‘Pegasus’: Celularët e Kryeministrit spanjoll dhe Ministres së Mbrojtjes, të përgjuar nga spiunazhi

‘Pegasus’: Celularët e Kryeministrit spanjoll dhe Ministres së Mbrojtjes, të përgjuar nga spiunazhi

12:38, 02/05/2022
A+ Aa A-

Telefonat celularë që i përkisnin Kryeministrit dhe Ministres së Mbrojtjes të Spanjës ishin infektuar nga “spyware” Pegasus vitin e kaluar, tha të hënën një zëdhënës i qeverisë.

Telefoni celular i kryeministrit Pedro Sánchez u sulmua dy herë në maj 2021 dhe pajisja e Ministres së Mbrojtjes Margarita Robles u sulmua një herë muajin tjetër, u tha gazetarëve Ministri i Presidencës Félix Bolaños në një konferencë shtypi në mëngjes.

"Ne nuk kemi asnjë dyshim se kjo është një ndërhyrje e paligjshme, e paautorizuar," tha Bolaños. “Vjen nga organizata të jashtme shtetërore dhe për to nuk ka pasur autorizim gjyqësor”.

"Spyware" Pegasus që qëndron pas sulmit është prodhuar nga firma izraelite e sigurisë NSO, e cila thotë se ua shet softuerin vetëm agjencive qeveritare.

Bolaños tha se raportet teknike nga Qendra Kombëtare Kriptologjike e Spanjës kishin përllogaritur vëllimin e të dhënave të nxjerra nga dy pajisjet.

Gjithsej, 2.6 gigabajt informacione u morën nga telefoni i Kryeministrit spanjoll gjatë sulmit të parë dhe 130 megabajt gjatë sulmit të dytë, ndërsa Ministres së Mbrojtjes iu vodhën 9 gigabajt.

"Nuk ka asnjë provë për ndonjë ndërhyrje pas këtyre të dhënave," tha Bolaños.

Vitin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron ishte në mesin e 14 krerëve aktualë ose ish-krerëve të shtetit në një listë të objektivave të mundshëm të Pegasus, të zbuluara nga organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International.

Akuzat për spiunazh 

Qeveria e udhëhequr nga socialistët e Spanjës është nën presion për të shpjeguar pse pajisjet që i përkasin dhjetëra njerëzve të lidhur me lëvizjen separatiste në rajonin verilindor të Katalonjës u infektuan me Pegasus midis viteve 2017 dhe 2020, sipas një analize nga Citizen Lab, një grup ekspertësh të lidhur me sigurinë kibernetike me Universitetin e Torontos.

Zbulimet përfshijnë të paktën 65 persona, ndër ta zyrtarë të zgjedhur, avokatë dhe aktivistë, të vënë në shënjestër me softuerin e dy kompanive izraelite, Candiru dhe NSO Group, zhvilluesi i Pegasus.

"Spyware" infiltrohet në heshtje në telefona ose pajisje të tjera për të mbledhur të dhëna dhe potencialisht për të spiunuar pronarët e tyre.

Qeveria rajonale katalanase e ka akuzuar Qendrën Kombëtare të Inteligjencës të Spanjës ose CNI, për spiunim të separatistëve dhe deklaroi se marrëdhëniet me autoritetet kombëtare ishin "në pritje" derisa të ofroheshin shpjegime të plota dhe personat përgjegjës të ndëshkoheshin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco