Lajmi i fundit

LIVE/ 'Opozita në Aksion', takim me demokratët e Lezhës

Si t’i mbijetohet dimrit, të frenohet Putini dhe të shpëtohet Ukraina

Si t’i mbijetohet dimrit, të frenohet Putini dhe të shpëtohet Ukraina

12:21, 29/11/2021
A+ Aa A-

Nga Kurt Volker

Presidenti rus Vladimir Putin është i përfshirë në një përshkallëzim të shumëfishtë të kërcënimeve brenda Evropës. Skemat e tij mund të mposhten.

Duke shfrytëzuar atë që ai e gjykon si një pozicion strategjik superior përballë tërheqjes dhe fragmentimit dhe dobësisë së SHBA-së në Evropë, Putin sheh mundësinë për të arritur përfitime thelbësore në atë që Rusia e konsideron sferën e saj të ndikimit në Lindje të Evropës.

Përballë kësaj pakete sfidash për autoritetin dhe kohezionin e tij, Perëndimi me të vërtetë nuk ka zgjidhje tjetër veçse të qëndrojë i palëkundur përballë agresionit rus.

Këto janë kërcënime serioze dhe mund të sinjalizojnë një dimër të vështirë të shkaktuar nga Rusia, të një forme të atillë që Evropa nuk e ka përjetuar për dekada. Ka të paktën pesë kërcënime të menjëhershme. Rusia është:

- Duke shtrënguar furnizimin me gaz të Evropës përpara dimrit, duke u bërë të qartë kundërshtarëve të mundshëm se veprimi evropian për ta frenuar atë kërcënon ngrohjen në shtëpitë e qytetarëve;

- Duke përdorur Bjellorusisë për të çuar e nxitur emigrantët drejt Bashkimit Evropian (BE);

- Po grumbullon trupa dhe armatime të rënda brenda  dhe përreth Ukrainës, veçanërisht në veri të Kievit, në Krime dhe Donbas, dhe në lindje në rrethin ushtarak jugor të Rusisë;

- Po kërcënon konflikt të ri në Ballkan duke nxitur nacionalizmin serb, duke përfshirë lëvizjet drejt një shpërbërjeje të mundshme të Bosnje-Hercegovinës dhe sfidat ndaj pavarësisë së Malit të Zi; dhe

- Po promovon një kuadër 3+3 për trajtimin e Kaukazit Jugor (Rusia, Irani, Turqia, Armenia, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia) për të zëvendësuar ndikimin e SHBA-së dhe Partneritetin Lindor të BE-së.

Këto lëvizje të fundit pasojnë vite të tëra aktesh armiqësore ruse dhe ndërhyrje në politikën e brendshme të Perëndimit, duke përfshirë dezinformimin, vrasjen, sabotimin, ryshfetin dhe mjete të tjera të dizajnuara për të dobësuar Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

Kërcënimi për Ukrainën

Kërcënimi më i menjëhershëm është ndaj Ukrainës. Rusia ka alokuar forcat për një sulm të ri ushtarak, i cili mund të nisë në mënyrë të menjëhershme:

- Në një shkrim thuajse-historik prej 10,000 fjalësh, së bashku me deklarata publike nga emra të tjerë, si ish-presidenti Dmitry Medvedev, Putin ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Ukrainës si një shtet i pavarur dhe ka justifikuar agresionin e vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainën Lindore. Putin ka akuzuar autoritetet ukrainase si ‘rusofobike’ dhe ka paralajmëruar kundër përdorimit të ‘ish territoreve sovjetike’ për të kërcënuar Rusinë.

- Rusia ka marrë efektivisht kontrollin e sigurisë së Bjellorusisë, që do të thotë se Putini tani është në gjendje të kërcënojë Ukrainën nga veriu dhe nga lindja. Grumbullimi I tanishëm i madh ushtarak i Rusisë është i treti për këtë vit: i pari ishte në prill, duke grumbulluar mbi 100,000 trupa dhe pajisjet e tyre brenda dhe rreth Ukrainës; e dyta ishte stërvitja Zapad-21; dhe e treta është grumbullimi aktual, i paparalajmëruar dhe i pashpjeguar i forcave dhe pajisjeve rreth Ukrainës, në masë edhe më të madhe se në prill.

- Koha e lëvizjeve të Rusisë është e favorshme: 8 dhjetori 2021, shënon 30 vjetorin e rënies së Bashkimit Sovjetik, diçka që Putini e ka quajtur me keqardhje si tragjedinë më të madhe të shekullit të 20-të. Ajo vjen gjithashtu pasi kancelarja Angela Merkel ia dorëzon pushtetin një qeverie të udhëhequr nga SPD në Gjermani, ndërsa Rusia kërkon të pastrojë pengesat e fundit për të sjellë në funksionim gazsjellësin Nord Stream 2. Franca parashikon zgjedhjet në prill. Presidenti Joe Biden ka tërhequr forcat amerikane nga Afganistani dhe ka sinjalizuar se dëshiron ta bëjë këtë edhe nga Iraku dhe Siria, ndërkohë që pozicioni i tij politik në Shtetet e Bashkuara po dobësohet.

Putini ka reaguar ndaj lëvizjeve të Presidentit Volodymyr Zelenskyy për të kundërshtuar ndikimin rus në Ukrainë, veçanërisht ato që drejtohen për nga Viktor Medvechuk (fëmijët e të cilit kanë si kumbar të tyre Putinin), duke mbyllur kontaktet zyrtare ukrainase-ruse. Në një koment publik të kohëve të fundit, ish-presidenti rus Dmitry Medvedev sulmoi drejtpërdrejt Zelenskyy dhe ekipin e tij, duke nënkuptuar se për shkak se ata janë rusisht-folës dhe hebrenj, ata nuk e dinë se kush janë dhe nuk janë ‘ukrainas’.

Asgjë nga këto nuk do të thotë se Rusia është e vendosur në mënyrë të pakthyeshme për një pushtim të ri të Ukrainës. Përkundrazi, Putini po përgatit forcat dhe argumentimin e nevojshëm për t'i dhënë atij opsionin; një opsion që nuk do të ishte i realizueshëm nëse nuk do të ishin ndërmarrë këta hapa paraprak. Në të vërtetë, shpjegimi më i mundshëm i këtyre ngjarjeve është se Putini po kërkon lëshime dhe gjeste de-përshkallëzimi nga Ukraina dhe Perëndimi në këmbim të vendosjes për të mos pushtuar. Por fakti që ai ka grumbulluar forcat e nevojshme do të thotë se një përgjigje e fortë perëndimore është thelbësore për të demonstruar se një veprim i tillë do të ishte shumë i kushtueshëm për Rusinë.

Presioni perëndimor

Në këtë situatë, administrata Biden dhe disa qeveri evropiane kanë filluar në mënyrë të denjë të ushtrojnë presion. Ndoshta në një përpjekje për të demonstruar se Perëndimi nuk do të përsërisë dështimin e tij për parandalimin e zaptimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, janë ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm:

- Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr publikisht vëmendjen ndaj aktiviteteve agresive të Rusisë në një nivel të lartë politik dhe diplomatik, duke përfshirë sigurimin e informimeve të inteligjencës dhe demarsheve në NATO dhe në kryeqytetet evropiane;

- SHBA, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe të tjerët kanë ritheksuar fuqishëm mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Kjo u përforcua me një vizitë të Sekretarit të Mbrojtjes Austin në Kiev, një vizitë reciproke e Ministrit të Mbrojtjes të Ukrainës, Oleksii Reznikov në Uashington, dhe nëpërmjet dhënies së ndihmës për sigurinë;

- Kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA, Robert Menendez ka prezantuar një shtojcë në Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili do të shkaktonte sanksione të reja të mëdha ndaj Rusisë nëse forcat e saj përparojnë më tej në Ukrainë;

- Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar shqyrtimin e një dislokimi të përkohshëm të trupave britanike për stërvitje dhe ushtrime në Ukrainë;

- Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar publikisht se do të kishte pasoja të rënda nëse Rusia bën një sulm të mëtejshëm ushtarak në Ukrainë; dhe

- Rregullatorët gjermanë kanë bllokuar certifikimin përfundimtar të gazsjellësit Nord Stream 2 për të paktën dy muaj.

Në mënyrë të parashikueshme, pavarësisht veprimeve të saj haptazi agresive, Rusia ka pohuar se nuk po kërcënon askënd dhe ka akuzuar SHBA-në dhe të tjerët se janë duke e përshkallëzuar vetë situatën drejt konfliktit. Edhe një koment relativisht faktik nga redaktori i gazetës italiane La Repubblica tërhoqi një qortim të shpejtë dhe fyes në Facebook nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Perëndimi nuk duhet të tutet nga kjo retorikë agresive ruse – përkundrazi. Vetëm kundërpresioni i qëndrueshëm dhe i fortë do të sigurojë që Rusia të mos e përshkallëzojë më tej situatën.

Masat shtesë për të aplikuar një kundërpresion të tillë mund të përfshijnë sa vijon:

- SHBA-ja dhe BE-ja duhet të njoftojnë paraprakisht se cilat sanksione ose veprime të tjera do të ndërmerren menjëherë, dhe në mënyrë të koordinuar, nëse Rusia lëviz më tej forcat e saj në territorin ukrainas;

- Vendet perëndimore duhet të kryejnë një rrjedhë të vazhdueshme të vizitave të nivelit të lartë në Kiev nga zyrtarë kryesorë të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes – duke përfshirë vizitat në zonat e konfliktit në Lindje;

- SHBA dhe aleatët e tjerë të NATO-s duhet të rrisin nivelet dhe cilësinë e ndihmës dhe trajnimit të sigurisë për forcat ukrainase;

- Shtetet e Bashkuara duhet të deklasifikojnë informacionet e inteligjencës në lidhje me mobilizimin ushtarak të Rusisë dhe udhëheqjen e saj të forcave ushtarake brenda Ukrainës (Donbas); dhe

- Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera aleate duhet të emërojnë përfaqësues të rinj specialë të dedikuar posaçërisht për t'i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Ndërsa Perëndimi mendon opsionet e tij të politikave që duhen ndërmarrë, ai duhet të mbajë parasysh rolin strategjik që luan Ukraina në të ardhmen e Evropës. Anëtarët e BE-së mund të mendojnë se e ardhmja e kontinentit të tyre varet nga politika monetare, ose nga kancelari i ri i Gjermanisë ose nga zgjedhjet franceze, dhe në këto drejtime ka argumente të debatueshme.

Megjithatë, nga një këndvështrim tjetër, e ardhmja e Evropës do të përcaktohet nga fakti nëse Rusia do të mbetet një fqinj armiqësor, apo një ditë do të ndryshojë për t'u bërë një partner konstruktiv. Duke pasur parasysh sistemin e krijuar nën Presidentin Putin, e vetmja mënyrë se si Rusia do të ndryshojë nga qëndrimi i saj i tanishëm armiqësor është nëse vetë Rusia ndryshon - nëse populli rus është në gjendje të vendosë një qeveri që pasqyron interesat e vendit, në vend të interesave të ish elitës së KGB-së.

Në këtë perspektivë, suksesi i Ukrainës si një demokraci tregu, me siguri dhe sovranitet mbi territorin e saj, është me rëndësi jetike për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën. Një Ukrainë që përmbush standardet evropiane do të jetë një fener për shumë rusë që duan që shteti i tyre të përputhet me këto sprova të një qeverie të mirë. Një Ukrainë që tërhiqet zvarrë nga Rusia do të përdoret nga Kremlini për të përjetësuar gjendjen aktuale të autoritarizmit brenda Rusisë, dhe agresionit të saj jashtë vendit.

Ambasadori Kurt Volker është një anëtar i shquar në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane. Një ekspert kryesor në politikën e sigurisë së jashtme dhe kombëtare të SHBA-së, ai shërbeu si Përfaqësues Special i SHBA-së për Negociatat e Ukrainës nga 2017-2019, dhe si Ambasador i SHBA-së në NATO nga 2008-2009.

Burimi: https://cepa.org/how-to-survive-winter-confound-putin-and-save-ukraine/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco