Çmim tavan për gazin: BE skicon strategjitë e mundshme para takimit të së premtes

Çmim tavan për gazin: BE skicon strategjitë e mundshme para takimit të së premtes

09:28, 05/10/2022
A+ Aa A-

Komisioni Evropian ka përshkruar strategjitë e mundshme për të kufizuar çmimet e gazit, pasi blloku përballet me një krizë energjie të afërt këtë dimër. Shtetet anëtare janë të ndara përsa i përket masave emergjente për të ulur inflacionin në rritje prej luftës së Rusisë në Ukrainë.

Një propozim është një kufi i përkohshëm "fleksibël" mbi çmimet e gazit, për të garantuar që Evropa të vazhdojë të sigurojë mjaftueshëm gaz, tha të martën komisionerja e BE-së për energjinë, Kadri Simson.

Një ide tjetër mund të jetë një "kornizë" në mbarë BE-në për një kufi çmimi të gazit që përdoret për të prodhuar energji elektrike, e cila do të kombinohej me masa me qëllim që kërkesa për gaz të mos rritet për pasojë, shtoi ajo.

Udhëheqësit e BE-së do të takohen të premten për të debatuar mbi strategjitë e tavanit të çmimit të gazit.

Javën e kaluar, Franca, Italia, Polonia dhe 12 vende të tjera të BE-së i kërkuan Komisionit të propozojë një tavan më të gjerë çmimi, që të përfshijë të gjithë tregtinë me shumicë të gazit. Por Gjermania - blerësja më e madhe e gazit në Evropë - dhe Holanda janë mes atyre që kundërshtojnë.

Rusia i ka ulur dërgesat e gazit në Evropë që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt dhe fajëson për reduktimin, sanksionet perëndimore që i janë vendosur si kundërpërgjigje për pushtimin.

Që atëherë, BE ka rënë dakord për ligje emergjence për të mbushur depozitat e gazit dhe taksimin e fitimit të papritur, për të mbledhur para për të ndihmuar konsumatorët me faturat.

Kritikët e tavanit të çmimeve

Një analist i energjisë tha për Euronews se një kufi i çmimit të energjisë ishte një "territor i paqartë" për Bashkimin Evropian.

Sektori energjetik i BE-së është kryesisht i liberalizuar dhe funksionon sipas rregullave themelore të ofertës dhe kërkesës.

Elisabetta Cornago, një studiuese e lartë e energjisë në Qendrën për Reformën Evropiane tha se "është e vështirë të imagjinohet një nivel i tillë i ndërhyrjes në treg, ky është një territor i paeksploruar."

Tavani i çmimit të energjisë do të "fillonte shpejt të kushtonte miliarda" sepse do t'i detyronte qeveritë të subvencionojnë vazhdimisht diferencën midis çmimit real të tregut dhe çmimit të kufizuar artificialisht, tha një tjetër ekspert.

"Nëse jeni të suksesshëm dhe çmimet janë të ulëta e ju ende merrni gaz, konsumatorët do të rrisin kërkesën e tyre: pra çmimi i ulët do të thotë kërkesë e lartë. Sidomos tani që po vjen dimri," tha Bram Claeys, një këshilltar i lartë në Projektin e Asistencës Rregullatore.

"Kjo rritje e kërkesës do të rrisë çmimet përsëri, duke ushtruar presion mbi tavanin tuaj të gazit ose buxhetin tuaj të qeverisë. Prapë do të ketë rrezik për të mos marrë mjaftueshëm gaz."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco