamikë radikalë

Një numër i vogël i atyre që luftojnë për Ukrainën vijnë nga grupe radikale xhihadiste që luftuan përkrah të ashtuquajturit Shteti Islamik në Siri.

“Po flasim për disa duzina maksimumi”, tha Ratelle. "Ukraina për një kohë ka qenë një strehë e sigurt për shumë islamikë çeçenë."

Të pyetur nga Euronews nëse ishte e mundur që armët e furnizuara nga Perëndimi të përfundonin në duart e grupeve radikale xhihadiste, të dy ekspertët thanë se nuk mund ta përjashtonin mundësinë, megjithëse shtuan se rreziku ishte i ulët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco