Si infiltroi spiunia kineze në politikën britanike dhe pse mund të ndodhë edhe në SHBA

Si infiltroi spiunia kineze në politikën britanike dhe pse mund të ndodhë edhe në SHBA

14:18, 22/01/2022
A+ Aa A-

HELEN RALEIGH/

Në një lëvizje të rrallë javën e kaluar, agjencia britanike e zbulimit MI5 iu dërgoi një paralajmërim deputetëve për ndërhyrje në proces e sipër nga ana e një agjenteje të njohur kineze për llogari të Partisë Komuniste të Kinës (PKK). Agjentja e identifikuar kineze është Christine Ching Kui Lee, avokate dhe imigrante nga Hong Kongu me bazë në Britani. MI5 e ka vëzhguar prej vitesh Lee për shkak se ajo ka qenë aktive politikisht në Kinë e Britani.

Lee ka lidhje të ngushtë me PKK përmes Departamentit të Punës të Frontit të Bashkuar, organi sekret i partisë për influencë, i cili quhet “arma magjike” e partisë. Funksionet kryesore të Frontit të Bashkuar përfshijnë rekrutimin e individëve me influencë për të mbledhur informacion, promovuar propagandën e qeverisë dhe ndikuar në vendimmarrje brenda e jashtë vendit.

Anëtarët e Frontit të Bashkuar caktohen në shumë degë qeveritare brenda e jashtë Kinës, përfshirë “pothuajse të gjitha ambasadat kineze, të cilat tani përfshijnë personel formalisht të ngarkuar me detyra të Frontit të Bashkuar”. Nën Presidentin Xi Jinping, Fronti i Bashkuar e ka rritur shumë ndikimin e Kinës komuniste nëpër botë, përfshirë edhe përmes Instituteve Konfucius në kampuset e kolegjeve të huaja.

Fronti i Bashkuar rekruton edhe kinezë të njohur që jetojnë jashtë për të pasur ndikim në “zonat gri” – politika influence sekrete në vende të huaja që mund të kenë efekte ekonomike apo gjeopolitike mbi Kinën.

Lidhjet e Christine Lee me PKK

MI5 e ka identifikuar Lee si një nga rekrutet e Frontit të Bashkuar. Ajo ka shërbyer si kryekëshilltare ligjore për ambasadën kineze në Londër dhe këshilltare ligjore për Zyrën e Çështjeve Kineze Jashtë Vendit.

Ajo besohet se është anëtare e Kongresit Politik Konsultativ të Popullit, një organ politik i krijuar nga Fronti i Bashkuar posaçërisht për organizmin e individëve me influencë jo-anëtarë të PKK. Si anëtare e grupit, Lee shkon shpesh në Kinë për të marrë pjesë ose në Kongresin e përvitshëm Kombëtar Popullor ose në shumë konferenca të organizuara apo të pritura nga Fronti i Bashkuar.

Lee është fotografuar duke shtrënguar duart me liderin kinez Xi Jinping. Thuhet se në një nga konferencat e Frontit të Bashkuar është betuar të “ruajë unitetin e atdheut, të vërë në veprim për atdheun ndjenjat e saj dhe të luajë rolin e saj modest në rinimin e kombit kinez”.

Lee i ka kthyer fjalët në vepra. Firma e saj ligjore ka zyra në Londër, Birmingham, Pekin e Hong Kong, të cilat i japin status perfekt ekonomik e social për të promovuar axhendën e PKK. Sipas MI5, ndër vite Lee është “gjerësisht e angazhuar me individë në gjithë spektrin politik të Britanisë së Madhe”.

Thuhet se ka marrëdhënie të mira me ish-Kryeministrin David Cameron. Lee shërben si sekretare e Grupit Kinez Ndërpartiak dhe ka themeluar Projektin Britanik-Kinez. Më 2019, kryeministrja e atëhershme Theresa May i akordoi Çmimin Points of Light, si mirënjohje për “kontributin e saj në marrëdhëniet e mira me Kinën”.

Lee njihet për dhurimin e donacioneve të rëndësishme për anëtarë aktualë dhe aspirues të parlamentit britanik. MI5 e ka akuzuar Lee për përdorimin e këtyre donacione për të çuar përpara axhendën ekonomike dhe gjeopolitike të Partisë Komuniste dhe për të ndikuar në pozicionin e deputetëve karshi kompanive kineze të përfshira në projektet e infrastrukturës në Britani, të tilla si centralet bërthamore.

Deputetë të afërt me Lee nxitën për ndikimin bërthamor kinez në Britani

Nga 2015 deri në fillim të 2019, marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe Kinës ishin në fazë muaji mjalti. Pasi kompania shtetërore kineze China General Nuclear investoi në një uzinë të re bërthamore në Hinkley Point në britani, pritej që Kina do të vazhdonte me ndërtimin e uzinave të tjera bërthamore në Britani dhe eventualisht do të bëhej pronarja më e madhe e uzinave bërthamore në vend.

Në një moment, disa në Britani shtruan pyetjen nëse Britania po e vinte në rrezik sigurinë kombëtare dhe pronën delikate intelektuale duke pasur një kompani shtetërore kineze që i ndërtonte uzinat bërthamore. Barry Gardiner i Partisë Laburiste, që shërbente si sekretar hije i tregtisë për laburistët, i shpërfilli këto shqetësime dhe iu kundërvu me forcë kritikave për Kinën. Ai shkoi deri aty sa të deklaronte se nuk kishte asnjë rrezik kibernetik që mund të vinte nga përfshirja e China General Nuclear, sepse “një sulm i tillë do të minonte në radhë të parë vetë arsyen se pse kinezët donin të përfshiheshin në projekt”.

Gardiner ishte në favor të ruajtjes së përfshirjes kineze në sektorin bërthamor britanik. Doli se Gardiner kishte marrë mbi 500 mijë paund nga Lee nga 2015 deri më 2019 dhe kishte të punësuar djalin e saj si analist në zyrën e tij deri javën e kaluar (djali dha dorëheqjen pasi paralajmërimi i MI5 u bë publik).

Gardiner nuk ishte i vetmi që i shërbente Lee-së. Lideri i Partisë Liberal Demokrate Sir Ed Davey mori pesë mijë paund nga Lee më 2013. Martin Thorley, vëzhgues i Kinës prej shumë kohësh që mbulonte aktivitetet e dyshimta politike të Lee në Britani e Kinë në të kaluarën, e akuzoi Davey-n se “u mbushi mendjen Liberal Demokratëve të përkrahnin energjinë bërthamore”.

Britania nis të refuzojë ndikimin e PKK

Megjithatë, që nga maji 2019, marrëdhëniet midis Kinës e Britanisë janë keqësuar për një numër arsyesh, përfshirë shtypjen nga Kina të protestave për demokraci në Hong Kong më 2019 dhe për keqmanaxhimin nga ana e Pekinit të pandemisë Covid-19 më 2020.

Qeveria britanike më në fund e kuptoi se Pekini nuk është partner i besueshëm dhe se firmat shtetërore kineze nuk duhet të luajnë rol në projektet kritike të infrastrukturës në Mbretërinë e Bashkuar. Qeveria britanike lëvizi për të nxjerrë China General Nuclear nga planet për ndërtimin e stacionit bërthamor Sizewell në Suffolk dhe bëri të ditur se donte ta nxirrte kompaninë nga të gjitha projektet e ardhshme të energjisë në Britani.

E megjithatë, në mënyrë të pabesueshme, pasi MI5 bëri paralajmërimin për ndërhyrjen e Lee në “zonën gri” të politikës britanike, as Lee dhe as politikanët që morën donacionet e saj politike nuk u akuzuan për ndonjë shkelje. Britania nuk ka ligje që i adresohen ndërhyrjes së huaj politike. Lee mbretet e lirë dhe nuk përballet me rrezik dëbimi.

SHBA dujet ta marrë paralajmërimin e MI5 për Lee seriozisht sepse politikanët amerikanë nuk janë imunë nga ndërhyrje të ngjashme nga ana e agjentëve kinezë. Shembulli më i freskët ishte Fang Fang, i supozuar si spiune kineze. Ajo kultivoi marrëdhënie me disa politikanë amerikanë, përfshirë kongresmenin Demokrat të Kalifornisë Eric Swalwell, i cili është anëtar i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Ulët të Kongresit. Fang u largua drejt Kinës para se autoritetet amerikane ta merrnin në pyetje.

Duke qenë se 2022 është vit zgjedhjesh, ndërhyrja politike nga kundërshtarët e Amerikës të tillë si Kina e Rusia vetëm do të rritet. Qeveria amerikane duhet të marrë masa për t’iu adresuar ndërhyrjes në “zonën gri” nga agjentë të huaj.

Vendet Perëndimore duhet të bëhen aleatë me kinezët antikomunistë

Është e rëndësishme të kuptohet se jo të gjithë kinezët që jetojnë jashtë Kinës e përkrahin Partinë Komuniste. Shumë kinezë me banim jashtë kanë ndërmarrë rreziqe personale, përfshirë edhe vënien në rrezik të familjarëve në Kinë, duke denoncuar abuzimet e Pekinit me të drejtat e njeriut dhe ndikimin jashtë vendit. Këta kinezë janë të pazëvendësueshëm në ndihmën për demokracitë  perëndimore për t’iu kundërvënë Partisë Komuniste të Kinës. Ata duhen mbajtur pranë e mbrojtur.

Çdo aksion që qeveria amerikane ndërmerr për të zbuluar ndërhyrjen politike të Kinës në Amerikë duhet të bëjë dallim midis atyre që përkrahin PKK dhe atyre që nuk e përkrahin. Mosbërja e kësaj do të ishte fitore propagandistike për PKK dhe do të përforconte pretendimet për racizëm e ksenofobi në Perëndim kundër të gjithë kinezëve. SHBA duhet ta marrë seriozisht kërcënimin e ndërhyrjes në “zonën gri” teksa studion me kujdes e qartës sfidat që vijnë nga Kina, pa u shkaktuar dëm njerëzve të pafajshëm.

https://thefederalist.com/2022/01/21/how-a-chinese-spy-infiltrated-u-k-politics-and-why-it-can-happen-here/

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco