Moratoriumi mbi deportimet/ Teksasi ngre padi kundër administratës Biden

Moratoriumi mbi deportimet/ Teksasi ngre padi kundër administratës Biden

16:50, 23/01/2021
A+ Aa A-

Teksasi ndërmori hapa të premten për të bllokuar planet e Presidentit Biden për një moratorium 100 ditësh mbi deportimet, duke rezultuar në një ndër paditë e para të ngritura kundër administratës së re.

Me këtë akt të shpejtë, shteti më i madh republikan në Shtetet e Bashkuara sinjalizon se është gati të marrë rolin e antagonistit ndaj axhendës së presidentit demokrat, pas katër viteve të administratës së Presidentit Trump me politika të forta kundër imigracionit përmes kufirit jugor.

Padia e Teksasit synon të ndalë moratoriumin që pritej të fillonte të premten. Presidenti Biden ka nënshkruar një numër urdhrash ekzekutivë, përfshirë një që anulon politikën e pararendësit të tij që e bënte prioritet në listën e deportimeve këdo që ndodhej pa dokumente të rregullta në Amerikë.

Teksasi ngre pretendimin në padi se moratoriumi shkel një marrëveshje të nënshkruar në javët e fundit të presidencës Trump që kërkon që çdo ndryshim në zbatimin e politikave të emigracionit t’i prezantohet së pari autoriteteve të këtij shteti. Grupi mediatik BuzzFeed njoftoi se administrata Trump ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme me udhëheqës republikanë në disa shtete. Ekspertë ligjorë kanë shprehur dyshim që këto marrëveshje mund t’u rezistojnë sfidave ligjore.

"Dështimi në zbatimin siç duhet të ligjit do të kërcënojë direkt qytetarët tanë dhe personelin e zbatimit të ligjit,” tha prokurori i përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare ia kaloi kërkesën për komente Shtëpisë së Bardhë, e cila nuk ka komentuar ende.

Padia përmend disa herë marrëveshjen me administratën Trump, e cila u nënshkrua para gjykatësit të Distriktit Jugor në Teksas Drew Tipton, i emëruar nga Presidenti Trump.

Që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden veproi me shpejtësi për të vënë në zbatim masa në lidhje me imigracionin që anulojnë shumë nga politikat e pararendësit. Ai ndali ndërtimin e murit në kufirin jugor si dhe anuloi ndalimin e udhëtimeve të individëve nga vende me shumicë myslimane.

Presidenti Biden ka thënë gjithashtu se ka në plan t’u ofrojë një mundësi për të marrë shtetësinë të gjithë atyre që ndodheshin në Shtetet e Bashkuara para 1 janarit, afro 11 milionë vetë sipas përllogaritjeve./ VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco