'Për lirinë!' - Aktoret e famshme franceze presin flokët në shenjë proteste për vdekjen e Mahsa Amini

'Për lirinë!' - Aktoret e famshme franceze presin flokët në shenjë proteste për vdekjen e Mahsa Amini

14:26, 05/10/2022
A+ Aa A-

Aktoret më të njohura franceze, përfshirë Juliette Binoche dhe Isabelle Huppert, kanë prerë flokët në shenjë proteste ndaj vdekjes së Mahsa Amini, vajzës iraniane që vdiq kur ishte futur në  paraburgim nga policia morale e Iranit.

Amini, 22 vjeçe, u arrestua më 13 shtator në Teheran për "veshje të papërshtatshme" dhe vdiq tre ditë më vonë në spital, duke shkaktuar valë protestash në të cilat kanë vdekur mbi 130 njerëz, sipas grupeve të të drejtave.

Policia e moralit zbaton kod të rreptë veshjeje në Republikën Islamike.

"Për lirinë," tha Binoche ndërsa hoqi një tufë të madhe nga flokët e saj ngjyrë gështenjë dhe i ngriti para kamerës.

Binoche iu bashkua aktoreve dhe këngëtareve të tjera franceze si  Marion Cotillard dhe Isabelle Adjani në prerjen e flokëve, me një interpretim në persisht të këngës protestuese italiane "Bella ciao" në video.

“Mahsa Amini u keqtrajtua nga policia e moralit derisa pasoi vdekja. Gjithçka për të cilën ajo u akuzua ishte mbajtja e velit të saj në një mënyrë të papërshtatshme. Ajo vdiq për shkak të ekspozimit të disa tufave të flokëve të saj”, thuhet në një tekst në videon e postuar në Instagram nga soutienfemmesiran (Mbështetje për Gratë e Iranit).

Postimi është transmetuar gjerësisht në media të tjera sociale, duke përfshirë Facebook dhe Tëitter.

Sunduesit klerikë të Iranit janë përballur me trazirat më të mëdha mbarëkombëtare në vite që nga vdekja e Amini dhe protestat janë përhapur edhe jashtë vendit, duke përfshirë Londrën, Parisin, Romën dhe Madridin në solidaritet me demonstruesit iranianë.

“Gratë iraniane presin mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo është një mënyrë e bukur për të treguar atë mbështetje”, tha për Reuters avokati francez Richard Sedillot, i cili e nisi aksionin.

“Ky është vetëm një hap i parë, shpresoj që të gjithë në botë ta ndjekin, jo vetëm aktoret, por të gjithë. Burrat gjithashtu mund të presin flokët, mendoj se do të ndodhë.”

Juristët, personalitetet e medias dhe gra të tjera në Francë kanë ndjekur shembullin.

Solidaritet me protestuesit në Iran: Eurodeputetja suedeze pret flokët në Parlamentin Europian

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco