Gjendet një i vdekur nën gërmadhat e ndërtesave të shembura në Lille të Francës

Gjendet një i vdekur nën gërmadhat e ndërtesave të shembura në Lille të Francës

14:53, 13/11/2022
A+ Aa A-

Punonjësit e shpëtimit nxorën një trup mëngjesin e së dielës në qytetin verior të Francës, Lille, pas një kërkimi prej disa orësh nëpër rrënojat e dy ndërtesave të shembura.

Dy shtëpi të vogla ngjitur u shembën në një rrugë tregtare në qendër të qytetit rreth orës 9:15 të mëngjesit me orën lokale (8:15 GMT) të shtunën.

Në fillim shembjet nuk dukej se kishin shkaktuar viktima. Shtëpitë ishin evakuuar gjatë natës si një masë paraprake pas një paralajmërimi nga një banor se njëri prej mureve ishte "deformuar", tha policia.

Autoritetet shpejt kuptuan se një mjek mungonte kur thirrjet në telefonin e tij mbetën pa përgjigje. Atij i ishte dhënë një apartament me qira në godinë për fundjavën.

Kufoma u gjet mëngjesin e së dielës dhe nënkoloneli i shërbimit zjarrfikës, Stephane Beauventre, i cili drejton operacionet e shpëtimit, tha se besonin se ishte mjeku.

"Trupi shkoi në institutin e mjekësisë ligjore. Do të identifikohet qartë më vonë," tha Beauventre.

Zyrtarët vizituan shtëpitë fqinje të shtunën për të kontrolluar për çarje ose rrjedhje gazi pas shembjes.

Një banor i njërës prej godinave ka vënë re fillimisht se diçka nuk po shkonte në orët e para kur po hynte e shtuna, kur u kthye në shtëpi dhe pa se “ndërtesa kishte lëvizur”.

"Ne nuk mund ta hapnim derën, dëgjuam rrënojat që binin," tha Thibault Lemay për radion franceze, duke shtuar se ai paralajmëroi menjëherë shërbimet e urgjencës.

Policia bashkiake dhe zjarrfikësit vendosën të evakuojnë ndërtesat, pasi "kishte një rrezik real", tha kryebashkiaku i Lille, Martine Aubry.

Një tjetër banor, Benjamin Lopard, 35 vjeç, i tha AFP: "Nuk më kishte zënë ende gjumi kur zjarrfikësit filluan të përplasnin dyert, por mendova se ishin njerëz që festonin dhe qëndrova në shtrat".

“Kur mbërriti policia, kuptova se ishte serioze”, tha ai, duke shtuar se u largua rreth orës 5:30 të mëngjesit me letrat, kompjuterin dhe sa ndërresa. Pastaj të dyja shtëpitë trekatëshe u shembën rreth orës 9:15.

“Tani e kuptoj fatin e jashtëzakonshëm që patëm”, tha Lopard. Pa evakuimin, tha ai, "ne të gjithë do të ishim në arkivole druri".

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco