Papa në Irak: Gati për udhë, me shpresë si Abrahami!

Papa në Irak: Gati për udhë, me shpresë si Abrahami!

13:33, 04/03/2021
A+ Aa A-

Në një videomesazh për popullin irakian, që u bë i njohur sot, në prag të nisjes së tij për në Bagdad, Papa Françesku i fton të krishterët, por edhe të gjithë “vëllezërit e motrat e çdo tradite fetare”, të “përforcojnë vëllazërimin, për të ndërtuar së bashku një ardhmëri në paqe”. Ati i Shenjtë i lutet Zotit për “falje e pajtim, pas vitesh lufte e terrorizmi”, njofton radio Vatikani.

Në prag të udhëtimit të tij të 33-të apostolik, nga 5 deri më 8 mars, Papa Françesku shpjegon se shkon në tokën irakiane, “djep i lashtë dhe i jashtëzakonshëm qytetërimi”, para së gjithash si “shtegtar pendestar”… “Që t’i përgjërohet Zotit për falje dhe pajtim, pas vitesh lufte e terrorizmi, për t’i kërkuar Hyjit ngushëllim për zemrat dhe shërim për plagët”.

Por Ati i Shenjtë shkon edhe “si shtegtar i paqes, për të përsëritur” ç’thotë Jezu Krishti në Ungjillin sipas Mateut: “Ju jeni të gjithë vëllezër”... “Në kërkim të vëllazërimit, i frymëzuar nga dëshira për t’u lutur së bashku dhe për të ecur së bashku, edhe me vëllezërit e motrat e traditave të tjera fetare, nën shenjën e Abrahamit atë, i cili bashkon myslimanë, hebrenj dhe të krishterë në një familje të vetme”.

Papa u drejtohet para së gjithash të krishterëve irakianë, të cilët “e kanë dëshmuar fenë e tyre në Jezu Krishtin, përmes sprovave tejet të rënda”, duke theksuar se ndihet “i nderuar që takon një Kishë martire: faleminderit për dëshminë tuaj”. Martirët e shumtë, që keni njohur, uron Ati i Shenjtë “na ndihmofshin të vijojmë me forcën e përvuajtur të dashurisë”. E kujton “pamjet e shtëpive të shkatërruara dhe të kishave të përdhosura”, që irakianët, të cilët ikën nga tërbimi i Isisit, i kanë ende në sy, ndërsa në zemra, “plagët e të dashurve lënë pas dhe të shtëpive të braktisura”.

 “Të mos dorëzohemi para përhapjes të së keqes” bën thirrje Papa, sepse “gurrat e lashta të urtisë në tokat tuaja na orientojnë për diku tjetër, të bëjmë si Abrahami, i cili, pavarësisht se la gjithçka, nuk e humbi kurrë shpresën”. Me besim në Zotin, Abrahami “u dha jetë pasardhësve të shumtë si yjet e qiellit”. “Të vështrojmë drejt yjeve - kjo është ftesa e tij - atje është premtimi ynë”.

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco