VIDEO/ Emiri i Katarit afirmon përpjekjet e vendit të tij për zgjidhjen paqësore të konflikteve

VIDEO/ Emiri i Katarit afirmon përpjekjet e vendit të tij për zgjidhjen paqësore të konflikteve

12:58, 22/09/2021
A+ Aa A-

Emiri i Shtetit të Katarit, HH Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, i cili kryesoi delegacionin e Katarit në Sesionin e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mbajti të martën një fjalim në seancën hapëse të tij, duke nënvizuar se kontributi për zgjidhjen paqësore të konflikteve është një nga përparësitë e vendit të tij, dhe theksoi qëndrimin e Dohas për një sërë çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare, ndër më kryesoret e të cilave është dhe kauza palestineze.

Në këtë sesion që përkon me 50 vjetorin e aderimit të Katarit në OKB, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani u shpreh se basti i vendit të tij në institucionet ndërkombëtare është një ‘bast strategjik’, dhe shtoi se marrëdhëniet midis Dohas dhe këtyre institucioneve janë karakterizuar gjatë pesë dekadave të fundit nga një bashkëpunim i ngushtë dhe partneritet model në shumë fusha.

‘Jemi të lumtur që Doha është kryeqyteti i veprimeve shumëpalëshe ndërkombëtare në rajonin tonë’ – theksoi ai, dhe zbuloi se Katari pritet të hapë së afërmi në Doha ‘Shtëpinë e Kombeve të Bashkuara’.

Në lidhje me çështjen palestineze, ai tha se dëbimi i banorëve të lagjes Sheikh Jarrah në Jerusalem konfirmoi edhe një herë rëndësinë qendrore të kësaj kauze, dhe apeloi komunitetin ndërkombëtar t’i japë asaj një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe paqësore. Gjithashtu, ai vuri në dukje se përgjatë këtij viti janë shënuar shumë shkelje nga Izraeli kundrejt vendeve të shenjta islame dhe të krishtera në qytetin e Jerusalemit.

Detyra Humanitare në Afganistan

Lidhur me zhvillimet në Afganistan, Sheikh Tamim tha se Shteti i Katarit nuk ka kursyer asnjë përpjekje për evakuimin e mijëra njerëzve nga Afganistani, duke e konsideruar këtë si një ‘detyrë humanitare’, dhe siguroi se Doha do të vazhdojë në koordinim me partnerët e saj ndërkombëtarë kontributin për të ruajtur përfitimet konkrete të arritura në këtë drejtim.

Ai tha se përgjegjësia për arritjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse në Afganistan i takon popullit afgan dhe komunitetit ndërkombëtar, dhe theksoi nevojën për të vazhduar dialogun me talebanët, ‘pasi bojkoti do të çojë vetëm në polarizim dhe reagime’. Sikurse theksoi edhe rëndësinë e vazhdimit të ndihmës humanitare për popullin afgan në një kontekst të ndarë nga mosmarrëveshjet politike në vend.

Emiri i Katarit konsideroi se ngjarjet e fundit në Afganistan nuk duhen parë në prizmin e triumfit apo humbjes, por si ‘çështje e dështimit për të imponuar nga jashtë një sistem politik në vend, pavarësisht synimeve, përpjekjeve dhe mjeteve të investuara atje’. ‘Kjo përvojë rezultoi e dështuar në Afganistan pas 20 vitesh’ – shtoi ai.

Sa i përket çështjes siriane, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani tha se vazhdimi i krizës atje mbart rreziqe të mëdha jo vetëm për Sirinë, por edhe për paqen dhe sigurinë e rajonit dhe botës, përfshirë përshkallëzimin e kërcënimit të terrorizmit.

‘Çështja siriane nuk mund të neglizhohet. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet t’ua kthejë shpinën vuajtjeve të popullit sirian, sikurse ndodhi kohët e fundit gjatë bombardimeve mbi qytetin Der’a dhe zonave të tjera’ – tha ai.

Ndërsa për krizën e Jemenit, Emiri i Katarit nënvizoi përkushtimin e vendit të tij për ruajtjen e unitetit dhe integritetit territorial të Jemenit. Gjithashtu ai konfirmoi pozicionin e vendosur të Katarit që konsideron se e vetmja rrugëdalje nga kjo krize është zhvillimi i negociatave midis të gjitha palëve jemenase, bazuar në rezultatet e dialogut kombëtar, nismën e Gjirit dhe rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit, veçanërisht Rezoluta nr. 2216.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco